​Duhani shkatërron trurin dhe aftësinë njohëse

Shëndetësia

​Duhani shkatërron trurin dhe aftësinë njohëse

Më: 23 gusht 2014 Në ora: 14:52

Dëmet që sjell pirja e duhanit dhe stili i çekuilibruar i jetës sillen vazhdimisht në vëmendje nga shkencëtarët, por ajo që ka zbuluar një grup shkencëtarësh nga King College, në Londër tregon se stili i keq i të jetuarit sjell jo vetëm probleme kardiovaskulare, por edhe dëmtime të shumta në tru që kërcënojnë rëndë të kuptuarit, të arsyetuarit dhe kujtesën e individit, të cilat sipas të gjitha gjasave çojnë në zhvillimin e sëmundjes së Alzheimerit.

Kështu që duke pirë duhan, përveçse dëmtohet shëndeti i zemrës, arterieve gjë që shkakton hipertension dhe mundësi të shumta për infarkt apo iktus, dëmi nuk mjaftohet me kaq, por sjell edhe shkatërrim të pariparueshëm të trurit dhe aftësive njohëse tek njeriu. Skuadra e shkencëtarëve londinezë zbuloi se ekziston një lidhje mes sëmundjeve kardiovaskulare dhe aftësive konjitive.

Studimi lindi pikërisht si një nevojë për të zbuluar nëse ekzistonin lidhje të mundshme mes një sëmundjeje kardiovaskulare si p.sh një infarkt dhe shëndetit të trurit.

8800 vullnetarët e përfshirë në studim u monitoruan për 8 vjet, ndërsa iu nënshtruan një testi njohjeje para dhe pas kësaj periudhe. Ajo që u vu re në rezultatet e botuara në revistën ‘Age and Ageing’ ishte se, personat që gjatë kësaj periudhe kishin pasur më shumë gjasa të prekeshin nga sëmundje kardiovaskulare për shkak të stilit të tyre të keq të jetesës, një element i rëndësishëm i të cilës është edhe duhanpirja, shfaqnin një deficit të theksuar konjitiv (njohës) në krahasim me të tjerët, stili i jetës i të cilëve ishte më i stabilizuar.

“Pirja e duhanit dhe tensioni i lartë shtojnë shumë rrezikun e sklerozës. Të gjithë e dimë që duhani, tensioni i lartë dhe mbipesha janë të dëmshme për zemrën, ndërsa ky studim tregon se të gjitha këto ndikojnë negativisht edhe në shëndetin e trurit”, shprehen shkencëtarët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat