Uji mineral, cilin duhet të zgjidhni?

Shëndetësia

Uji mineral, cilin duhet të zgjidhni?

Më: 10 prill 2014 Në ora: 17:18

Uji është një nga elementet më të çmuara që na ka dhuruar natyra për mirëqenien, formën dhe shëndetin tonë. Por çfarë uji duhet të zgjidhni kur bëni pazar? Propozimet në treg janë të shumta dhe shpesh është e vështirë të bësh diferencimin mes informacioneve të etiketave nëse nuk jeni ekspertë. Ndaj ne ju ftojmë që të lexoni më poshtë, për të kuptuar diçka më shumë rreth kësaj çështjeje.

Bëni kujdes me mbetjen e thatë të ujit të mineralizuar dhe origjinën e tij

Ndryshimi kryesor mes llojeve të ujit qëndron tek e ashtuquajtura mbetja e thatë, që ndahen në këto kategori: uji mjaft i fortë mineral me mbetje të thatë 1.500 mg/l; uji mesatarisht mineral me mbetje të thatë më të madhe se 500 dhe më të vogël ose të barabartë me 1.500 mg/l; uji oligomineral me mbetje të thatë më të madhe se 50 dhe më të vogël ose të barabartë me 500 mg/l dhe uji më pak i mineralizuar me mbetje të thatë më të vogël ose të barabartë me 50 mg/l. Një tjetër dallim mes tyre qëndron edhe te pasja ose jo e flluskave natyrale apo të gazuara. Por çfarë është mbetja e thatë dhe përse është kaq e rëndësishme në zgjedhjen e ujit? Bëhet fjalë për pjesën e thatë të krijuar nga kripërat minerale, të cilat mbeten në një litër ujë pas avullimit në të thatë në 180°. Sa më e lartë të jetë mbetja e thatë, aq më i “mineralizuar” është uji. Kështu që ata që kanë nevojë për kripëra minerale, sportistët, të rinjtë dhe të moshuarit duhet të preferojnë ujin e mineralizuar, ndërsa ata që kanë nevojë të stimulojnë diuresinë, të eliminojnë toksinat dhe të luftojnë problemin e mbajtjes së ujit, duhet të zgjedhin ujin oligomineral. Ndërkohë, uji mineral i pasur me kripëra lehtëson tretjen. Një tjetër e dhënë të cilën duhet të keni parasysh kur të blini ujë, është ajo e zonës nga ku ai merret (burimi). Duke lexuar etiketën ju mund të verifikoni zonën se nga vjen uji. Nëse është në mal, atëherë garantohet një natyralitet më i madh i tij, por nëse zona e burimit gjendet pranë industrive, zonave bujqësore apo urbane, atëherë pastërtia e ujit mund të vihet në dyshim.

A përmban uji substanca kimike?

Po, tek uji gjenden disa substanca kimike helmuese, të cilat nuk duhet të kalojnë kufirin në përmbajtjen e tij: nitritet, nitratet dhe arseniku. Sipas ligjit, kufiri i nitriteve në ujin mineral duhet të jetë 0.02 mg për një litër ujë. Për nitratet është 50 mg/l, ndërsa për arsenikun çështja është pak më e komplikuar. Ligji nuk i detyron prodhuesit që të vendosin praninë e tij në etiketën shoqëruese, sasia e të cilit duhet të jetë më pak se 10 mikrogramë për litër, kështu që siguria për cilësinë e ujit në këtë drejtim është tepër e vështirë për t’u arritur. Së fundmi janë edhe fluoridet, që nga një anë mund të ndihmojnë në parandalimin e prishjes së dhëmbëve, por, nga ana tjetër, nëse merren në sasi të larta (sidomos nga fëmijët dhe foshnjat) mund të sjellin efekte negative. Ndërkaq, uji në shishe mund të jetë i pagazuar (nuk përmban dyoksid karboni) apo i gazuar në mënyrë natyrale (përmban dyoksid-karboni), që rrjedh nga i njëjti burim sikurse edhe uji. Po nëse në deklaratë shkruan “ujë mineral i gazuar” atëherë kuptohet se ujit i është shtuar CO2, që nuk rrjedh nga i njëjti burim sikurse edhe uji. Uji mineral i gazuar, posaçërisht ai me përmbajtje të lartë të dyoksid-karbonit, nuk sugjerohet për përdorim të përditshëm, sepse CO2 është një gaz tejet agresiv, i cili mund të dëmtojë shëndetin e atyre që e pinë vazhdimisht atë ujë dhe në sasi të madhe.

Kujdesi ndaj ambalazhit

Studime të ndryshme kanë treguar se ambalazhi i xhamit është shumë më i mirë se ai i plastikës. Testet tregojnë se shishet e plastikës në përdorim të gjatë, lëshojnë në ujë acetaldehid, një substancë e dëmshme. “Nëse dëshironi të shmangni ndryshimin e shijes, më mirë blijeni ujin në shishe xhami. Kjo substancë acetaldehidi, shkakton kancerin”, sqarojnë mjekët ekspertë, të cilët kanë punuar në studimin e ambalazheve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat