Banania, frutë që nuk duhet shmangur kurrsesi

Shëndetësia

Banania, frutë që nuk duhet shmangur kurrsesi

Më: 9 korrik 2014 Në ora: 13:07

Bananet janë të pasura me vitamina dhe minerale të shumëllojshme, por veç kësaj ato kanë edhe fibra që rregullojnë funksionimin e zorrëve.
Çdo ditë bombardohemi nga këshillat për të konsumuar sa më shumë fruta, dhe nëse veproni kështu nuk bëni aspak keq. Por e rëndësishme është të konsumoni edhe llojllojshmëri frutash dhe mes tyre nuk duhet harruar as bananen.

Kjo frutë, veç shijes së mirë, na siguron edhe një varg përbërësish të nevojshëm për shëndetin tonë.

Ajo është e pasur me kalium, një mineral më se i nevojshëm dhe që është i rëndësishëm për shëndetin e zemrës dhe të qarkullimit të gjakut.

Banania ka në përbërje edhe kalcium, që forcon kockat, dhe fosfor, që veç ndërtimit të kockave merr pjesë edhe në funksionimin e trurit, veshkave, zemrës dhe gjakut, dhe rregullon tretjen.

Kjo frutë ka në përbërje edhe vitamina të ndryshme, si vitamina C dhe grupi i vitaminave B, të cilat luajnë rol të rëndësishëm në shumë funksione të organizmit, përfshirë edhe sistemin nervor.

Banania është shumë e mirë për rregullimin e sistemit tretës, pasi ajo është e pasur me fibra dhe ndihmon në rregullimin e lëvizjes së zorrëve. Ajo redukton irritimin e mukozës së lukthit duke ulur mundimet që mund të shkaktojnë ulcerat.

Së fundi, banania është e këshillueshme të konsumohet edhe nga personat që vuajnë nga çrregullimet e gjumit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat