Sindromi premenstrual/ Gjendja që shton ankthin dhe tensionin tek femrat

Shëndetësia

Sindromi premenstrual/ Gjendja që shton ankthin dhe tensionin tek femrat

Më: 18 dhjetor 2014 Në ora: 15:27

Ndryshimi i shpeshtë i gjendjes së humorit, shtimi i stresit, ankthit dhe pakënaqësive janë ndër gjendjet më të shpeshta me të cilat përballen në përditshmërinë e tyre femrat. Simptoma të cilat bëhen edhe më të dukshme në prag të ciklit menstrual. Përsëritja e tyre e vazhdueshme vjen si shkak i pranisë së sindromit premenstrual, i cili shfaqet më së shumti në moshat 20-35 vjeçare. Sindromi premenstrual, i quajtur ndryshe edhe tensioni premenstrual, është një koleksion simptomash emocionale, i shoqëruar ose jo me simptoma fizike të lidhura me ciklin menstrual të gruas (periodat e përmuajshme). Këto shenja ndryshojnë nga personi në person, pra, janë individuale për çdo grua. Mjekja, Ilda Xhelili shprehet për gazetën Dita se zakonisht këto luhatje ndodhin tri deri në dhjetë ditë përpara periudhës menstruale dhe zhduken, pak përpara, ose menjëherë pas fillimit të rrjedhës menstruale. Rreth 2 për qind e grave përjetojnë simptoma të rëndësishme premenstruale në krahasim me shqetësimet normale të lidhura me menstruacionet e grave të shëndetshme. Këto çrregullime janë kalimtare dhe ciklike, pra që përsëriten çdo muaj. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, deri në vitin 2010, gratë që vuajnë nga sindromi premenstrual, përbënin rreth 5.7 për qind të popullsisë femërore, ndërsa rreth 80 për qind kanë përjetuar rreth tre ose katër situata të rëndësishme të simptomave premenstruale.

Cilat janë shenjat më të shpeshta klinike që shoqërojnë tensionin premenstrual?

Numërohen më shumë se dyqind simptoma që shoqërojnë këtë çrregullim, por ato që janë pothuajse të pranishme në të gjitha situatat janë: nervozizmi, tensioni dhe pakënaqësia. Simptomat e përbashkëta emocionale dhe jospecifike përfshijnë stresin, ankthin, pagjumësinë, dhimbje koke, lodhje, çrregullime të humorit, rritjen e ndjeshmërisë emocionale dhe ndryshimet në dëshirën seksuale. Ndër simptomat fizike të lidhura me ciklin menstrual, përmendim: gjakderdhjen në sasira të ndryshme, dhimbje barku, dhimbje muskujsh dhe kockash, dhimbje koke, dhimbje gjoksi, si edhe aknet ciklike (puçrrat e infektuara që dalin kryesisht në fytyrë dhe përsëriten përpara çdo cikli menstrual. Simptomat e sakta dhe intensiteti i tyre ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme nga grua në grua dhe madje, ndryshojnë disi edhe nga cikli në cikël. Shumica e grave me përvojë premenstruale përjetojnë vetëm disa nga simptomat e mundshme dhe në një model relativisht të parashikueshëm. Çdo grua ka zakonisht modelin e vet të simptomave personale. Ndërsa një grua mund të jetë e shqetësuar dhe e tensionuar, një tjetër grua mund të zhytet në depresion dhe lotë për dy ditë të plota përpara çdo cikli dhe një tjetër grua mund të inatoset lehtë edhe për probleme të vogla që shfaqen në jetën e përditshme.

Cilët janë shkaktarët më të shpeshtë të kësaj gjendje?

Shkaqet e sakta të çrregullimeve premenstruale nuk është se janë të sqaruara plotësisht. Studimet hormonale kanë rezultuar se gjatë kësaj faze të ciklit, nuk është se ka çrregullime hormonale të rëndësishme. Matjet e nivelit të hormoneve seksuale janë brenda niveleve normale. Studimet nxjerrin në pah mundësinë e ndonjë komponenti gjenetik. Faktorë mjaft të rëndësishëm konsiderohen edhe streset e përditshme që ngarkojnë jetën emocionale të gruas, si edhe lodhjet e tepërta fizike, jashtë mundësive të organizmit të saj.

Si ndikon stili i jetesës dhe mënyra e të ushqyerit në shfaqjen e këtyre crregullimeve emocionale ?

Sigurisht që stili i jetesës ndikon. Konkretisht, si faktorë të tjerë risku përmendim: konsumin e lartë të kafeinës (gratë që pinë shumë kafe ose koka-kola gjatë ditës), rritja e moshës, historitë e depresionit, historitë familjare, faktorët dietetikë (nivelet e ulëta të vitaminave dhe mineraleve të caktuara, veçanërisht magnezi, mangani, zinku, vitamina E, vitamina B6 dhe, gjithashtu, vitamina D). Prandaj gratë që iu nënshtrohen dietave drastike kanë risk më të lartë për të vuajtur nga tensioni premenstrual.

Si menaxhohen çrregullimet gjatë kësaj periudhe?

Shumë trajtime janë rekomanduar për këto çrregullime, duke përfshirë dieta të ndryshme, ndryshime në stilin e jetesës, apo edhe terapi hormonale. Lidhur me terapinë hormonale, e theksoj me forcë se duhen ndërmarrë vetëm me rekomandimin e mjekut specialist gjinekolog. Ai bën rekomandimin e duhur vetëm në bazë të ekzaminimeve fizike dhe laboratorike personale. Asnjëherë nuk duhen blerë vetë në farmaci këto preparate sepse mund të gjendemi përballë situatash të papëlqyeshme.

Përdorimi i preparateve qetësuese

Kur simptomat janë të lehta mund të përdoren qetësues të ndryshëm për dhimbjet e kokës, të barkut, të muskujve, të kockave, si për shembull, paracetamoli, ponstani apo ibuprofeni. Edhe në këtë rast është mirë që të këshilloheni me mjekun tuaj të familjes, pasi ai njeh mirë historitë e sëmundjeve tuaja. Për shembull, gratë që vuajnë nga tensioni i lartë nuk duhet të përdorin ibuprofen pasi ai çon në rritjen e mëtejshme të parametrave të tij.

Përdorimi i vitaminave dhe mineraleve i domosdoshëm

Studimet kanë treguar se përdorimi i vitaminave dhe kripërave minerale që përmendëm më sipër, kanë çuar në përmirësimin e këtyre çrregullimeve. Këto elemente duhen të përdoren në nivelet e suplementeve dhe jo në doza të larta të mirëfillta terapeutike. Suplemente të tilla gjenden kryesisht tek multivitaminat të cilat janë një përzierje komplekse e vitaminave të ndryshme dhe kripërave minerale. Prandaj, edhe për këto, është mirë të këshilloheni me mjekun tuaj të familjes, i cili do t’ju japë ndihmën e duhur ose do t’ju drejtojë tek mjeku specialist. KonMjeku i familjes luan një rol të rëndësishëm edhe për këshillimin informativ që është pjesë e rëndësishme e terapisë mbështetëse dhe vlerësuese, në përpjekje për të ndihmuar një grua të rimarrë kontrollin mbi jetën e saj.

Ushqimet e duhura dhe aktiviteti fizik

Po ashtu, ka rëndësi të mëdha ushqyerja e shëndetshme me sa më pak kafeinë, sheqerna, brumëra dhe sa më shumë fibra ushqimore, fruta dhe perime të freskëta. Gjithashtu, rekomandohet të bëhen orët e plota të gjumit të natës (shtatë deri në tetë orë në natë), i cili do t’ju japë energjinë e nevojshme për përballimin e aktiviteteve të ditës. Pozitive kanë rezultuar edhe aktivitetet fizike, sidomos ushtrimet aerobike që reduktojnë ndjeshëm çrregullimet e kësaj periudhe. Nuk mund të lemë pa përmendur si mjaft pozitive mbështetjen emocionale që duhet t’ju japin bashkëshortët grave të tyre, apo edhe familjarët e tjerë. Prandaj është pjesë e kulturës së përgjithshme informacioni për këtë situatë nga të gjithë, si meshkujt ashtu edhe femrat. Sigurisht që gratë të cilat përjetojnë situata të rënda të këtyre simptomave, kërkojnë ndjekjen e vazhdueshme nga mjeku.

Menaxhimi i sëmundjes

Sindromi premenstrual përgjithësisht është i menaxhueshëm. Trajtimi i simptomave të veçanta kontrollohet mjaft mirë nga mjekët. Edhe pa trajtim, simptomat kanë një tendencë për t’u ulur në gratë që i afrohen menopauzës dhe në shumicën e rasteve, zhduken kur gruaja hyn në menopauze.

Duhet t’i thoni jo terapisë hormonale të marrë vetë në farmaci

Lidhur me terapinë hormonale, e theksohet me forcë se duhen ndërmarrë vetëm me rekomandimin e mjekut specialist gjinekolog. Ai bën rekomandimin e duhur vetëm në bazë të ekzaminimeve fizike dhe laboratorike personale. Asnjëherë nuk duhen blerë vetë në farmaci këto preparate sepse mund të gjendemi përballë situatash të papëlqyeshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat