Përse gratë po heqin dorë nga pilulat kontraceptive?

Shëndetësia

Përse gratë po heqin dorë nga pilulat kontraceptive?

Më: 24 janar 2015 Në ora: 22:36

Nëntëdhjetë e nëntë për qind e grave nga mosha 15 deri në 44 vjeç që kanë kryer marrëdhënie seksuale, kanë diçka të përbashkët. Ato kanë përdorur një nga llojet e kontraceptivëve. Dhe rreth 64 për qind zgjedhin kontraceptivët jo të përhershëm – kryesisht metodat hormonale: pilulat, bandazhin, injektimin, unazën vaginore, apo pajisjet më afatgjata në mitër.

Forma më popullore deri më tani është pilula. Në fakt, kërkimi sugjeron se mbi 80 për qind e grave amerikane që përdorin kontraceptivë zgjedhin pilulën.

Por, kërkimi gjithashtu këshillon se 30 për qind e tyre nuk e marrin më për shkak të efekteve anësore: lëkundjeve të humorit, periodave të parregullta, problemeve me peshën, humbjes së libidos, ose dhimbjes së gjoksit, sipas kërkimit të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Ndërsa hulumtimi nuk është përfundimtar, një studim i ri nga Danimarka tregoi një lidhje midis përdorimit të kontraceptivëve hormonalë te gratë e reja (veçanërisht afatgjatë) dhe një rreziku në rritje të një lloji të rrallë tumori në tru, të quajtur glioma.

Megjithatë, një vlerësim rrezik-përfitim do të anonte sërish nga kontraceptivët hormonalë për përdorueset e përshtatshme, sipas kërkuesit të studimit, dr. David Gaist, nga Universiteti i Danimarkës Jugore.

Efektet anësore

Laura Perry, një studente 26-vjeçare e terapisë alternative dhe njëkohësisht infermiere nga Danbury, ishte një prej atyre femrave. Ajo filloi përdorimin e pilulave në moshën 18-vjeçare prej çrregullimit të menstruacioneve.

“Isha shumë aktive gjatë viteve të para të periodave, gjinekologu im sugjeroi se kjo ishte dhe arsyeja për çrregullimin tim”, tregon ajo. Dhe ndërsa pilula ia rregulloi ciklin e menstruacioneve, ajo më vonë u përball me efekte të padëshirueshme.

“Lëvizjet e mia të humorit ishin shumë të hallakatura. Hyja në depresion dhe bëhesha shumë emocionale. Kisha shumë infeksione dhe fillova të kisha probleme me peshën. Ndryshova kompanitë e kontraceptivëve disa herë, por asgjë nuk ndryshoi, ose efektet përkeqësoheshin”, kujton Laura.

Shpejt, vajza iu kthye ‘vaksinës’ së parandalimit të shtatzënisë, me shpresën që një injeksion çdo muaj do t’ia lehtësonte dhimbjen.

Për fat të keq, me të nuk ndodhi kështu. “Asgjë nuk më kishte përgatitur për atë që do të më ndodhte pasi bëra gjilpërën”, thotë ajo. Menstruacionet nuk i ndalën për gjashtë muaj pas injektimit.

“Isha në depresion dhe prekesha më shpejt. Më kujtohet se qaja në makinë për shkak se një këngë në radio përsëritej tri herë në javë gjatë rrugës për në punë. Nivelet e mia të ankthit ishin jashtë kontrollit. Kisha simptomën e emocioneve të mbledhura para ardhjes së menstruacioneve gjatë gjithë kohës. Shtova 10 kilogramë në tre muaj edhe pse bëja vazhdimisht ushtrime dhe kisha një dietë të rregullt”.

Perry caktoi vizita me doktorët e saj për të parë se çfarë nuk shkonte. Ata i thanë se, ndonëse ishin ekstreme për nga natyra, efektet e saj anësore ndodhin rëndom.

Ajo vendosi të mos e bënte për të dytën herë injeksionin, ndërsa doktorët e nxitën të provonte përsëri pilulën, por ajo nuk mund ta bënte. “Trupi im kishte ndryshuar shumë që nga koha kur isha 18 vjeçe. Doja ta ktheja në ritmin natyral”, vëren Perry.

Kjo është një pikë e rëndësishme duke marrë parasysh se pilula mbyll ovulacionin, duke i bërë shumë gra të papërgjegjshme për ciklin natyror të trupit. Paige Fouler, një shkrimtare nga Çikago, e mësoi këtë pas shumë vështirësive. Kur ishte 29 vjeç, ajo la pilulën pasi vendosi bashkë me të shoqin të kishin një fëmijë. Ajo e kishte përdorur kontraceptivin që prej moshës 22-vjeçare.

“Kur lashë pilulën, nuk pata menstruacione për 41 ditë. Mësova se ciklet e mia ishin shpesh të gjata dhe të paparashikueshme”, thotë ajo. Ndërsa Fouler shprehet se nuk përjetoi efekte negative nga pilula, që i pastroi fytyrën, i hoqi dhimbjet e barkut dhe i mbajti ciklin të rregullt – ajo uron ta kishte lënë më parë.

“Do të doja ta kisha pasur më shumë ndjesinë e cikleve të mia, që në kohën kur përpiqesha të mbetesha shtatzënë të mund t’i bëja gjërat më mirë”, shpjegon ajo.

Ajo iu kthye mjeteve të parashikimit të ovulacionit, si pjesë e Planifikimit Natyral Familjar. Një formë kontrolli të lindjes që disa gra e përdorin për të shmangur opsionet hormonale. Nëse një femër është e ndërgjegjshme për proceset e veta biologjike si ovulacioni dhe temperatura bazë e trupit, atëherë ajo e kupton kur ka ovulacion dhe parandalon shtatzëninë.

Pilula është 99.9 për qind efektive nëse përdoret saktë, planifikimi natyral familjar është 40 për qind kur bëhet siç duhet. Shumë femra nuk mund të mbështeten te kjo e dyta për shkak të periodave të çrregullta.

Fouler e provoi vetë këtë kur nuk ia doli me mjetet parashikuese. Nga ana tjetër, pasi Perry la gjilpërën e kontrollit të lindjes, iu deshën tre muaj t’i ndalonin menstruacionet dhe dy vjet të stabilizohej trupi.

Aktualisht, të dyja vajzat kanë hequr dorë nga pilulat dhe u janë kthyer kondomëve. Pyesni mjekun tuaj për të kontrolluar më mirë dozën dhe kohën e përshtatshme për të marrë apo për të lënë pilulat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat