KUJDES- fishekzjarrët helmojnë atmosferën dhe njerëzit

Shëndetësia

KUJDES- fishekzjarrët helmojnë atmosferën dhe njerëzit

Nga: dr. Maja Remškar, dr. Agron Millaku Më: 22 dhjetor 2014 Në ora: 20:39

Të gjitha substancat që janë pjesë e produktit piroteknik, apo janë në funksion të rekcionit të tij e që lirohen në atmosferë janë seriozisht helmuese dhe të dëmshme për shëndetin tonë. Sipas një studimi të bërë në Slloveni gjatë festimit të 20 vjetorit të pavarësisë së vendit, vetëm në kryeqytet (Lubjanë), gjatë 5 minutave të ndezjeve së fishekzjarrëve, në atmosferë janë liruar 1.000.000.000.000.000 (një biliard) nano-grimca helmuese për njerëzit dhe mjedisin. Sikur të ishte e mundur që këto grimca të renditeshin në varg, ato do ta rrethonin planetin tonë dy herë e gjysmë.
Si duket fishekzjarrët dhe kapsollat shpërthyese janë bërë kudo pjesë e festave qofshin familjare, fetare apo shtetërore. Por, a kemi informacione të duhura për rrezikun shëndetësor që na kanoset dhe ndotjen e mjedisit nga këto mjete? Në Kosovë informacioni për toksicitetin e këtyre mjeteve është i vogël dhe si pasojë përdorimi i tyre gjithnjë e më shumë po rritet. Në Bashkimin Evropian ekziston legjislacion i mjaftueshëm për këtë problematikë, por ka edhe një tendencë ashpërsimi për përdorimin të mjeteve të tilla si rrjedhojë e argumenteve shqetësuese që vijnë nga hulumtimet shkencore.

Çka duhet të dimë për fishekzjarrët dhe kapsollat shpërthyese para se ato ti ndezim?

Fishekzjarrët janë të bukëra për syrin. Bukuria e ngjyrave të tyre gjatë ndezjes në prapavijën e zezë të qiellit të natës na mahnit. Por ne harrojmë faktin shqetësues se gjatë shpërthimit të tyre të gjitha substancat që janë pjesë e produktit piroteknik, apo janë në funksion të rekcionit të tij e që lirohen në atmosferë janë seriozisht helmuese dhe të dëmshme për shëndetin tonë.
Sipas një studimi të bërë në Slloveni gjatë festimit të 20 vjetorit të pavarësisë së vendit, vetëm në kryeqytet (Lubjanë), gjatë 5 minutave të ndezjeve të fishekzjarrëve, në atmosferë janë liruar 1.000.000.000.000.000 (një biliard) nano-grimca helmuese për njerëzit dhe mjedisin. Analizat treguan prezencën në ajër të nanogrimcave të: fosforit, kaliumit, plumbit, magnezit, aluminit, silicit, hekurit, bakrit, kalciumit, molibdenit dhe natriumit. Sikur të ishte e mundur që këto grimca të renditeshin në varg, ato do ta rrethonin planetin tonë dy herë e gjysmë. Shumë nga këto nano-grimca absorbohen nga ajri e më vonë thithen nga organizmat e gjallë e disa përfundojnë në mjedisin e njeriut si ujë, tokë e që më vonë hyjnë në zinxhirin ushqyes të njeriut dhe shkaktojnë pasoja të mëdha. Ky fakt tregon se deri ku mund të arrij helmimi i atmosferës me mjete piroteknike gjatë festimit të festave të ndryshme e sidomos atyre të fundvitit.

Çka janë nano-grimcat në të vërtet?

Nano-grimcat janë grimca të imta më të vogla se 100 nanometra (nm) të cilat janë pjesë e materialeve të ndryshme. Nano-grimcat në përgjithësi ndahen në tri grupe sipas origjinës së tyre apo arsyes së prodhimit: në inxhinierike, natyrore dhe të prodhuara jo qëllimisht.
Ato lirohen gjatë proceseve të ndryshme por edhe gjatë djegies së mjeteve piroteknike. Nano-grimcat që lirohen gjatë djegies së fishekzjarrëve janë me dimension prej 20-200 nanometra. Ato përcillen dhe udhëtojnë përmes ajrit duke u përplasur njëra me tjetrën si dhe me molekulat e ajrit, duke arritur kështu në të gjitha skajet e hapësirës së mjedisit tonë. Lëvizshmëria e nano-grimcave gjithashtu varet nga forma e tyre dhe shkalla e grumbullimit. Ato hyjnë në organizmin tonë përmes rrugëve të ndryshme si: frymëmarrjes, lëkurës, ushqimit. Grimcat e mëdha me madhësi prej më shumë se 100 nm, ndalen në traktin e sipërm respirator, ndërsa ato më të vogla se 50 nm arrijnë në gypat e vogël bronkial dhe alveole, prej ku mund të vijnë direkt në qarkullimin e gjakut, i cili më pas i shpërndan në të gjithë trupin.
Çfarë thonë hulumtimet?

Për pasojat dhe efektin negativ për njeriun dhe mjedisin nga nano-grimcat e liruara gjatë djegies së mjeteve piroteknike por edhe nga industria, po bëhen hulumtime shkencore nga fusha të ndryshme. Hulumtimet shkencore të viteve të fundit kanë treguar se këto nano-grimca janë shumë reaktive, ndikojnë direkt tek njerëzit e ekspozuar në ajrin e ndotur me ç'rast kemi dëmtim të sistemit të organeve të frymëmarrjes, qarkullimit të gjakut por edhe të tërë organizmit.
Hulumtimet kanë treguar se hyrja e nano-grimcave në tru dhe embrion nëpërmjet barrierave nga qarkullimi i gjakut është me siguri një nga skenarët më të tmerrshëm dhe me pasoja për individin. Rritja përqendrimit të sëmundjeve degjeneruese neurologjike në mjediset e ndotura me nivele të larta të pluhurit në atmosferë tregojnë mundësinë e ndikimit të këtyre nano-grimcave për zhvillimin e sëmundjeve të caktuara.
Po ashtu vlen të cekim se disa rezultate tregojnë se nano-grimcat e hekurit i cili është substance përbërëse e fishekzjarrëve është toksik për qelizat nervore dhe ndikon në aftësinë e tyre për të transmetuar sinjale. Nano-grimcat e disa materialeve që përdoren në fishekzjarrë dhe kapsolla ndezëse zvogëlojnë numrin e makrofagëve dhe fagocitozën e qelizave, proces gjatë të cilit qelizat (makrofagët) i hanë grimcat e huaja që janë futur në organizmin e njeriut dhe i degradojnë ato. Dhe nëse mendoni që pas festave, një shëtitje në pyll me ajër të pastër do të ju pastrojë nga kjo, e keni gabim! Organizmit të ekspozuar nga kjo ndotje i duhen së paku 6 muaj qëndrim në pyll për tu "pastruar" nga këto nano-grimca, prandaj është koha të mendojmë mirë se çfarë kënaqësie po kërkojmë për ne dhe fëmijët tanë.
Shumë të rrezikshme për fëmijët janë fishekzjarrët dhe qirinjtë që përdoren mbi tortat festive të ditëlindjeve. Pas shkrepjes së fishekzjarrëve të tilla në ajrin rrethues do të kemi mbi një milion nano-grimca në 1cm3. Mendoni se çfarë dëmi po i shkaktoni shëndetit të fëmijës tuaj? Organet, të cilët janë më të prekur nga hyrja e nano-grimcave janë: mëlçia, shpretka, zemra, veshkat dhe nyjet limfatike. Nano-grimcat e disa materialeve si silicit, zinkut që përdoren në mjetet piroteknike mund të jenë shkaku i disa sëmundjeve që lidhen me sistemin e qarkullimit të gjakut, dhe janë helmues për qelizat.

Cila është gjendja në Kosovë ?

Sipas disa raporteve Kosova eksportohen qindra-mijëra kilogram mjete piroteknike dhe ndotja që vije si pasojë e djegies së tyre është tejet shqetësuese. Kjo ndotje nuk monitorohet, pasi që Kosova nuk posedon pajisje të tillë (detektor për nano-grimca) për matje, e qytetarët nuk janë mirë të informuar për helmimin me nano-grimca që vijnë nga mjetet piroteknike. E festa dhe euforia pa kufi vazhdon. Këto mjete marrin jeta njerëzish në mënyrë direkte si pasoj përdorimit joadekuat dhe indirekte si pasojë e helmimit vdekjeprurës të qelizave, dobësimin dhe sëmundjen e organizmit, i cili pason më vonë. Nëse kësaj i shtojmë edhe dëmin ekonomik-humbjen e miliona eurove, zhurmën si ndotje të mjedisit, plagosjet e njerëzve dhe shqetësimin e shtazëve të egra, atëherë urgjentisht duhet të kërkojmë masa mbrojtëse dhe ndryshimin e kësaj gjendjeje.
Pyetjes se: a ekziston lidhshmëri mes rritjes së numrit të sëmundjeve dhe vdekshmërisë së lartë nga disa sëmundje në Kosovë si pasojë e rritjes së ndotjes së mjedisit jetësor nga materiet e rrezikshme të cilat lirohen nga industria, automjetet dhe përdorimi i mjeteve piroteknike, duhet ti japin përgjigje hulumtuesit shkencor me hulumtime dhe argumente, por fatkeqësisht në Kosovë nuk kemi hulumtime të kësaj natyre. Ngritja e vetëdijes së qytetarëve për rrezikun nga mjetet piroteknike duhet të jetë prioritet i institucioneve përgjegjëse për shëndetin e njerëzve dhe mjedisin. Ndotja e mjedisit nuk është vetëm pasojë e luftës së kaluar, industrisë së vjetruar, djegies së derivateve por edhe e mungesës se kujdesit njerëzor dhe institucional për një mjedis të pastër të cilin ne "qytetarët modern", po e helmojmë deri në vdekje. Është koha të mendojmë dhe festojmë ndryshe, të na udhëheq arsyeja për një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm për fëmijët tanë dhe jo teket dhe qejfet tona.

(Autorët e tekstit janë hulumtues shkencor nga Sllovenia)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat