Ebola, javën e ardhshme vihet në provë vaksina

Shëndetësia

Ebola, javën e ardhshme vihet në provë vaksina

Më: 29 gusht 2014 Në ora: 09:24

Instituti Kombëtar Amerikan për Shëndetin, NIH, thotë se javën e ardhshme do të vihet në provë tek njerëzit një vaksinë eksperimentale për Ebolën.

Në një deklarataë të Institutit të publikuar të enjten thuhet se prova në fazat e hershme do të vlerësojë sigurinë e vaksinës dhe aftësinë për të nxitur një përgjigje nga sistemi imunitar tek të rriturit e shëndetshëm.

Vaksina është prodhim i përbashkët i institutit NIH dhe kompanisë farmaceutike britanike GlaxoSmithKline.

Dr. Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar për Alergjinë dhe Sëmundjet Infektive, pjesë e NIH-it, tha se vaksina pati rezultate jashtëzakonisht të mira në mbrojtjen e kafshëve gjitare nga infeksioni i Ebolës.

Provat do të bëhen në qendrën e NIH-it në Bethesda të Maryland-it, si dhe në Britani dhe në vendet e Afrikës Perëndimore Gambia dhe Mali.

Zhvillimi dhe provat për vaksinat e Ebolës po përshpejtohen, për shkak të shpërthimit të epidemisë në Afrikën Perëndimore.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se mbi 1 mijë e 400 vdekje të dyshuara dhe të konfirmuara nga Ebola janë njoftuar në Guine, Liberi, Nigeri dhe Sierra Leone, që nga shpërthimi i epidemisë në mars të këtij viti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat