Fëmija që krijoi ndasi në një komb

Reportazhe

Fëmija që krijoi ndasi në një komb

Më: 12 shkurt 2015 Në ora: 17:56

Jashtë hotel “Korona” në Mako, një qytet në jugun e Hungarisë, i njohur për kohën e ngrohtë dhe qepët e mrekullueshme, qëndron statuja e bronzit e Mihaly Fatyol, një virtuoz rom i violinës.

Ai e mban instrumentin në dorën e majtë, harkun në të djathtën dhe sheh nga njëra anë duke iu drejtuar duartrokitjeve të publikut për anëtarët e tjerë të bandës: Geza Racz si violinë e dytë, babai i tij në violë, Jozsef Kelecsenyi në kembal dhe Janos Puka në kontrabas.

Këta ishin romët më të njohur të Makos derisa Rikardo i vogël lindi. Mihaly Fatyol luajti në hollet e kërcimit të Budapestit dhe Europës nga vitet 1920 deri në vitet 1970, në një kohë kur asnjë restorant apo dasmë nuk ishte e plotë pa një orkestër cigane.

Rikardo Racz u lind një minutë pas mesnate, disa javë më parë dhe për këtë arsye u bë bebja i parë i lindur në Hungari për këtë vit. Mediat kombëtare, si dhe ato lokale, e sollën në qendër të vëmendjes lindjen e tij dhe vunë një foto të prindërve të Rikardos në faqet e para.

Pastaj, Elod Novak, deputet i partisë së djathtë ekstreme Jobbik, postoi atë foto pranë një të vetës, gruas së tij dhe tre fëmijëve në Facebook, duke përmendur se Rikardo ishte fëmija i tretë i një nëne cigane 23-vjeçare. Pastaj ai shtoi: “Numri i hungarezëve jo vetëm që është në rënie drastike, por së shpejti ne do të jemi një pakicë në shtëpitë tona. Më pas do të vijë dita kur ata të vendosin t’i ndryshojnë Hungarisë emrin? Dhe kur do ta kuptojmë ne më së fundi problemin më të madh të vendit tonë?

Kjo provokoi një lumë miratimesh dhe refuzimesh. Lindja e Rikardos duket se i vuri përpara një pasqyrë racizmit dhe kundër-racizmit hungarez.

“Ata po përhapen si minjtë, si parazitë”, ishte një koment tipik i atyre që ishin krah zëvendësit të Jobbik. Politikanët e opozitës dhe qeverisë u përpoqën të kapërcejnë njëri-tjetrin me gjeste dhe fjalë në solidaritet të familjes.

Rikardo u bë romi më i famshëm i Hungarisë, vetëm disa ditë pas lindjes.

E takoj Rikardon, nënën e tij, Sylvia, dhe babanë Peter në sallën e qytetit të Makos – kjo është e para intervistë për median që ata kanë dhënë. Ndërtesa e vjetër, e shkëlqyeshme ka aromën e një pikture të re. Dyshemeja është me parket, ka disa flamuj dhe e pranishme është edhe vetë kryebashkiakja Eva Erzsebet Farkas. Si çdo vit, ajo ka premtuar 100,000 forinta ose 250 dollarë për prindërit e fëmijës së parë të lindur në qytetin e saj në 2015.

Peter fillon të tregojë historinë e jetës së tij. Familja është e vetmja e komunitetit rom që jeton në një fshat të vogël në periferi të Makos, ata shkojnë mirë me këdo dhe nuk kanë përjetuar kurrë më parë armiqësi personale ose racizëm.

Peter bën punë në komunitet dhe po merret me kursin e patentës për traktorë dhe makina korrëse. Dy vajzat e tyre janë ende në kopsht.

“Dua thjesht një jetë familjare të qetë, pa vëmendjen e medias”, shpjegon ai. “Ushqim të ngrohtë në shtëpi kur kthehem nga puna dhe familjen përreth”.

Sylvia i zgjat atij beben me sytë që i ka hapur për të parë të panjohurit, pikën qendrore të stuhisë. “Njerëzit nuk duhet të paragjykohen që nga momenti i lindjes”, thotë e ëma.

“Kur djali im të jetë 18 vjeç, ai mund të vendosë vetë nëse do të identifikohet si rom apo jo. Nuk është faji i tij që erdhi në këtë botë disa çaste pas mesnate. Ndoshta ka pasur racistë në Hungari përpara kësaj, por ne nuk e kemi ndier. Na pëlqen shumë të jetojmë në këtë qytet. Të gjithë janë të sjellshëm me ne këtu. Tani fëmija ynë po na jep forcë ta kalojmë situatën”, shton ajo.

“Gjithçka na diferencon neve është ngjyra e lëkurës”, thotë Peter. “Ne kemi të njëjtat zemra, të njëjtin gjak dhe shpirt. Rikardo do të shkojë në kopsht dhe shkollë, do të marrë një profesion si çdo fëmijë tjetër”.

Ata e kanë me ngut të marrin vajzat nga kopshti për t’i çuar në shtëpi. I ofroj t’i shoqëroj me makinë, por ata preferojnë të marrin autobusin.

Elod Novak, deputet i Parlamentit, ka refuzuar të kërkojë falje për komentet e tij dhe madje ka sugjeruar që Peter të shkojë t’i kërkojë falje atij. Mediat e të djathtës ekstreme bëjnë ende lajme për ‘shpërthimin’ e lindjeve të romëve. Ata thonë se është problemi më i madh i Hungarisë. Por nuk arrijnë ta kuptojnë që edhe romët janë hungarezë.

Me të drejta të barabarta. Peter, Sylvia dhe Rikardo zhduken në rrugët e qytetit në një pasdite shkurti, pranë statujës së Mihaly Fatyol, virtuozit të violinës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat