Melanoma, kush rrezikohet nga sëmundja e rëndë e lëkurës

Shëndetësia

Melanoma, kush rrezikohet nga sëmundja e rëndë e lëkurës

Më: 22 korrik 2014 Në ora: 22:03

Kanceri i lëkurës është lloji më i zakonshëm i kancerit në mbarë botën. Por, melanoma është një nga llojet më të rënda, është forma më e rrezikshme e kancerit të lëkurës dhe është në rritje.

Sipas specialistëve të Shëndetit Publik, të cilët kanë hartuar edhe një paketë informuese thuhet se melanoma përbën formën më malinje të nishaneve dhe zhvillohet nga qelizat e lëkurës që prodhojnë melaninë. “Melanomat janë të lidhura me ekspozimin në diell për një kohë të gjatë ose edhe me ekspozimin me kohë më të shkurtra, por shumë intensive.
Edhe një episod i vetëm i djegies së keqe nga dielli, sidomos në fëmijëri, mund të jetë i mjaftueshëm për të shkaktuar dëme të cilat më vonë zhvillojnë melanomën” pohon Jeta Lakrori, specialiste e ISHP.

Solari
Rrezatimi me solar për t’u nxirë në mënyrë artificiale rrit me 75% rrezikun për t’u prekur nga melanoma apo kanceri i lëkurës. Ndërkohë të dhënat e Shërbimit të Dermatologjisë pohojnë se çdo vit shtohen 25 raste të reja, ndërsa ekspertët japin alarmin se ekspozimi ndaj rrezatimit me solar ka bërë që kjo sëmundje të shfaqet edhe tek të rinjtë të moshës 15-30 vjeç. "Edhe në Shqipëri ne shikojmë që tendenca është në rritje jo vetëm e kancerit të lëkurës në përgjithësi por edhe e melanomës.

Një tendencë që vëmë re ne është që melanoma sot po shihet edhe në mosha të reja. Dhe në të gjithë botën është bërë kanceri i dytë në moshat 20-29 vjeçare dhe po rritet shumë edhe në moshat 15-30 vjeç. Rritja është ndoshta edhe nga përdorimi i solarëve në moshat e reja, rrit 70% mundësinë për kancerin e lëkurës, melanomës, solari. Ka disa shenja që quhen shenjat ABCD, se si mund të shikojë se si mund të transforomohet nishani. Pra nëse nishani ndryshon strukturën, ndryshon ngjyrën, ndryshon formën, rritet si madhësi buzët, bordurat e saj, tregon që është një alarm që personi duhet të drejtohet tek specialisti" shprehen mjekët dermatologë.

Fëmijët

Një kujdes i veçantë duhet të kushtohet për fëmijët, dhe kjo për vetë faktin se djegiet e rënda të lëkurës në moshë të vogël janë ndër shkaktarët kryesorë të shfaqjes së melanomës në moshë të rritur. “Fëmijët vërtet duhet të ruhen nga rrezatimi diellor. Është e vërtetë që dielli mbron lëkurën dhe rrit rezistencën e lëkurës, por duhet marrë në momentet e duhura dielli, në mëngjes deri në orën 10, pasdite pas orës 16:30, dhe vazhdimisht përdorimi i kremrave mbrojtës", përfundon specialistja Lakrori.
Sa i përket gjinisë, mjekët shprehen se meshkujt janë më të prekurit, ndërsa këshillojnë që një krem me faktor mbrojtës, çdo ditë të vitit, mund të jetë shpëtues.

Kontrolli, Kujdesi që duhet treguar me nishanet
Personat të cilët kanë shumë nishane në trup duhet të jenë të vëmendshëm më format edhe madhësitë e tyre sidomos kur ato ndryshojnë. Sipas specialistëve të dy anët e nishanit apo njollës së errët janë me madhësi të njëjta, simetrike. Nishanet e zakonshëm janë të rrumbullakët dhe me madhësi të njëjtë, simetrike. Kurse nishanet jo të zakonshëm kanë buzë të çrregullta dhe më të dala.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat