Ndikimi i drogës në tru

Shëndetësia

Ndikimi i drogës në tru

Më: 27 janar 2015 Në ora: 00:24

Drogat janë substanca psikoaktive të cilat veprojnë në tru duke shkaktuar efekte të ndryshme. Drogat të ndryshme, japin efekte të ndryshme.
Disa droga arrijnë të ngrisin gjendjen emocionale të njeriut (drogat stimulante), disa kanë veprim qetësues (drogat depresante) dhe disa i bëjnë të shohin gjëra dhe të dëgjojnë zëra të cilët realisht nuk ekzistojnë (drogat halucinogjene). Duhet të keni parasysh, që këto efekte pozitive janë të përkohshme dhe pas një kohe përcillen me pasoja të cilat mund të zgjasin për një kohë edhe pasi personi e ndërprenë përdorimin e drogës ose mbeten dëmtime të përhershme.

Përdorimi i drogave çrregullon funksionimin normal të trurit duke çrregulluar punën e neurotransmeterëve. Neurotransmeterët janë substanca kimike të trurit të cilat mundësojnë bartjen e informatave në tru dhe trupin tonë.

Kur personi përdor drogë, ai/ajo ka lejuar të “mësojë” trurin se drogat janë burim kryesor i kënaqësisë. Personi i varur nga drogat nuk ndien më kënaqësi nga jeta normale. Disa droga mund të shkaktojnë ndryshime në strukturën fizike të trurit. Këto dëmtime të trurit mund të ndikojnë në mënyrën se si ne sillemi dhe ndihemi me veten dhe botën që na rrethon.

Disa droga mund të ndryshojnë shumë shpejtë gjendjen emocionale –disponimin. Ju bëjnë të ndiheni të pikëlluar, të zemëruar ose te frikësoheni pa ndonjë arsye të qartë. Drogat mund t’ju bëjnë të silleni në mënyrë jo të zakonshme (të papërshtatshme). Ju mund të reagoni më shumë se që duhet ndaj situatave ose problemeve të jetës së përditshme. Ju mund te shihni gjëra ose dëgjoni zëra të cilët realisht nuk ekzistojnë (halucinacionet). Ju mund të mendoni se dikush dëshiron t’ju lëndojë (paranojat). Gjithashtu, ju mund të bëheni të dhunshëm-agresiv.

Përdorimi i drogave mund të dëmtojë aftësinë për të ndier kënaqësi ndaj gjërave. Kur ju bëheni të varur nga drogat, gjërat që ju bënin të ndiheshit mirë, psh takimi me shokë, shikimi i një filmi, leximi etj, nuk ju bëjnë më të ndiheni mirë si më parë. Zakonisht, ju mund të filloni të ndieni përsëri këto kënaqësi, pasi të ndërpreni përdorimin e drogave, por kjo kërkon kohë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat