Obeziteti, si aftësi e kufizuar

Shëndetësia

Obeziteti, si aftësi e kufizuar

Më: 19 dhjetor 2014 Në ora: 00:43

Mbipesha, në disa rrethana të caktuara, mund të konsiderohet mungesë e aftësisë për të punuar. Gjykata Europiane e Drejtësisë ka dalë në këtë përfundim, pas shqyrtimit të rastit të një kujdestari fëmijësh në Danimarkë, i cili u pezullua vetëm pse ishte tepër i shëndoshë.

Sipas saj, obeziteti mund të pengojë “pjesëmarrjen e plotë dhe efektive” në punë, ndaj dhe vlen të llogaritet si paaftësi për të kryer siç duhet detyrat e ngarkuara. Vendimi sqaron se obeziteti në vetvete nuk nënkupton paaftësi, por nëse një person ka probleme të vazhdueshme për shkak të peshës, atëhere mund të mbrohet me legjislacionin përkatës.

Kujdestari i pushuar nga puna, Karsten Kaltoft, peshonte rreth 160kg. Ishte ai, që hodhi në gjyq personat që e punësuan për 15 vjet. Arsyeja zyrtare e pezullimit të tij ishte ulja e numrit të fëmijëve, çka e bënte të panevojshme praninë e Kaltoftit. Por, ai vetë këmbëngul se e larguan për shkak të mbipeshës, ndërsa më herët ka mohuar raportet se ishte aq i shëndoshë, sa nuk ulej dot për t’i lidhur të vegjëlve këpucët.

“Unë mund të ulem në tokë, të luaj me fëmijët, nuk e kam aspak problem. Nuk e shoh veten si person të paaftë për punë. Nuk është e drejtë të pushosh dikë, sepse është i shëndoshë, kur ai punon njësoj si të tjerët”, thotë Kaltoft.

Pa mundur ta zgjidhin vetë çështjen, gjykatat daneze i kërkuan Gjykates Europiane të Drejtësisë ta sqaronte përfundimisht, nëse obeziteti mund të cilësohet mungesë aftësie për të punuar. Vendimi i saj është detyrues për të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat