Venecia – dy anët e një qyteti

Reportazhe

Venecia – dy anët e një qyteti

Më: 1 shkurt 2015 Në ora: 21:52

Nëse ky qytet ka një problem, ai vjen thjesht nga turistët. Jo nga rreth 120.000 pëllumbat, as nga qarkullimi i ngjeshur i gondolave e motobarkave në të famshmin “Canal Grande”, i cili duket se është vënë nën kontroll nga masat e shumta të policisë.

Por, nëse dëshironi të shkoni atje se s’bën në mes të sezonit e ta gjeni veten mes turmave të njerëzve që gëlojnë si mizat para “San Marko” duhet të merrni frymë fort një herë, për të mos thënë se duhet t’i nënshtroheni një hiperventilimi.

“Pallati i dozhëve”, urat Rialto, muzeu “Guggenheim” dhe “Accademia” – ku vërshimet e turistëve janë të përhershme. S’është çudi që janë 18 milionë vizitorë në vit.

Shumëkush ndihet i tërhequr nga mania e nostalgjia e një kohe të shkuar kur s’kishte makina, qiellgërvishtës e mbipopullim.

Turmat e turistëve, qiratë shumë të larta dhe sigurisht, edhe një prirje e ethshme për rehati alla-moderne me të ndenjurat në sediljen e automobilave, kanë bërë që numri i banorëve të “Serenissima”-s të bjerë në 50 vitet e fundit, nga 180.000 në rreth 62.000 veta. Në pjesë të tëra të qytetit, gjuha dominuese tashmë është bërë anglishtja.

Por, megjithatë, ia vlen plotësisht të ndërmarrësh një udhëtim drejt Venecias, ose Venedikut të dikurshëm – pra do të thoshim: Udhëtoni pra për në Venecia!

Në verë kanalet vijnë erë

Në Venecia, paradokset e antagonizmat prej kohësh jetojnë pranë njëri-tjetrit. Në dhomat e kallajisura, të burgosurit thuajse sa nuk plasin, ndërsa rrinë nën një çati me dozhët në veshjet e tyre plot shkëlqim. Fshehur në “San Marko” ndodhet edhe thesari më i madh, zbukuruar me diamante e gurë të çmuar, që njihet me emrin “Pala d’Oro”, për të cilin vizitorët e kishës shohin anën e prapme të bazamentit të altarit.

Në verë kanalet kutërbojnë erë, që përhapet deri në qiell, por, gjithsesi, ajri aty vlerësohet si më i pastri në botë, qëkurse qyteti (i shpallur pa makina) ka ndaluar me ligj djegien e naftës dhe ka kaluar në përdorimin e gazit metan. Dhe rreth e rrotull butikëve luksozë pranë hotel “Bauer”, sheh shumë shitës afrikanë që të ofrojnë çanta dore “firmato” me një çmim shumë më të lirë se sa origjinalet “Prada”, “Gucci” and Co., që mund të hasësh në vitrinat plot shkëlqim të butikëve venecianë.

Surpriza kulinare

Edhe në aspektin gastronomik, Venecia të befason gjithmonë. Një shembull: vetëm pak hapa larg “Caffè Florian”, ku një ekspres kushton 6 euro, qysh nga viti 1911 të shfaqet para syve një botë e kundërt me atë të epokës së Republikës së “San Marko”-s.

Padroni miqësor e i vetëm qëndron aty i veshur me një këmishë blu të çelur të tipit të faturinos, duke ndenjur para vitrinave të vogla, ku shet copëza nga “Mini-Tiramisu” dhe çokollata. Ekspresi kushton një euro dhe në çdo rast, parada e Limoncello-s në vitrinë, si dhe shishet e vogla të ujit mineral, të vendosura në frigoriferët në qendër të lokalit, flasin për përshtatjen me shijen e një turizmi masiv.

Kaq shpejt sa në “Harry’s Bar”, gotat me “Bellini” (14 euro gota) nuk fluturojnë askund tjetër, për të kaluar më pas te shijimi i “Naranzaria”-s (San Polo 130) “Spritz” (“Campari” me verë të bardhë), spumante dhe “Vini Rossi”. Ndër ta, një sushi e parapërgatitur – por atë nuk mund ta hash. Pak hapa më tej ka nisur nga puna “Bancogiro all Campo San Giacometto” me kuzhinën e saj më moderne veneciane.

Dhe para një lokali, ku mund të hash më këmbë, shumë pranë “Casa del Parmigiano”, me djathërat e saj parmixhanë, që rri 24 orë, ditë e natë e hapur, përpara të del duke buzëqeshur një vajzë e bukur që shpërndan pa para spumante.

Antagonizmat gjenden edhe brenda së njëjtës lagje. Një rrugë më tej gjendet edhe Ostaria Antico Dolo që është e dëgjuar për karkalecat e kuq, për kuzhinën e saj veneciane, të thjeshtë e me shije, me ambientet e saj tipike italiane: por asnjë klient nuk flet italisht dhe në kuzhinë janë dy djelmosha të rinj nga Bangladeshi, që e bëjnë punën e tyre më së miri.

Në hapësirën që të zë syri shihet qartë edhe sheshi i “San Marko”-s, por në një botë tjetër është edhe lagjja tjetër “Giudecca”. Xhiroja e gjatë me kilometra, në shëtitore, është më e bukura në qytet, duke pasur para syve gjithnjë si shoqëruese panoramën e rrugës së çokollatave të Venecias.

Fëmijët luajnë në rrugën pa makina dhe të rinjtë takohen në korridoret, nën shtylla të radhës së dytë. Në fund të ishullit të vogël ngrihet një hotel i ri “Hilton”, që do të shërbejë më së shumti si sallë kongresesh. Shumë më mirë e integruar paraqitet qysh nga vera tashmë “Bauer Palladio” ngritur mbi një kështjellë të dikurshme që daton në vitet 1500.

Dhe ndanë saj një pjesëz legjendare e Venecias është dhe legjendari “Cipriani”, që i përket grupimit të hoteleve “Orient Express” të amerikanit James B. Sherwood dhe që shërben edhe si rezidencë e pjesshme për të.

Buxheti – Të banosh në një shkollë

Por buxheti i madh që të grin xhepin në qytetin e antagonizmave gjen rast të reduktohet. Ngaqë disa shkolla në Itali nuk kanë më nevojë të shfrytëzojnë të gjitha dhomat për klasa mësimore, në Venecia po fillon të vihet re një fenomen i ri: banimi e jetesa brenda territorit të shkollave. Për shembull, për 35 euro për person mund të kalosh natën në Instituto San Giuseppe, drejtuar nga motrat katolike, një pallat i bukur ky mes Rialtos dhe San Markos. Por edhe kursimi e ka çmimin e tij: kush dëshiron të banojë këtu, duhet të kthehet maksimumi në orën 22:30 në dhomë, përndryshe mbetet jashtë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat