Duhanpirja pasive ju shëndosh

Shëndetësia

Duhanpirja pasive ju shëndosh

Më: 21 nëntor 2014 Në ora: 23:05

Duhanpirja, sidomos ajo pasive, ju shëndosh. Idenë e përhapur se, prirja e duhanit ndihmon në dobësim, e ka hedhur poshtë një studim i Universitetit Brighman Young i qytetit Salt Lake, që është publikuar në gazetën amerikane të psikologjisë “Endocrinology and Metabolism”.

“Kushdo që jeton me një duhanpirës, i kanoset një rrezik i madh problemesh kardiovaskulare dhe metabolike”, shpjegon Benjamin Bikman, autori i studimit. Vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjysma e popullsisë i ekspozohet të paktën një herë në ditë duhanprirjes pasive dhe rreth 20 për qind e fëmijëve jeton me dikë që e pi duhanin në shtëpi.

Ndërkaq, çdo ditë, pothuajse katër mijë të rritur fillojnë të pinë cigaren e parë dhe një mijë të tjerë bëhen duhanpirës të rregullt.

Rezistentë ndaj insulinës

Në këtë studim, hulumtuesit patën për qëllim që të analizonin te minjtë lidhjen mes duhanit dhe funksionit metabolik. Ndërsa në veçanti, të gjenin mekanizmin për të cilin duhanpirësit bëhen rezistentë ndaj insulinës. Duke i ekspozuar kafshët në pirjen e duhanit pasiv, studiuesit vunë re se ata u shëndoshën.

Në fakt, duhani i “shtyn” disa molekula të vogla të lipideve, ceramidet, që të ndryshojnë mitokondritë e qelizave. Në këtë mënyrë, funksionimi normal i qelizave shkatërrohet, ndërsa aftësia e tyre për t’iu përgjigjur insulinës, ulet së tepërmi.

“Në mesin e përgjigjeve të duhanpirjes pasive të organizmit tonë, studimi ynë ka treguar se, ndryshimi i ndjeshmërisë ndaj insulinës është shumë mbizotërues. Sapo kjo e fundit fillon të rritet, ne fillojmë të shëndoshemi”, ka shtuar më tej Bikman.

Çelësi i eliminimit të efekteve negative

Studiuesit vunë re se duke i trajtuar minjtë me substancën e mioriocinës, ata nuk shtonin peshë dhe as nuk shfaqnin probleme me metabolizmin. Tashmë studiuesit po përpiqen që të shpikin një “frenues” të sigurt të ceramideve për njerëzit, në mënyrë që t’i mbrojnë ata nga duhanpirja pasive.

Si ndikon pirja pasive e duhanit te ju?

Tymi i cigareve përmban më shumë se 4000 substanca kimike, duke përfshirë monoksidin e karbonit, amoniakun e arsenikun. Nëse keni astmë, ekspozimi ndaj tymit të duhanit të të tjerëve (tymi i duhanit në mjedise) mund të shkaktojë një atak në astmë dhe kjo mund të rrisë numrin e atakëve që ju mund të keni.

Po kështu, nëse njerëzit pinë duhan rreth jush, kjo mund të rrisë ndjeshmërinë e mushkërive tuaja për shkaktimin e astmëve të tjera, siç është poleni ose pluhuri i merimangave. Gjithashtu pirja pasive e duhanit mund të zvogëlojë funksionin tuaj të mushkërive, nëse ju keni astmë.

Pirja pasive e duhanit lidhet edhe me kancerin e mushkërive, kushtet e zemrës dhe sëmundjet e frymëmarrjes së ulët.

Si ndikon te fëmijët tuaj?

Nëse pini duhan gjatë shtatzënisë, ju rrisni rrezikun që fëmija juaj të ketë probleme me mushkëritë. Pirja pasive e duhanit është një faktor i rëndësishëm në zhvillimin e astmës gjatë fëmijërisë. Ekspozimi ndaj duhanpirjes pasive mund të shkaktojë astmë te fëmijët, të cilët janë tashmë të predispozuar gjenetikisht për këtë gjendje.

Ndërkohë, ata kanë më shumë mundësi të vuajnë nga infeksionet e veshit, infeksionet serioze të gjoksit, astmës dhe kollitjes, nëse ju jeni një duhanpirës. Së fundmi, fëmijët me astmë që ekspozohen më tepër në mjedise me tym duhani, duan më shumë kohë për t’u shëruar nga simptoma të astmës sesa ata që nuk ekspozohen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat