Ëndrra me avionë e një inxhinieri të Sudanit Jugor (Foto)

Reportazhe

Ëndrra me avionë e një inxhinieri të Sudanit Jugor (Foto)

Më: 17 shkurt 2015 Në ora: 21:27

“E kam pasur pasionin për t’u bërë një inxhinier aeronautik që kur isha i vogël”, thotë George Mel, një 23-vjeçar i cili jeton në Juba, kryeqytetin e Sudanit Jugor.

“Më pëlqen shumë të bëj avionë. Kur isha ende i vogël u përpoqa të fluturoj. Mora perde, vura hekur në formë krahësh dhe hipa në majë të çatisë. Doja të shikoja nëse mund të fluturoja si një zog, por rashë. Për pak theva këmbën”.

Pavarësisht zhgënjimeve të hershme, Mel ishte i vendosur të mësonte sa më shumë të mundej për aviacionin.

Ai shkoi të studiojë në shkollën e mesme në Ugandë, por në vitin 2011, teksa po përgatitej për provimet përfundimtare, babai i tij vdes dhe ai nuk pati mundësi të paguajë për shkollën.

Djali nuk pati zgjidhje tjetër veçse të hiqte dorë nga studimet dhe të kthehej në shtëpi. Por ai vazhdoi të bënte ç’ishte e mundur që të mësonte vetë aeronautikën.

Humbja e babait ishte diçka e keqe, thotë Mel, por i dha atij hapësirën për të ndjekur qëllimin.

“Kur nuk shkoja në shkollë, kisha shumë kohë”, thotë ai. “Truri im ishte i çliruar për të kryer shumë kërkime. Nuk doja të rrija kot, u qëndrova ëndrrave të mia dhe fillova të praktikohesha dhe të bëja shumë teste”.

Ai i mblodhi vetë materialet e duhura për të ndërtuar një avion, duke kërkuar në çdo fabrikë metali në Juba, për të grumbulluar një skelet avioni dhe importoi dy motorë benzine.

Duke përdorur një karrige kopshti si ndenjëse piloti, ai e montoi avionin me informacionin që siguroi nga një libër i vjetër, si dhe nga të dhënat që nxori në internet.

Në fund të vitit 2013, Sudani Jugor hyri në luftë civile.

Megjithatë, Mel vazhdoi të punonte për aeroplanin e tij edhe kur konflikti zhvillohej në rrugët rreth shtëpisë së tij. Të shtënat mund të dëgjoheshin në lagjen e tij, teksa sulmi ndaj misionit të Kombeve të Bashkuara, afrohej në shtëpinë e Melit.

“Nuk e ndala projektin tim”, thotë ai. “Vazhdova ta bëja në qendrën time të kërkimeve. U mbylla brenda dhe bëra punën. Shumë njerëz u larguan por unë nuk shkova gjëkundi. Nuk dija ku të shkoja, ndaj vijova të punoj”.

“Qendra kërkimore” e Melit ishte dhoma e tij, me shtratin pranë elementeve të avionit.

“Këtu fle unë, në të njëjtin vend ku bëj edhe testet e mia, sepse këtu nuk ka hapësira si hangarët për momentin”. Me raste, kur familja e tij është në shtëpi, ai i fsheh materialet dhe aktivitetet që bën.

“Ndonjëherë, kur sjell materiale, hyj fshehurazi nga gardhi që ata të mos më shohin. Nëse ata më shohin, do më thonë se po çoj paratë dëm me gjëra të kota”, thotë ai.

Por kur Mel ia çoi punën e tij Forcave Ajrore të Sudanit Jugor, zyrtarët u befasuan dhe i dhanë atij një punë në Departamentin e Teknologjisë.

Ai shpreson tani që të marrë një bursë për të studiuar inxhinieri aeronautike jashtë shtetit.

Deri më tani, autoritetet në Juba ia kanë refuzuar lejen Melit për të testuar avionin e tij, i cili ka mbetur në kopshtin e shtëpisë.

Por ai është i vendosur të realizojë ambiciet, për veten dhe për të ardhmen e vendit të tij.

Një prej qëllimeve të tij ishte të zhvillonte një dron fermerësh për të spërkatur të korrat, edhe pse në të ardhmen ai dëshiron të dizenjojë dhe të ndërtojë avionë të mëdhenj.

Në një bisht të aeroplanit të parë të ndërtuar prej tij, u pikturua një flamur i Sudanit Jugor, së bashku me fjalët: “Ne kemi një të ardhme”.

“Kam shumë shpresa. Çfarë ka ndodhur, ka ndodhur, dhe ne duhet të ecim përpara në jetë”, thotë Mel.

“Ne e kemi harruar të shkuarën dhe po luftojmë për të ardhmen. Për më shumë, si të rinj që jemi, ne duhet të bëjmë më të mirën dhe ta ngremë vendin tonë më këmbë”.

“Është logjike. Rinia është e ardhmja e vendit”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat