Valvula “Freestyle”, zgjidhja e re për zemrën tuaj!

Shëndetësia

Valvula “Freestyle”, zgjidhja e re për zemrën tuaj!

Më: 2 mars 2015 Në ora: 22:32

Përse të zgjedhim valvulën “Freestyle”? Ajo është një valvul e re, me një afat 14-16 vjet, që zëvendëson në mënyrë të përkryer valvulën fiziologjike të pacientit. Kjo valvul ofron një hemodinamikë të lartë dhe jetëgjatësi.

Me një dizajn unik e të plotë, valvula “Freestyle” ofron mundësi të shumta implantimi për të trajtuar valvulën dhe patologjitë e ndryshme të saj. Po ashtu, edhe ndërhyrjet në rrënjen e aortës bëhen me anë të kësaj valvule, pa pasur nevojë për ndonjë protezë artificiale. E ngjashme me një valvul natyrale, valvula mundëson:

- Qarkullim më të mirë të gjakut

Këto valvula kanë provuar se mund të kryejnë në mënyrë të ngjashme funksionin e valvulave natyrale të aortës. Mungesa e një stenti dhe unazës krijon më shumë hapësirë për gjakun, që të qarkullojë përmes valvulës “Freestyle”. Një valvul e tillë, me diametër 19 mm, ka një efektivitet me një hemodinamikë sa një valvul biologjike, me unazë të një madhësie prej 21 mm. Pra, kjo është ajo që e përmirëson dukshëm qarkullimin transvalvular të gjakut te kjo valvul.

- Lehtësi në implantimin e valvulës

Valvula “Freestyle” është projektuar për të ofruar lehtësi nga ana kirurgjikale në implantimin dhe fleksibilitetin për të përmbushur indikacionet e ndryshme klinike të pacientit. Rezultatet e jetëgjatësisë së protezës (valvulës) “Freestyle” tregojnë se e ka një cikël më të avancuar se valvulat me unazë.

Kjo valvul e lejon mjekun ta lëvizë dhe ta përpunojë, si të ishte një valvul nayrale dhe kjo, për faktin se valvula “Freestyle” nuk ka një formë të caktuar. Dallimi nga protezat (valvulat) me unazë është se, te valvula pa unazë hapësira dalëse e gjakut nga ventrikuli i majtë është më e madhe. Sipas studimeve që janë bërë, fluksi ose qarkullimi fiziologjik i gjakut kryhet më mirë se te valvulat me unazë, të cilat falë unazës dhe strukturave që përdoren për implantimin e saj nuk i kanë këto avantazhe.

- Antikoagulimi

Pacientët me protezën “Freestyle” nuk kanë nevojë për marrjen e holluesve të gjakut të familjes Kumarine (Marcumar, Sintron) që nga dita e parë e implantimit. Këta pacientë do të trajtohen njësoj sikurse pacientët që bëjnë “Bypass”, pra vetëm me ASS 100 mg.

Ka shumë modele të valvulave “Freestyle”: Prima-Valvule, Edëards Life Science; Freestyle, Fa. Medtronic, Meerbusch; Toronto-Stentless, Fa. St. Jude Medical. Së fundmi është edhe gjenerata e tretë, të përpunuara nga perikardi i lopës: Sorin - Pericarbon - Freedom, Sorin Biomedica, Milano; dhe 3F Valvulë Aortale nga perikardi i kalit Fa. Medtronic Meerbusch.

Teknika e implantimit

Valvula “Freestyle” është një ind i marrë nga rrënja e aortës së derrit, e cila fiksohet në Glutaraldehyd në një “presion Zero”, ku edhe bëhet përpunimi i fletëzave të valvulës me një solucion antikalçifikues Alfa - Aminoeleic Acid. Ky lloj përpunimi e ngadalëson procesin e kalçifikimit të valvulës.

Ka shumë mënyra për të implantuar një valvulë të tillë, gjithmonë në varësi të situatës apo gjendjes së strukturave anatomike ku bëhet implantimi. Më të shpeshtat janë teknika Subkoronare, komplet apo e modifikuar, zëvendësimi komplet i rrënjës së aortës, disekacion i shkurtër i aortës ashendente, aneurizma e aortës ashendente etj.

Një përparësi tjetër e protezës (valvulës) “Freestyle” ndaj protezave me unazë është fakti se te pacientët me një të tillë, i cili do të ketë nevojë për një ndërhyrje pas kalçifikimit të saj (15 vjet), ekziston mundësia e një implantimi të një valvule tjetër me anë të kateterit, valvulë-në-valvulë (Transfemoral ose Transapikal), që është një metodë e cila ka marrë një shpërndarje të madhe në vendet e zhvilluara.

Për herë të parë, një ekip i kardiokirurgjisë ka bërë implantimin me sukses të një valvule “Freestyle” te një pacient 70-vjeçar në Shqipëri. Tashmë kjo metodë, zëvendësimi i valvulës aortale me protezat “Freestyle”, është një nga metodat më të aplikuara në pacientët me këtë problem.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat