Kanabisi si mundësi mjekimi

Shëndetësia

Kanabisi si mundësi mjekimi

Më: 21 nëntor 2014 Në ora: 17:03

Për disa njerëz marijuana shihet si mundësi relaksi, frymëzimi madje dhe kriminaliteti por për shumë të tjerë shihet si mundësia e vetme për t’iu larguar dhimbjes dhe shumë problemeve mjekësore. Eshtë tashmë e provuar se marijuana mund të lehtësojë dhimbjet për shumë sëmundje që kanë lidhje me sistemin nervor, mund të përmirësojë metabolizmin mund të trajtojë diabetin si dhe së fundmi edhe epilepsinë.
Prej afro dhjetë vitesh debati për legalizimin e marijuanës në mënyrë që t’i hapet rrugë zhvillimit të kërkimeve shkencore ka qenë një nga temat kryesore në shumë shtete të zhvilluara. Disa vende kanë vazhduar të mbeten nën kompleksitetin e kësaj bime ndërsa të tjera kanë ecur përpara duke strukturuar legjislacionin në të tillë mënyrë që t’i hapet rruga jo vetëm kërkimit shkencor por edhe prodhimit farmaceutik të medikamenteve me bazë bimën e kanabis-sativës.

Një nga këto vende që ka bërë përpara është Mbretëria e Bashkuar e cila që prej pesë vitesh i ka mundësuar një kompanie farmaceutike që të kultivojë afro 20 tonë kanabis në mënyrë, që jo vetëm të kryejë kërkimet e saja shkencore, por edhe të prodhojë medikamente. Sikurse raporton prestigjiozja britanike “The Telegraph” baza e kultivimit mbahet e fshehtë dhe nën masa të rrepta sigurie çka nuk lejon asnjë keq-përdorim të kanabis-sativës për qëllime të tjera.

Kompania në fjalë quhet “GW Pharmaceuticals PLC” dhe ka tashmë një produkt në treg me bazë “cannabinoid”-in, një element që nxirret nga përpunimi i “cannabidiol”-it nga bima e kanabis-sativës dhe që është përgjegjës për efektet që kjo bimë shkakton kur ajo tymoset. Produkti kryesor i kësaj kompanie quhet “Sativex”, një spraj që trajton simptomat e sklerozës së shumëfishtë, dhimbjet e shkaktuara nga kanceri si dhe dhimbjet neuropatike.

“Sativex” aktualisht tregtohet në 27 shtete. Ai merret nëpërmjet sprucimit nën gjuhë dhe shihet si një medikament me potenciale të më dha për të trajtuar dhimbjet në fazat e avancuara të kancerit. “Sativex” nuk blihet rëndomtë nëpër farmacitë e këtyre vendeve por vetëm nëpërmjet një rekomandimi nga një doktor. Ndër vendet që e kanë futur në tregun e tyre mund të përmendim Gjermaninë, Danimarkën dhe Spanjën.

Ndërkohë kërkimet shkencore të kompanisë britanike kanë çuar së fundmi në disa rezultate që po tregojnë të dhëna premtuese në trajtimin e epilepsisë me medikamente që kanë bazë “cannabinoid”-in. Kështu medikamenti më i ri që është në plan që të hidhet në treg brenda vitit 2016-të, quhet “Epidiolex”. Ky medikament sipas Justin Gover-it, Drejtorit Ekzekutiv, pritet të japë më shumë mundësi trajtimi për epilepsinë.

Në një kohë kur të sëmurët nuk njohin kufi, kufiri duket të jetë vetëm për mjekësinë që po vazhdon në shumë vende, përfshirë edhe vendin tonë, të hasë në hendekun ligjor që nuk ia lejon aksesin në të studiuar e as në të tregtuar medikamenteve me bazë kanabis-sativën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat