Gripi dhe ftohja: Këshilla për t’i parandaluar dhe për t’i kuruar

Shëndetësia

Gripi dhe ftohja: Këshilla për t’i parandaluar dhe për t’i kuruar

Më: 22 tetor 2014 Në ora: 17:45

Ai përcaktohet si e keqja dimërore! Po flasim për të bezdisurin grip, i cili çdo vit çon në shtrat miliona fëmijë dhe të rritur. Kolla, ethet, temperatura e lartë, dhembja e të gjithë muskujve… këto janë simptomat që pothuajse të gjithë i kemi provuar kur jemi prekur nga gripi, e prej të cilit jemi detyruar madje edhe të bëjmë pushim të detyruar për disa ditë.

Ekspertët këshillojnë disa masa për të shmangur prekjen nga gripi…

Shmangni udhëtimet me avion

Për të shmangur sa më shumë “kontaktet” me gripin, do të ishte mirë që të mos udhëtonit me avion. Studiuesit e spitalit “Luke’s–Roosevelt” në Nju Jork, thonë se udhëtimi në dimër me avion, mund të rrisë incidencën e gripit, përderisa ekziston mundësia për t’u ulur pranë një personi të sëmurë, i cili, nëse teshtin apo kollitet, mund të “ndosë” ajrin me mikrobe që mund të përhapen në të gjithë avionin. Megjithatë, nëse nuk mund ta anuloni një udhëtim me avion, këshilla është që të pini shumë ujë dhe të vini një maskë mbrojtëse për të thithur ajër të pastër!

Furça dhe shkëlqyesi i dhëmbëve nuk ju infektojnë sërish

Nëse keni qenë të sëmurë, është shumë e vështirë që furça e dhëmbëve dhe shkëlqyesi i tyre të mund t’ju infektojnë sërish. Ekspertët e shkollës së mjekësisë “Mount Sinai” në Nju Jork, thonë se nuk është e mundur që të sëmureni sërish nga i njëjti virus.

Bëni kujdes ndaj bravave të dyerve

A mund të infektoheni nga bravat e dyerve? Po, sepse mikrobet janë shumë rezistente dhe mund të qëndrojnë aktive më shumë se tri ditë në sipërfaqet dhe objektet e pajeta. Ndaj, ideale do të ishte që të reduktoni në minimum kontaktet me objektet dhe sipërfaqet e përdorimit të zakonshëm, përveçse t’i dezinfektoni. Për shembull, telefoni duhet të “pastrohet” një herë në javë, me një produkt specifik me bazë klori.

Nuk mund të sëmureni dy herë po nga i njëjti virus

Është e vërtetë se mund të sëmureni me grip edhe më shumë se dy herë gjatë sezonit të dimrit, por është e sigurt se ju nuk prekeni nga i njëjti virus, përderisa organizmi zhvillon antitrupa. Mesa duket virusi i gripit dhe ai paragripit kanë tendencë që të shndërrohen dhe format virale janë gjithmonë të ndryshme nga njëra-tjetra.

Kufizoni aktivitetin fizik

Disa persona të prekur nga gripi, por pa temperaturë, mund të ushtrohen fizikisht. Por a është e drejtë kjo gjë? Ekspertët thonë: “Nëse simptomat janë të lokalizuara lart qafës (dhembje fyti dhe koke) mund të bëni ushtrime fizike, por nëse keni dhembje muskulare dhe ethe, atëherë është më mirë që të pushoni”.

Thajini mirë flokët përpara se të dilni në të ftohtë

Shkaktari që mund t’ju sëmurë me grip nuk është i ftohti, por kontakti me një virus. Por nëse i impononi trupit temperatura të ulëta, atëherë rrezikoni të sëmureni më lehtë me ftohje ose grip. Ndaj, pasi të bëni dush dhe përpara se të dilni nga shtëpia, thajini mirë flokët dhe vishuni trashë.

Larja e mirë e duarve ndihmon në parandalim

Një studim amerikan paralajmëron se: një dorë e palarë mund të infektojë 180 persona në 24 orë, duke shkaktuar ftohje, grip, diarre, infeksion të lëkurës etj.

Sa zgjat gripi?

Gripi te një i rritur mund të zgjasë nga tre në shtatë ditë pas fillimit të sëmundjes. Ndërsa fëmijët janë më të dobët ndaj tij dhe periudha e zgjatjes ndryshon nga imuniteti i secilit.

A mund ta ushqejnë me gji fëmijën e tyre nënat e sëmura me grip?

Virusi i gripit përhapet në të gjithë organizmin, ai është i pranishëm edhe në qumështin e nënës, pavarësisht antitrupave. Megjithatë, kontakti me gripin merret më shumë nëpërmjet ajrit, ndaj për të mos e sëmurë edhe fëmijën me grip, është e këshillueshme që gjatë ushqyerjes me gji, të vendosni një garzë sterile mbrojtëse, e cila ju mbulon gojën dhe hundën.

A mund të vaksinoheni pasi keni qenë sëmurë?

Ekspertët e shëndetësisë kanë konfirmuar se edhe pasi të keni kaluar një gjendje gripale, mund të vaksinoheni. Në këtë mënyrë, rritet reagimi i shkaktuar nga i njëjti vaksinim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat