Jo të gjitha ushqimet vendosen në frigorifer!

Shëndetësia

Jo të gjitha ushqimet vendosen në frigorifer!

Më: 9 prill 2014 Në ora: 16:33

Frigoriferi nuk duhet të kthehet në një “magazinë”. Në të duhet të qëndrojnë gjithmonë vetëm ato ushqime që konservohen dhe që janë të këshillueshme për t’u ngrënë në një kohë sa më të shkurtër të jetë e mundur.

- Agrumet nuk mund të ruhen në frigorifer, sepse i ftohti mund t’i bëjë të hidhura. Limonët mund të vendosen në kasetën që përdoret për të konservuar perimet. Por nëse dëshironi t’i konsumoni në feta, mbajini në frigorifer në pjesën e hapur, të vendosur në një pjatë.

- Gjalpi prishet shumë shpejt. Pasi hapet, ai duhet të mbështillet me letër plastike dhe duhet lënë larg ushqimeve të papërpunuara dhe për pak ditë.

- Mishi ashtu si peshku, duhet të ruhet në zonën më të ftohtë. Mishrat duhet të mbështillen shumë mirë me letër alumini dhe të ruhen në enë hermetike apo në qese të posaçme për ngrirje. Është më mirë që mishin ta nxirrni nga frigoriferi para se ta gatuani, në mënyrë që t’i merrni plotësisht shijen. Por kini kujdes se mos ju rrjedh lëngu që do të shkrijë nga mishi, pasi mund të bjerë në kontakt me ushqime të tjera. Gjithashtu mishi krudo duhet të mbahet larg nga djathi dhe qumështi.

- Vezët mund t’i ruani në frigorifer për një muaj, megjithatë, shikoni edhe datën e skadimit të shtypura në pakot ku i blini. Mos i vendosni vezët pranë ushqimeve që kanë një aromë të fortë. – Qumështi duhet të mbahet mundësisht në një shishe qelqi të mbyllur, sepse ai ka tendencë të marrë aromat e ushqimeve të tjera. Normalisht është e preferueshme që qumështi të konsumohet i freskët, brenda datës së skadencës. Kosi duhet të ruhet në një zonë jo shumë të ftohtë dhe po ashtu si qumështi ai duhet të mbahet në një enë të mbyllur. Ndërsa djathërat duhet të ruhen në enë të posaçme, të mbështjellë me letër plastike ose alumini. Mirë do të ishte që para se t’i konsumoni, t’i nxirrnit jashtë nga frigoriferi për gjysmë ore, për t’i shijuar më mirë, larg temperaturave të ftohta.

- Perimet duhet të vendosen në pjesën më pak të ftohtë të frigoriferit, në kutitë e posaçme. Ato nuk duhet të lahen përpara se të futen në të, por duhet të pastrohen nga pjesët që duhen hedhur. Këshillohet që perimet duhet të vendosen në qese të veçanta me vrima, në mënyrë që të futet ajri”. Ndërkohë domatet nuk duhet të vendosen në frigorifer, sepse i ftohti i prish ato dhe i bën të qullëta. Nëse ju ka mbetur një pjesë qepe që keni përdorur për gatim dhe nëse doni ta vendosni atë në frigorifer, atëherë duhet me patjetër ta fusni atë në një kavanoz të mbyllur mjaft mirë, në mënyrë që aroma e qepës mos të “shkatërrojë” gjithçka që keni në frigorifer.

- Frutat kanë tendencë që ta humbin shijen e tyre në frigorifer. Ndaj ato duhet të konsumohen të freskëta dhe në një kohë të shkurtër. Mos mbani për një kohë të gjatë në frigorifer bananet, mollët, dardhat dhe agrumet.

- Lëngjet mund të konservohen në frigorifer për dy ose tri ditë, të mbyllur hermetikisht në mbajtëse qelqi.

Ndërkaq, si përfundim ju themi se frigoriferi duhet të gradohet të paktën poshtë 4°C (temperatura e duhur), në mënyrë që ushqimet të mos prishen ose që mos të formohen baktere. Ai duhet të mbahet gjithmonë i pastër!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat