Mamografia lëvizëse, e gatshme në tetor

Shëndetësia

Mamografia lëvizëse, e gatshme në tetor

Më: 16 shtator 2014 Në ora: 09:02

Brenda vitit 2013 janë diagnostifikuar mbi 200 raste të reja me sëmundjen e kancerit në gji.

Diagnostifikimi i hershëm i sëmundjes së kancerit të gjirit do të ketë trajtim më të lehtë dhe më të shpejtë të sëmundjes, shprehet Nafije Latifi, drejtoreshë e organizatës joqeveritare “Jeta Vita”. Ajo, duke parë kushtet e rënda dhe rrezikun që po u kanoset grave nga kjo sëmundje, vite më parë, ishte angazhuar për një mamografi mobile, por në pamundësi financiare iniciativa e saj kishte mbetur aty ku kishte filluar. Mirëpo, gratë deputete të Kuvendit të Kosovës, me seriozitet e vazhduan këtë iniciativë, dhe më në fund - mamografia mobile është siguruar dhe promovimi i saj do të bëhet në tetor të këtij viti.

“Pas përballjes më këtë sëmundje që nga viti 2004, do të thotë pas një këndellje që më nevojitej, pas trajtimeve mjaft të vështira që i kisha, fillova të mendoj: çka bëjnë gratë e tjera të cilat nuk i kanë mundësitë e mia dhe duhet të përballen me diagnostikim, me trajtime të shumta të gjata, të kushtueshme. Kështu - më shkoi mendja që të gjejë një formë që të takohem me këto gra, të bisedojë me to, për aq sa mundem dhe si mundem t’ju ndihmojë atyre”, thotë Latifi

Albulena Haxhiu, deputete nga Lëvizja “Vetëvendosje” bënë të ditur për Radio Kosovën se pas dy vite angazhim - me në fund - u siguruan mjete të mjaftueshme për mamografinë lëvizëse.


“Mamografia ka arritur në Kosovë. Më duhet të them që afër 250 mijë euro ka bërë një mamografi e tillë dhe jemi takuar me deputetet e legjislaturës së katërt dhe jemi dakorduar që të nisim tash fushatat e vetëdijesimit, në mënyrë që edhe gratë në zonat rurale dhe ato në zonat urbane, të jenë në njohuri që ekziston tani një mamografi e tillë”, tha deputetja Haxhiu.
Por cilat janë moshat më të prekura me kancer të gjirit?

Frederik Quperjani, kirurg torakal, thotë:
“Moshat më të shtyra janë më të prekura, por gjithherë e më shumë, por çdo vit e më tepër, kanceri i gjirit paraqitet edhe në moshat me të reja. Kemi mjaft raste kur paraqitet në moshat 20- vjeçare,por kryesisht paraqitet pak në moshat më të shtyra”, thotë Quperjani.
Meqenëse kanceri nuk parandalohet por mund të zbulohet me kohë, sigurimi i kësaj mamografije e ka rëndësinë e veçantë, me qëllim të ruajtjes së shëndetit të grave, tha Nafije Latifi nga organizata “Jeta Vita”

“Suksesi më i madh i çdo gruaje, i çdo njeriu që atakohet me kancer, është zbulimi hershëm, sepse atëherë trajtimi është më i lehtë dhe mbijetesa është me e gjatë dhe më kualitative”, shton Nafije Latifi.
Deputetja e “Vetëvendosjes”, Albulena Haxhiu, tha për Radio Kosovën, se tani çdo gjë është gati dhe në tetor do të bëhet përurimi i mamografisë lëvizëse. Ajo tha se është trajnuar edhe ekipi mjekësor i cili do të fillojë punën në trevat e Kosovës dhe të gjitha shërbimet do të jenë falas.

Ndryshe, edhe disa klinika private në Prishtinë, gjatë tërë muajit tetor, do të ofrojnë shërbime falas për diagnostifikim të gjirit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat