Një pemë mund të shpëtojë më shumë jetë humane nga sa besohet

Shëndetësia

Një pemë mund të shpëtojë më shumë jetë humane nga sa besohet

Më: 31 korrik 2014 Në ora: 15:49

Kura më e mirë është parandalimi, këtë pothuajse të gjithë e kemi fiksuar në mendjen tonë, edhe pse praktikisht, shpesh nuk e marrim parasysh, ndërsa sillemi në mënyrë të ndryshme nga ajo që duhet të bëjmë vërtet. Pothuajse kurrë nuk na vjen në mendje se edhe bota që na rrethon mund të jetë një faktor parandalimi ose edhe rreziku, sipas rastit. Ndoshta askush nga ne nuk e ka menduar ndonjëherë se një pemë e vetme mund të shpëtojë shumë jetë njerëzore. Nëse për këtë nuk kishim menduar ndonjëherë më parë, janë shkencëtarët e U.S. Forest Service’s Northern Research Station, të udhëhequr nga Dave Nowak, ata të cilët na tërheqin vëmendjen duke bërë publik një studim, nëpërmjet të cilit tregojnë se si pemët ndihmojnë në shpëtimin e mijëra jetëve njerëzore çdo vit, duke reduktuar problemet e frymëmarrjes që gjithnjë e më shumë po prekin një numër të madh personash. Në fakt, ndotja e mjedisit dhe e ajrit është përgjegjëse për qindra mijë të vdekur çdo vit në mbarë botën. Nuk flitet vetëm për problemet e frymëmarrjes, por edhe për probleme kardiovaskulare, si dhe për kancerin.

Pemët absorbojnë një përqindje të ndotjes, e cila përmirëson cilësinë e ajrit në një masë inferiore me një për qind. Sigurisht kjo përqindje duket e ulët, megjithatë ndikimi i këtij përmirësimi është i mrekullueshëm. Sipas studimit, vetëm ky një përqindësh ndihmon në kursimin e 7 miliardë dollarëve vetëm në Shtetet e Bashkuara, ndërsa shpëton në të njëjtën kohë mbi 850 jetë njerëzore. Ky 1% më shumë parandalon shfaqjen e 670 mijë simptomave respiratore akute. Studimi i publikuar në Environmental Pollution, ka evidentuar gjithashtu se si efekti i absorbimit të ndotjes nga pemët është thellësisht më i lartë në zonat rurale sesa në zonat urbane. Megjithatë, efektet mbi shëndetin njerëzor janë faktikisht më të larta në zonat urbane se në ato rurale. Nowak dhe kolegët kanë marrë në shqyrtim katër ndotës për të cilët EPA amerikane ka vënë standardet për cilësinë e ajrit: dyoksidi i azotit, i squfurit, ozonit dhe grimcat më pak se 2.5 mikron (PM2.5) me diametër aerodinamik. Më pas ata vlerësuan efektet shëndetësore të këtyre ndotësve në lidhje me ndotjen atmosferike. Hulumtuesit vlerësuan ndikimin në shëndetin e mushkërive, zemrës, të enëve të gjakut dhe të sistemeve neurologjike. Të dhënat treguan se në vitin 2005, vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndodhur përafërsisht 130 000 vdekje të lidhura me grimcat PM2.5 dhe 4700 vdekje të tjera nga ozoni, pra e thënë ndryshe, jetë të marra nga ndotja e mjedisit. Sipas Dave Nowak, sa i përket ndikimit në shëndetin e njeriut, pemët në zonat urbane ishin shumë më të rëndësishme se pemët në zonat rurale. Kjo, për shkak të afërsisë së tyre me njerëzit. E gjitha kjo përkthehet në një vlerë më të madhe të përfitimeve për shëndetin e njeriut. Me pak fjalë, nëse arrijmë ende të marrim frymë, kjo vjen për shkak se ne nuk kemi arritur ende t’i presim të gjitha pemët.

Rëndësia e pyjeve

- Pyjet mbrojnë furnizimin e ujit

- Frenojnë përmbytjet

- Mbushin rrjedhat ujore nëntokësore

- Sigurojnë ambiente çlodhëse për njeriun dhe vende të rëndësishme për kafshët e egra

- Sigurojnë një numër të madh produktesh druri

- Filtrojnë ujin dhe ajrin nga ndotësit e ndryshëm

- Ruajnë ujin dhe përbërësit ushqimorë

- Mbrojnë dherat, fushat lumore dhe përrenjtë

- Sigurojnë nevoja estetike dhe nevoja të tjera njerëzore

- Sjellin përfitime të dukshme për ujërat, kullotat dhe komunitetet

- Janë një nga përbërësit më të rëndësishëm të sistemit ekologjik

- Janë faktorë që shërbejnë për normalizimin dhe vazhdimësinë e jetës në tokë

- Pylli është rregullatori i pazëvendësueshëm i parametrave ekologjikë të planetit

- Si një ekosistem kompleks dhe vetërregullues, ai është mbartësi më i sigurt i biodiversitetit, duke krijuar kushte e duke ruajtur në gjirin e vet mijëra gjallesa, të cilave ua bën të jetueshme të sotmen dhe të mundshme të ardhmen mbi këtë planet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat