Kujdesi për regjimin ushqimor

Shëndetësia

Kujdesi për regjimin ushqimor

Më: 2 shtator 2014 Në ora: 22:56

Kujdes maksimal gjatë ditëve të nxehta duhet bërë edhe me regjimin ushqimor. Specialistët e shëndetit publik rekomandojnë të konsumohen vakte me ushqime të freskëta dhe shumë të tretshme, sepse ato ndihmojnë trupin të përballojë më mirë këtë periudhë të stresit të metabolizmit.

Rritja e djersitjes, në fakt, mund të shkaktojë mangësi të vitaminave, mineraleve, e mikroelementeve që shtojnë përkeqësimin e lodhjes së përgjithshme. Ndaj duhet bërë kujdes me dietat e varfra me elemente ushqyes apo me pak kalori para se të shkohet në plazh, pasi ato ndikojnë negativisht në lëkurë, flokë e thonj, duke i bërë ato më të thata, flokët bien më shpejt, etj. Edhe gjatë verës dieta duhet të jetë e shëndetshme, e ekuilibruar dhe e pasur me vitamina e kripëra minerale, ku frutat dhe perimet janë një burim i vitaminave, acidit folik dhe vitamina të tjera nga grupi B, vitaminën C dhe karoten që ndihmojnë në mbajtjen e shëndetshme të organizmit.

Këshillohet që të konsumohen të paktën pesë porcione të përditshme me fruta e perime të freskëta. Perimet dhe frutat nuk duhet të mungojnë asnjëherë në tavolinë. Frutat dhe zarzavatet janë të mirëpritura në verë për freskinë e tyre, për vlerat kalorike modeste. Pini në mënyrë të bollshme : ujë, çajra apo lëngje të freskëta frutash, të paktën 2 litra në ditë dhe më shumë. Uji është elementi ushqyes më i rëndësishëm dhe në mot të nxehtë humbet një sasi e madhe uji, si me djersën dhe me ajrin që nxirret. Ndaj ka nevojë më shumë për ujin. Përdorni sheqerna me fibra si, drithrat dhe produktet e tyre. Kufizoni ose eliminoni përdorimin e ujit shumë të ftohtë, lëngjeve të gazuara, pijeve alkoolike e kafesë. Shmangi ngrënien e ushqimeve të nxehta apo pikante.

Gjithashtu duhet të shmangen sa të jetë e mundur të gjitha ushqimet të pasura në yndyra, si ushqimet e skuqura dhe të përpunuara shumë, mbasi ngadalësojnë procesin e tretjes. Por, yndyrat nuk mund të hiqen plotësisht, sepse ato sjellin substancat esenciale për strukturën e membranave qelizore, për transportin dhe absorbimin e vitaminave të shumta.

Shmangni sa të jetë e mundur sheqernat e thjeshta. Po ashtu kufizoni sa të jetë e mundur ushqimet e përpunuara, të konservuara, të cilat përmbajnë shumë yndyra shtazore, dhe preferoni djathin e qumështit me yndyrë të ulët, pulë, lepur e shumë peshk.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat