Hepatiti viral, 1.4 milionë viktima në vit, ISHP: Në Shqipëri është e prekur 9 % e popullsisë

Shëndetësia

Hepatiti viral, 1.4 milionë viktima në vit, ISHP: Në Shqipëri është e prekur 9 % e popullsisë

Më: 29 korrik 2014 Në ora: 21:55

1.4 milion njerëz vdesin çdo vit si pasojë e prekjes nga hepatiti viral, ndërsa qindra mijëra persona janë të prekur prej tij.

Në të gjithë botën mbi 240 milionë persona kanë infeksion kronik të hepatitit B dhe rreth 150 milion të hepatitit C.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e konsideron përhapjen e hepatiteve si epidemia e heshtuar, për faktin se mjaft njerëz me infeksion kronik nga virusi i hepatitit B ose C nuk janë në dijeni se janë të infektuar nga ky virus, duke bërë që ndër vite infeksioni të përparojë në sëmundje të rënda të mëlçisë.

Sa i takon Shqipërisë, Hepatiti B konsiderohet problem për shëndetin publik.

Nga studimet e kryera rezulton se hepatiti B, ka një prevalencë 7- 9% dhe hepatiti C, një prevalencë 0.5-1% duke mbetur kështu një vend endemik për hepatitin viral B, krahasuar kjo dhe me vendet e rajonit.

Në Shqipëri, fëmijët që kanë lindur në Prill të vitit 1994 dhe në vazhdim janë të vaksinuar kundër hepatitit B, si pjesë e kalendarit bazë të vaksinimit.

Në Ditën Botërore kundër Hepatitit, Organizata Botërore e Shëndetësisë jep alarmin se pavarësisht shifrave tronditëse të hepatitit, ai mbetet një grup i sëmundjeve që janë kryesisht të panjohura, të nëndiagnostikuara dhe të patrajtuara.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, parandalimi i hepatitit mbetet i injoruar në masë të madhe apo edhe i panjohur për shumë prej politikbërësve, personelit shëndetësor dhe publikut.

Nisur nga kjo situate, Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qeverive të të gjitha vendeve për të vepruar me aksione konkrete kundër virusit të hepatitit.

Në veçanti, virusi i hepatitit B dhe C mund të çojë në sëmundje kronike me efekte të mëdha negative të tilla si, kanceri i mëlçisë dhe cirroza, prej të cilit vdesin afro 1 milion njerëz në botë gjtë një viti.

Virusi i hepatitit B dhe ai i hepatitit C janë shkaku kryesor i kancerit të mëlçisë në botë me 78% të rasteve.

1 në 3 persona në botë janë të infektuar me virusin e hepatitit B dhe 1 në 12 persona ka hepatit të tipit B ose C. Hepatiti është infeksioni i mëlçisë i njohur si verdhëza.

Ekzistojnë disa lloj hepatitesh, A, B, C, D dhe E, në vartësi të llojit të virusit që i shkakton.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat