PD fushatë sensibilizuese për ruajtjen e shëndetit

Shëndetësia

PD fushatë sensibilizuese për ruajtjen e shëndetit

Më: 7 prill 2014 Në ora: 16:47

Partia e Drejtësisë, dega në Vushtrri, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Shëndetit, ka organizuar një aktivitet, duke shpërndarë 500 fletushka me anë të së cilave sensibilizuan qytetarët mbi rëndësinë e kujdesit për shëndetin e tyre dhe marrjen e masave të duhura për një jetë sa më cilësore.

Kryetari i degës së PD-së në Vushtrri, Abdullah Klinaku, që njëherësh është edhe drejtor i Shëndetësisë në këtë komunë, ka pohuar se aktivitete të tilla do të shënohen edhe në të ardhmen, pasi që vlerëson se vetëdijesimi i qytetarëve për ruajtjen e shëndetit vazhdon të mbetët i ultë.

Ai ka kërkuar edhe nga partitë tjera, por edhe organizata joqeveritare që në të ardhmen të ndërmarrin hapa të tillë.

“Ky aktivitet i këtillë lloji është i pari që ndërmerret në Vushtrri dhe sot është aktiviteti i vetëm që është organizuar nga partitë politike, në kuptimin e ngritjes së vetëdijes të qytetarëve përkitazi me këtë ditë dhe ruajtjen e shëndetit të tyre”, ka pohuar ai.

Klinaku gjithashtu bëri të ditur se me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Shëndetit, edhe drejtoria e Shëndetësisë në këtë komunë ka organizuar dy aktivitete, që kanë të bëjnë me këtë fushë.

“Në bashkëpunim me qendrën kryesore të Mjekësisë Familjare e kemi shënuar këtë ditë me dy aktivitete përkatësisht me matjen e opinionit publik për shërbimet shëndetësore që i ofron shërbimi parësor në Vushtrri dhe me ofrimin e shërbimeve kryesore, për matjen e peshës dhe identifikimin e sëmundjeve të ndryshme që kanë të bëjnë me hipertensionin dhe tipat e llojit e gjakut”, ka thënë ai.

Dita Botërore e Shëndetit është një forum për informim dhe diskutim rreth shëndetit në botë. Ajo festohet çdo vit më 7 prill në 193 vende anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Caktimi i ditës Botërore të Shëndetit ishte një nga aktet e para zyrtare të OBSH-së. Që prej vitit 1950 Dita Botërore e Shëndetit i kushtohet një çështje të caktuar specifike që përbën shqetësim botëror.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat