Lufta kundër kancerit, mund të mos fitohet kurrë

Shëndetësia

Lufta kundër kancerit, mund të mos fitohet kurrë

Më: 23 gusht 2014 Në ora: 12:54

Kanceri është aq i vjetër sa vetë jeta më e hershme në tokë, dhe nuk mund të zhduket plotësisht, kanë paralajmëruar shkencëtarët.

Pavarësisht se janë harxhuar miliarda duke investuar në projekte të panumërta kërkimore në të gjithë globin, një studim i ri ka arritur në përfundimin se: Sëmundja është këtu, për të qëndruar.

Sipas këtij zbulimi, sëmundja do të jetë e vështirë për tu kuruar ose trajtuar, për shkak të strukturës së saj shumë të evoluar. Zbulimi tregon se aftësia e zhvillimit të kancerit në trupin e njeriut është pjesë e qelizave të tij, një lloj “prone e brendshme” që ka evoluar me kalimin e miliona viteve.

Por studiuesit, në Universitetin e Kielit të Gjermanisë dhe ‘Universitetit Katolik’ të Kroacisë, thonë se "duke e ditur armikun”, shkencëtarët do të kenë shansin e mirë të mundshëm, për ta luftuar atë.

Biologët evolucionistë kanë gjetur provat e para të ekzistencës së tumoreve në dy lloje speciesh ujore. Ata thonë se ekzistenca e sëmundjes u shfaq qindra miliona vite më parë, prandaj sugjerojnë se kanceri është një pjesë e pandarë e evolucionit tonë.

"Kanceri është i vjetër sa vetë jeta qelizore në tokë dhe ndoshta kurrë nuk do të çrrënjoset tërësisht", thotë profesori Bosch.

Pavarësisht se studiuesit po kërkojnë origjinën e gjenit të kancerit, që është dhe shkaku i të gjitha tumoreve, Bosch deklaroi se studimi i tij e bën të pamundur fitimin e luftës ndaj kancerit që është shpallur që në 1970:

"Qelizat e kancerit kanë rrënjë të thella evolucionare. Çdo qelizë e rëndësishme në trupin tuaj mund të bëjë ‘një gabim’. Ju mbani një bombë me sahat në trupin tuaj, që kur keni lindur”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat