Obama,Romney, vizione të ngjashme për politikën e jashtme

Kërko punë

Obama,Romney, vizione të ngjashme për politikën e jashtme

Më: 31 tetor 2012 Në ora: 00:58

Ndërsa votuesit në Shtetet e Bashkuara përgatiten të hedhin votën në zgjedhjet 6 nëntorit, njerëzit në gjithë botën po presin të shohin ndikimin e rezultatit në botë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Suzanne Presto sjell pikëpamjet e Presidentit Barack Obama dhe rivalit të tij republikan Mitt Romney për diplomacinë dhe politikën e jashtme.
Kandidatët presidencialë ofruan vizione të ngjashme për rolin e Shteteve të Bashkuara në çështjet globale gjatë debatit të tyre të fundit.
“Amerika mbetet vendi më i domosdoshëm. Dhe bota ka nevojë për një Amerikë të fortë dhe është më e fortë sot se sa kur erdha unë në detyrë”.

"Ne e kuptojmë që ka në botë vende me konflikte. Ne duam t’u japim fund atyre konflikteve sa më shumë të jetë e mundur. Por për të luajtur rolin e duhur në botë, Amerika duhet të jetë e fortë”.
Shtetet e Bashkuara mund të duket më të prirura ushtarakisht nën zotin Romney, thotë Daniel Serwer i Fakulktetit për Studimet Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins në Uashington.
“Ai e ka bërë të qartë se një demonstrim force do të ishte përparësi për të dhe një nga ndryshimet themelore mes dy kandidatëve është niveli që ata synojnë të arrijnë në financimin e mbrojtjes”.
Zoti Romney ka premtuar të rrisë shpenzimet për mbrojtjen nëse zgjidhet. Por ai është në një mendje me zotin Obama për planet për të tërhequr forcat luftarake nga Afganistani nga fundi i vitit 2014.
Ata janë gjithashtu në një mendje për përdorimin e sanksioneve për të mos lejuar Iranin të sigurojë një armë bërthamore dhe ata thonë se goditjet ushtarake janë një alternativë për të përballuar atë kërcënim.
Të dy kandidatët janë angazhuar të mbështesin Izraelin në rast sulmi.
Zoti Romney ka thënë se nëse zgjidhet, udhëtimi i tij i parë diplomatik do të ishte në Izrael. Ai la të kuptohej se zoti Obama e ka fyer shtetin hebre.
“Ju shkuat në Lindjen e Mesme, vizituat Egjiptin, Arabinë Saudite, Turqinë dhe Irakun. Ju e shmangët Izraelin, mikun tonë më të afërt në rajon”.
Zoti Obama u kundëropërgjigj duke thënë se debati mbahej në prag të stërvitjes së përbashkët më të madhe ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Israelit.
Në përgjithësi, kandidatët ofrojnë propozime të ngjashme të politikës së jashtme, thotë analisti Serwer.
“Përtej retorikës, mendoj se ndryshimi më i madh është për çështjen armëve për rebelët sirianë”.
Forcat siriane të sigurisë dhe luftëtarët e opozitës kanë luftuar kundër njëri-tjetrit që kur filloi kryengritja kundër Presidentit Bashar al-Assad filloi në mars të vitit 2011. Zoti Romney është në favor të furnizimit me armë të rebelëve.
“Unë dua të sigurohem që ata janë të armatosur dhe që kanë armët e nevojshme për t’u mbrojtur, por edhe për ta rrëzuar Assadin. Por nuk dua që të kemi angazhim trupash nga ana jonë”.

Presidenti Obama ka një qëndrim më të përmbajtur.
“Do të ishte një hap serioz për ne të angazhoheshim më shumë ushtarakisht dhe duhet të sigurohemi plotësisht se kë po ndihmojmë, që nuk po vendosim armë në duart e atyre që mund t’i kthejnë ato kundër nesh apo aleatëve tanë në rajon”.

Presidenti Obama që fitoi çmimin Nobel të paqes në vitin 2009 do të ketë një mision personal nëse rizgjidhet, thotë analisti politik Robert Gutman.

“Ai do të përpiqet të vendosë trashëgiminë e tij. Mund të mos jetë paqja në Lindjen e Mesme, apo marrëdhënie më të mira me Kinën por do të jetë diçka”.

Kina është një çështje me rëndësi për zotin Romney. Ai thotë se do ta quajë Kinën një “manipulatore të monedhës”, një përacktim që mund të sjellë sanksione.
Zoti Gutman thotë se përvoja e kandidatit republikan në biznes mund të ketë ndikim tek mënyra e tij e udhëhqjes.
“Ai do të zgjerojë biznesin amerikan. Mendoj se ai do të ishte një president më i angazhuar me çështjet e tregëtisë, më i angazhuar me biznesin.”
Analistët thonë se votuesit janë më të shqetësuar për çështjet e brendshme, si ekonomia, sesa planet e politikës së jashtme.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat