Çajrat që duhet t’i konsumoni

Shëndetësia

Çajrat që duhet t’i konsumoni

Më: 27 mars 2015 Në ora: 12:56

Të gjithë e dimë, se çajrat janë pije të shëndetshme, që më së shpeshti i pimë kur jemi të ftohur, apo kemi grip. Por, çajrat kanë edhe një aftësi të madhe parandaluese, kështu që nuk do të ishte keq që t’i konsumojmë rregullisht. Vetitë mjekuese të llojeve të ndryshme të tyre janë të njohura që nga kohët e lashta.

Dikur, sëmundjet mjekoheshin kryesisht me çaj dhe preparate të tjera bimore. Sot, kur ekzistojnë barnat, çajrat kanë marrë rol ndihmës në shërimin e sëmundjeve. Problemet e përditshme shëndetësore mund t’i zbutni me zgjedhjen adekuate të llojit të çajit. Më së miri është që çaji të pihet pa asnjë shtesë, por nëse nuk ju pihet i tillë, atëherë mund t’i shtoni limon dhe mjaltë, por vetëm kur çaji të jetë ftohur. Mjalti dhe limoni humbin vetitë e tyre të dobishme, kur të qiten në çaj tepër të nxehtë.

Shtrohet pyetja se cili çaj është më i dobishëm. Ja disa këshilla të cilat natyrisht që duhet t’i keni parasysh pasi janë në të mirë të shëndetit tuaj.

– Çaji nga menta: Përpos që ka shije dhe aromë të mirë, çaji i mentës ka edhe shumë veti mjekuese. Ai është shumë efikas në mjekimin e ftohjes, ndihmon edhe tek problemet me tretjen, meqë qetëson lukthin dhe zorrët. Mentja ndikon mirë edhe në sistemin nervor, prandaj u preferohet personave nervozë dhe me ankth. Ndihmon edhe në rastet e kokëdhembjes dhe të përzierave. Ky çaj është i mirë edhe për aromën e gojës pasi që e largon erën e keqe me të cilën përballen një numër bukur i madh i njerëzve.

– Çaji i gjelbër: Çaji i gjelbër ka prejardhjen nga Kina dhe ka veti të mëdha antioksiduese. Zvogëlon rrezikun nga sëmundjet e zemrës dhe enëve të gjakut, karcinoma dhe shumë sëmundje të tjera kronike. Çaji i gjelbër lehtëson tretjen, por ka ndikim të dobishëm edhe në lëkurë. Nga shumë njerëz konsiderohet si çaji më i shëndetshëm i cili mund të parandalojë shumë sëmundje. Meqë përmban edhe kafeinë, përdoret edhe si stimulues. Ai është shumë i mirë edhe për dobësim dhe rekomandohet te të gjitha ata që dëshirojë të humbin kilogramët e tepërt.

– Çaji nga aloe vera: Qysh në Egjiptin e lashtë, aloe vera është përdorë si ilaç, por konsiderohej edhe eliksir i jetëgjatësisë. Indianët me aloe vera kanë shëruar plagët, kokëdhembjen dhe artritin. Aloe vera ka shumë veti mjekuese, e ndihmon veçanërisht te artriti, psoriaza dhe ekzema. Çaji nga aloe vera preferohet për forcimin e imunitetit, si dhe ka veti antiinflamatore. Ai njihet edhe si parandalues edhe i shumë sëmundjeve.

– Çaji nga hithrat: Çaji i hithrës që nga lashtësia përdoret për mjekimin e inflamacionit të rrugëve urinare dhe te sëmundjet e veshkave. Hithi ka sasi të mëdha të kaliumit i cili është diuretik natyror, por edhe hekur, i cili ndihmon në krijimin e rruazave të kuqe të gjakut. Çaji nga hithrat pastron gjakun dhe nxitë përtëritjen e qelizave. Preferohet edhe si ilaç për lëkurën problematike.

– Çaji nga kamomili: Çaji i kamomilit te ne përdoret shumë shpesh, meqenëse relakson, është i mirë për tretje, zbutë dhembjen, zvogëlon urtikarien, e ndihmon edhe për ngërçet. Për shkak të vetive të tij, çaji i kamomilit përmirëson pamjen e lëkurës dhe flokët i bën më të forta dhe më të shëndetshme. Femrat shpesh përdorin çajin e kamomilit për zbutjen e problemeve menstruale.

– Çaji i blirit: Çaji i blirit po ashtu përdoret në vendin tonë. Dihet se ky lloj çaji ofron ndihmë të madhe te ftohja, gripi dhe fyti i irrituar. Përdoret edhe si ilaç natyror kundër pagjumësisë, e është edhe i mirë për relaksim, meqë qetëson nervat. Për këtë shkak, ai u preferohet njerëzve që janë të ngarkuar psikikisht. Por, duhet pasur kujdes, se sasitë e mëdha të çajit të blirit mund të shkaktojnë probleme me zemër.

– Çaji nga boronica e kuqe: Kohën e fundit te ne me të madhe po pihet edhe ky lloj i çajit. Mjekët e rekomandojnë këtë çaj tek të gjitha ata që janë ftohur, kanë probleme me veshkë, apo u janë ftohur kanalet urinare. Ai është shumë i shijshëm dhe në vete përmban shumë përbërës të dobishëm për shëndetin e njeriut.

Këshilla 1: Çaji i hithrës që nga lashtësia përdoret për mjekimin e inflamacionit të rrugëve urinare dhe te sëmundjet e veshkave. Hithi ka sasi të mëdha të kaliumit i cili është diuretik natyror, por edhe hekur

Këshilla 2: Çaji i gjelbër zvogëlon rrezikun nga sëmundjet e zemrës dhe enëve të gjakut, karcinoma dhe shumë sëmundje të tjera kronike. Çaji i gjelbër lehtëson tretjen, por ka ndikim të dobishëm edhe në lëkurë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat