Fillon zbatimi i Marrëveshjes Shqipëri – Kosovë në shëndetësi

Shëndetësia

Fillon zbatimi i Marrëveshjes Shqipëri – Kosovë në shëndetësi

Më: 25 janar 2015 Në ora: 15:29

Ka filluar të zbatohet marrëveshja për bashkëpunim për Kardiokirurgji, në mes të Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës dhe Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, pas operimit të suksesshëm të dy pacientëve në Klinikën e Tiranës, nga kardiologë të këtyre dy spitaleve.
Kjo është bërë e ditur nga një komunikatë për media të dërguar nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës, ku thuhet se ministri i saj, Imet Rrahmani, i shoqëruar nga Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë Qemajl Mingjozi, ka vizituar sot Klinikën e Kardiokirurgjisë me rastin e këtij operimi.
Ministri Rrahmani me këtë rast ka thënë se operimi i suksesshëm i dy pacientëve kosovar, është një hap i rëndësishëm për fillimin e implementimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit në mes QKUK-së dhe QSUT-së.
“Jemi të angazhuar maksimalisht që Kardiologjia Invazive dhe Klinika e Kardiokirurgjisë, të funksionalizohet sa më shpejt, ashtu që këto shërbime tu ofrohen qytetarëve tanë. Marrëveshja në mes dy Qendrave tona, luan rol të rëndësishëm në ofrimin e shërbimeve në Klinikën e Kardiokirurgjisë por, edhe në përcjelljen e përvojave tuaja profesionale tek kardiokirurgët e rinj kosovarë”, ka thënë ministri Rrahmani.
E ambasadori Mingjozi ka thënë se është shumë e rëndësishme ngritja e kapaciteteve profesionale kardiokirurgjike në QKUK.
“Përkrahja e Republikës së Shqipërisë nuk do të mungojë në asnjë rast aty ku shihet e nevojshme për shëndetësinë kosovare. Ne jemi të njoftuar për gjendjen momentale të kësaj klinike dhe natyrisht se në bazë të marrëveshjes që kemi, do të jemi bashkudhëtar në procesin e funksionalizimit së këtij shërbimi”, tha Ambasadori Mingjozi.
Ndërsa Edvin Prifti, Shef i Shërbimit të Kardiokirurgjisë në QSUT-së, tha se duke e pas parasysh se infrastruktura për shërbime të tilla në QKUK nuk mungon, me një përkushtim dhe bashkëpunim në mes dy Qendrave Spitalore, është lehtë e mundshme ngritja e kapaciteteve profesionale që do të mundësoj funksionalizimin e Klinikës së Kardiokirurgjisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat