Përdorimi i telefonave gjatë natës sjell parregullsi shëndetësore

Shëndetësia

Përdorimi i telefonave gjatë natës sjell parregullsi shëndetësore

Më: 8 prill 2014 Në ora: 09:49

Drita e kaltër e ekranit të pajisjeve elektronike ulë përgjumjen dhe e bën më të vështirë që njerëzit të flenë gjumë.
Një ekspert ka deklaruar se Britania e Madhe ndodhet në mesin e një epidemie të pagjumësisë.

Hulumtuesi tregon se afërsisht gjashtë në dhjetë njerëz në këtë vend nuk janë duke u ngopur sa duhet me gjumë, 50% më shumë sesa vitin e kaluar.

Ekspertët fajësojnë rritjen e numrit të përdorimit në shtrat të telefonave të mençur, tabletave dhe pajisjeve të tjera teknologjikë para se njerëzit të flenë.

Psikologu Richard Wiseman ka drejtuar sondazhin "YouGov" i cili u është bërë 2 mijë e 149 të rriturve me qëllim të kuptimit të llojit të aktiviteteve apo zakoneve të tyre gjatë natës.

Një të rrituri të moshës mesatare i nevojiten shtatë deri tetë orë gjumë për çdo natë, dhe shtatë apo më pak orë ndërlidhen me probleme të shumta shëndetësore.

Studiuesit zbuluan se 59% e njerëzve flenë shtatë apo më pak orë gjatë natës.

"Shifra e këtij viti është jashtëzakonisht e madhe dhe shqetësuese sepse fjetja në më pak se shtatë orë gjatë natës qëndron nën udhëzimet e rekomanduara dhe ndërlidhet me probleme të shumta, duke përfshirë rritjen e rrezikut për shtim peshe, diabet dhe kancer", ka thënë prof. Wiseman nga Universiteti i Hertfordshires.

Gjithashtu studiuesit kanë thënë se vetëm 10% e pjesëmarrësve u përgjigjën se ëndrrat e tyre janë të këndshme, duke rezultuar se shumë pak prej njerëzve që përdorin telefonat dhe më pas flenë gjumë kanë ëndrra të tilla.

Profesori Wiseman këshillon që personat që kanë probleme me gjumin t'i largojnë telefonat dhe pajisjet e tjera elektronike nga dhoma e gjumit dhe ta mënjanojnë për dy orë përdorimin e tyre, para se të flenë gjumë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat