Këshilla për debatet

Kërko punë

Këshilla për debatet

Më: 8 tetor 2012 Në ora: 09:03

Presidenti Barak Obama dhe kundërshtari i tij politik, ish-guvernatori i Massachusetsit, Mitt Romney, do të zhvillojnë edhe dy debate të tjera, para zgjedhjeve të 6 nëntorit, gjithsej tre. Por ndërsa debati presidencial bëhet për postin më të lartë zyrtar të vendit, ekspertët e debateve thonë se teknikat e përdorura në debatet presidenciale kanë zbatim praktik në shtëpi, shkollë dhe punë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Kate Woodsome në Washington njofton:
Të njohësh mirë faktet dhe të jesh i aftë t’i shprehësh ato me një gjuhë të përmbledhur, shkurt dhe qartë. Kjo është këshilla e Shefit të Katedrës së Komunikimit në Universitetin Wake Forest të Karolinës së Veriut.

“Shpesh bëhet ky vlerësim: “Ky person ka njohuritë e duhura për një çështje, pavarësisht nga qëndrimi që ka.” Pra, bëhet fjalë për cilësinë e njohurive që ka një person”.
Për të fitur një debat thonë ekspertët, duhet të dish se mbështetjen e kujt përpiqesh të fitosh.

“Në argumentimet e përditshme, disa njerëz mendojnë se mbizotëron vetëm logjika, kur nganjëherë ndodh që nuk ka një argument bindës në një situatë të caktuar.”
Jarrod Atchison është Drejtor i Programit të Debatit në Universitetin Wake Forest.

“Pra duhet ta njohësh audiencën dhe ato që ajo konsideron se janë informacione që lidhen me debatin që zhvillohet.”

Debatuesit më të mirë, thotë Atchison, janë njerëzit të cilët mund të gjejnë parime për të cilat mund t’i bëjnë edhe kundërshtarët të bien dakord. Një tjetër teknikë e suksesshme, thotë ai, është të dëgjosh partnerin tënd në debat, në mënyrë që përgjigja jote të bazohet tek informacionet që merr prej tij.

“Ajo që bezdis audiencën është fakti që një debatues nuk ndjek zhvillimin e argumentit, ngaqë ai është i fiksuar tek përsëritja e mendimit të vet. Në këtë rast, debatuesit nuk gjejnë pika marrëveshjeje, që janë tepër të rëndësishme për zhvillimin e argumentit.”

Mos e nënvlerësoni audiencën, thotë eksperti, qoftë ai shefi, partneri romatik, apo rivali juaj. Eksperti i komunikimit Allen Louden thotë se një debatues i dobët do të dredhojë, duke nënvlerësuar aftësinë e audiencës për të ndjekur argumentet.
Një teknikë e efektshme, thotë ai, është argumentimi përmes këndvështrimit të audiencës, dhe jo tëndit.

“Zakonsiht, njerëzit i shohin gjërat nga një këndvështrim, prandaj duhet zgjedhur një gjuhë e cila të kuptohet prej tyre.”

Eksperti i debatit, Jarrod Atchinson rekomandon shmangien në debat të fjalëve absolute, si “gjithmonë”, dhe “kurrë”.

“Asgjë nuk tërheq inatin e audiencës, më tepër se sa një pretendim i mbitheksuar. Sepse në këtë rast, debatuesit tjetër nuk i mbetet, veçse të bëjë një argument më të theksuar për të provuar se në kushte të caktuara, argumenti, apo Plani A është më i mirë se Plani B.”

Në se ndjen që avantazhi largohet prej teje dhe kundërshtari po fiton terren, tregohu i gatshëm të pranosh se cilat pjesë të argumenteve të kundërshtarit janë bindëse. Kur e bën këtë, thotë Atchinson, shpjego përse në fund të fundit pozicioni yt është më bindës.
Në se nuk je një debatues i fortë, mos e humb shpresën. Eksperti Atchinson thotë se gjithësecili mund t’i përmirësojë aftësitë debatuese duke praktikuar “ndërrimin e anës së debatit”, kur parashtron një qëndrim dhe pastaj argumenton nga këndvështrimi i kundërt. Eksperti po ashtu këshillon që të vlerësosh argumentet e tua.
“Duhet të reflektosh për ato që thua, duke i bërë pyetjen vetes: “Si shkoi biseda? A desha të dilja pikërisht këtu? A pati momente kur e gjeta veten duke reaguar ndaj tjetrit, në vend që të pranoja se kundërshtari mund të ketë patur diçka për të thënë?”
Ekspertët thonë se kjo është formula për ta fituar debatin, dhe për të patur një martesë të suksesshme. Gruaja e ekspertit Atchinson është një debatuese shumë e mirë, prandaj, thotë ai, ai ka mësuar t’i zgjedhë betejat me zgjuarsi.
“Debatetuesit më të mirë e dinë se cilat argumente ia vlejnë të debatohen. Prandaj, zbulojmë se shpesh ne nuk kemi argumentet e mjaftueshme si debatuesi tjetër, sepse ne e dimë se cilat janë mundësitë thelbësore për të fituar një debat.”

Një këshillë e mirë kjo, thotë zoti Atchison, qoftë kur kandidon për president, apo për titullin “bashkëshorti i vitit”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat