SHBA: Obama dhe Romney i mbrojtën politikat e tyre

Kërko punë

SHBA: Obama dhe Romney i mbrojtën politikat e tyre

Më: 4 tetor 2012 Në ora: 08:33

Në Denver të Kolorados në Shtetet e Bashkuara, është mbajtur debati i parë televiziv ndërmjet presidemntit Barack Obama dhe rivalit të tij republikan në zgjedhjet e nëntorit, Mitt Romney.

Në këtë debat u diskutua për çështjet e brendshme, përfshirë ekonominë, rritjen e numrit të vendeve të punës dhe deficitin e qeverisë.

Presidenti Barack Obama tha se ai ka vizion të ndryshëm nga ai i rivalit Romney:

“Prandaj, çështja sonte këtu nuk është se ku kemi qenë, por ku do të shkojmë. Guvernatori Romney e ka perspektivën e cila thotë se nëse ne i shkurtojmë taksat, drejtohemi kah të pasurit, dhe i kthejmë prapa rregullat, atëherë ne do të jemi më mirë. Unë kam pikëpamje tjetër”, tha Barack Obama.

Presidenti Obama e ka theksuar rëndësinë e investimeve në arsim.

“Mendoj se ne duhet të investojmë në arsim dhe trajnim. Mendoj se për ne e rëndësishme është të zhvillojmë burime të reja të energjisë këtu në Amerikë; për këtë arsye ne e kemi ndryshuar kodin tonë të taksave për të pasur siguri se ne i ndihmojmë bizneset e vogla dhe kompanitë, që investojnë këtu në Shtetet e Bashkuara; që ne ta marrim një pjesë të parave që e kemi kursyer, derisa ne i përfundojmë dy luftëra për ta rindërtuar Amerikën”, tha Obama.

Rivali i tij republikan, Mitt Romney, tha se politikat e presidentit Obama nuk “janë përgjigjje e drejtë për Amerikën”.

“Presidenti e ka pikëpamjen e ngjashme me atë që e kishte kur kandidoi për zyre, para katër vitesh, atë të qeverisë më të madhe, të shpenzimeve më të mëdha, të më tepër taksave, të më tepër rregullimeve, pra nëse doni, do të funksionoj një qeveri që do të zgjerohet nga të pasurit te të varfërit. Kjo nuk është përgjigjje e drejtë për Amerikën”, tha Romney.
Kandidati republikan për president i ka hedhur poshtë pohimet se ai po planifikon t’i ulë taksat për të pasurit, siç ka pretenduar Obama.

“Përgjigjja është po, ne mund të ndihmojmë, por do të merret një rrugë tjetër, jo ajo në të cilën ne ishim, jo ajo që presidenti e përshkruan si shkurt, ulje e taksave për të pasurit. Këtë unë nuk do ta bëjë. Plani im ka pesë pjesë bazike”, tha Romney.

Vlerësohet se afro 50 milionë amerikanë e kanë ndjekur debatin televiziv Obama – Romney në Shtetet e Bashkuara.

Ky ishte i pari prej tri debateve që do të zhvillohen deri më 6 nëntor, kur mbahen zgjedhjet presidenciale.


Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat