Ushqimet që rrisin mundësinë e ngjizjes së një fëmije

Shëndetësia

Ushqimet që rrisin mundësinë e ngjizjes së një fëmije

Më: 23 gusht 2014 Në ora: 13:13

Keni menduar të bëni një fëmijë? Me siguri e dini se me cilat ushqime dhe zakone duhet të përshtateni. Por a e dini se cilat janë ushqimet, që nëse konsumohen në mënyrë të rregullt, rrisin mundësinë e ngjizjes së një fëmije? Mes këtyre ushqimeve gjejmë disa perime, si karotat dhe spinaqin (po ashtu edhe të gjitha perimet me gjethe jeshile në përgjithësi), por si për çudi është edhe, aq shumë e dëshiruara, akullorja. Le të shohim atëherë se cilat janë ushqimet që mund t’ju ndihmojnë në ngjizjen e një fëmije.

Karotat

Ato janë të pasura me beta karoten, e cila ka efekte antioksidante mjaft të rëndësishme për të ruajtur indet dhe qelizat. Ato mund t’i konsumoni si të papërpunuara ashtu edhe të gatuara në avull, për të mos zhdukur përmbajtjen e vitaminave. E pasur me beta karoten është edhe lakra, rukola, brokoli, mango, pjepri etj. Një studim i publikuar në revistën “Fertility and Sterility” dhe i kryer në Harvard, shpjegon se beta karoten, që ndodhet te karotat, rrit lëvizshmërinë e spermës mashkullore.

Spinaqi

I pasur me vitaminë B9 (acid folik), ashtu si shumë perime të tjera me gjethe jeshile, spinaqi është veçanërisht interesant, sepse përmban më shumë betarin, që përforcon efektin e tij. “Fertility and Sterility”, shpjegon se spinaqi është i pasur me acid folik dhe zink, thelbësor për rritjen e pjellorisë mashkullore. Në fakt, vitamina B9 ka një ndikim shumë të rëndësishëm te pjelloria, sepse vepron te rritja dhe ndarja qelizore.

Thjerrëzat

Ashtu si bishtajoret në përgjithësi, thjerrëzat janë një burim i shkëlqyer proteinash bimore për të rritur pjellorinë. Ato janë të pasura me hekur, i cili ka një rol të rëndësishëm në ngjizje. Një dietë e pasur dhe e ekuilibruar me këto bishtajore mund të eliminojë rrezikun nga shtesa kimike të hekurit.

Arrat

Arrat përmbajnë acide yndyrore dhe vitaminë E, esenciale për prodhimin e qelizave të shëndetshme. Sipas një studimi të publikuar në “Biology of Reproduction, Omega-3, që gjendet tek arrat, ndihmon në vitalitetin e spermës mashkullore, duke rritur kështu mundësinë e fekondimit. Ato rekomandohen edhe për femrat, për të parandaluar plakjen ovarike (të vezoreve).

Akullorja

Jo vetëm akullorja, por një dietë e pasur me qumësht dhe çdo nënprodukt të tij mund të mbështesë ovulacionin femëror. Të dhënat e nxjerra nga një studim i publikuar në Human Reproduction, parashtrojnë veçanërisht rëndësinë e përdorimit të qumështit të paskremuar.

Vezët

Vezët janë të pasura me proteina dhe përmbajnë vlera ushqimore të dobishme si vitaminë A dhe D. Shumë femra shmangin vezët ose të kuqen e saj për të qëndruar larg kolesterolit, por kjo praktikë nuk duhet të ndiqet aspak në rastin kur ato kanë vendosur të ngelin shtatzënë, sepse të gjitha vlerat ushqyese të vezës gjenden në të verdhën e saj. Pra vitamina A që ajo përmban është e domosdoshme për pjellorinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat