Cilat janë pasojat e diabetit në shtatzëni?

Shëndetësia

Cilat janë pasojat e diabetit në shtatzëni?

Më: 28 janar 2015 Në ora: 18:40

Numërohen mjaft probleme të shtatzënisë, të cilat janë vërtetuar apo dhe dyshohen se mund të vijnë nga diabeti në shtatzëni. Ato janë të ndara sipas 3-mujoreve të shtatzënisë.
Problemet njihen dhe në jetën e mëparshme të çiftit, pasi është vërtetuar që prania e vlerave të larta të glikemisë apo mundësia e një diabeti të padiagnostikuar më parë, jep probleme të sterilitetit tek femra. Gjithashtu, është vërtetuar se përdorimi i kontraceptiveve oralë me përmbajtje të 17-caproate, alfa-hydroxyprogesterone, për ovare mikrokistike, ka probabilitet të lartë për të dhënë diabet në shtatzëni.

Për tremujorin e parë njihet si pasojë e një diabeti gestacional abortet e përsëritura. Pra, nëse një grua ka disa aborte apo shtatzëni të pazhvilluar në historinë e saj, një nga analizat që duhet të bëjë, është edhe ajo e matjes së glicemisë. Gjithashtu është gjetur vlerë e lartë e glicemisë dhe në disa anomali apo keqformime fetale (të bebit), siç është mungesa e zhvillimit të kokës, probleme të shtyllës kurrizore, probleme të zemrës.

Në tremujorin e dytë problemet më të shpeshta janë ndryshimet në ujërat e fëmijës, luhatjet e para të tensionit të gjakut drejt vlerave të larta apo prapambetja në peshën e fëmijës. Këto si ndryshime kapen pas javës së 26-të shtazënisë, prandaj edhe analizat kryesore për këtë problem janë javën e 24-t deri të 26-të të barrës.

Në tremujorin e fundit problemet e diabetit janë më të dukshme. Kështu, në këtë periudhë rritet rreziku për një tension të lartë të gjakut tek gruaja, probleme të infeksioneve urinare të saj ,kurse tek fëmija shihen ndryshimet në peshë, në shtratin placentar, i cili plaket më shpejt në këto raste apo në ujërat e fëmijës, të cilat mund të shtohen dhe të vështirësojnë barrën.

Rrezik për këto shtatzëni është dhe përfundimi para kohe i tyre, kalimi i ditës së parashikuar të lindjes apo dhe vdekjen e fëmijës në bark.

Karakteristikë për fëmijët e këtyre shtatzënive është pesha e madhe në lindje, mbi 4000 gramë. Jo gjithmonë një fëmijë me peshë të rritur do të nënkuptojë një fëmijë të shëndetshëm. Fëmijët me peshë të madhe, por sidomos të lindura nga gra me probleme të diabetit në shtatzëni, janë të rrezikuar nga një sërë problemesh shëndetësore prej momentit të lindjes, ku më të shpeshtët janë: vështirësi në frymëmarrje, rënie e sheqerit në gjak, verdhëz e zgjatur etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat