"Je Suis Charlie" nuk mjafton

Reportazhe

"Je Suis Charlie" nuk mjafton

Më: 15 janar 2015 Në ora: 10:59

Në mbledhjen e fundit editoriale të Radios Evropa e Lirë, derisa diskutonim mbulimin e sulmeve terroriste në Paris, një kolege tha: “Të gjithë ndjehemi fajtorë. E di se shumë prej nesh kanë turp ose frikë të dalin nga shtëpia. Duhet të bëjmë një temë edhe për këtë”. Nuk është e nevojshme të thuhet se kolegia ime është myslimane. E kuptoj.

Njëzet vjet më parë, më 1995, pasi forcat serbe të Bosnjës kanë kryer masakrën e Srebrenicës, një tjetër koleg më ka thënë: “Jam i pafuqishëm. Nuk kam bërë asgjë të keqe, por ndjehem fajtor. Nuk jam në gjendje të shoh në sy miqtë myslimanë”. Nuk është e nevojshme të thuhet se kolegu im ka qenë serb ortodoks.

Në po të njëjtin vit, Kroacia ka detyruar pakicën serbe të vendit të largohet dhe unë kam pasur të njëjtin problem, sepse nuk kam mundur ta justifikoj këtë veprim. Nuk është e nevojshme të thuhet se unë jam kroat i besimit katolik.

A ka faj kolektiv?

Përgjegjësia kolektive në formën e ndëshkimit kolektiv përdoret shpesh si masë disiplinore në institucionet e mbyllura, të tilla si burgjet. Është praktikuar në shoqëritë totalitare dhe në kohë lufte. Nazistët kanë aplikuar përgjegjësinë kolektive në Luftën e Dytë Botërore, duke masakruar civilë, si hakmarrje për ushtarët e vrarë. Gjermanët etnikë në Evropën Qendrore dhe Lindore janë mbajtur kolektivisht përgjegjës për krimet naziste, çfarë ka rezultuar me dëbimin e tyre nga disa vende pas Luftës së Dytë Botërore.

Në vitin 2013, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka nënshkruar një dekret, që i bën familjet dhe miqtë e terroristëve të dënuar financiarisht përgjegjës për dëmet e shkaktuara nga veprimet e atyre terroristëve. Parlamenti rajonal i Çeçenisë, këtë vit, ka shkuar edhe më larg, duke paraqitur një projektligj te Duma shtetërore ruse, i cili bën thirrje për dënime të rënda me burgim për familjet e terroristëve.

Ligji në shoqëritë moderne demokratike ndëshkon autorët e krimeve, por vendosmërisht refuzon parimin e fajësisë kolektive.

Por, a ka apo duhet të ketë përgjegjësi kolektive?

Është e vërtetë që miliona njerëz në Paris dhe në të gjithë Francën kanë marshuar më 11 janar për të shpehur neverinë e tyre ndaj terrorizmit, ashtu siç kanë bërë mijëra të tjerë në vende të tjera, përfshirë edhe shumë myslimanë.

Por, kjo nuk mjafton.

Lassana Bathily, mysliman me prejardhje nga Mali, punëtor në një dyqan hebre në Paris, ka bërë shumë më shumë. Ai ka çuar së paku 15 konsumatorë në një frigorifer në bodrum dhe i ka shpëtuar ata, pasi një person i armatosur islamist ka hërë në dyqan më 9 janar.

Deklaratat e liderëve nuk mund të mposhtin radikalizmin islamik ose ortodoks, por veprimet si të Bathilyt munden.

Ky është një proces që fillon në shkolla, familje, xhami dhe kisha. Shumë korrespondentë të Radios Evropa e Lirë kanë theksuar se në lutjet e së premtes më 9 janar, në xhamitë nëpër Euroazi, nuk janë përmendur direkt sulmet në Paris.

Asnjë protestë kundër terrorizmit, e përmasave të para në Paris, nuk ka ndodhur në Pakistan ose Nigeri. Këshilli i Myftive në Rusi “ka dënuar me zemërim” sulmin në Paris, por duket se ka hedhur një pjesë të fajit edhe mbi stafin e Charlie Hebdo. “Ndoshta mëkati i provokimit në botën tonë nuk është më pak i rrezikshëm për paqe sesa mëkati i atyre që kanë rënë në këtë provokim”, ka thënë ky trup fetar. “Të fyesh ndjenjat e besimtarëve është e papranueshme, ashtu siç është i papranueshëm edhe çdo manifestim i ekstremizmit”, ka shtuar ai.

E vërteta është viktima e parë

A është “mëkati” i fyerjes së ndjenjave të dikujt i barabartë me një sulm terrorist?

Pra, përsëri, çka në lidhje me përgjegjësinë kolektive? A ndjehen përgjegjës prindërit e terroristëve, miqtë e tyre, mësuesit e tyre?

Duke gjykuar nga numrat e sulmeve terroriste gjatë dhjetë vjetëve të fundit, të gjithë kemi dështuar në këtë aspekt. Rreth 3,600 njerëz janë vrarë në sulmet terroriste në vitin 2000. Vitin e kaluar, janë regjistuar gati 18,000 viktima.

A jemi ne në media përgjegjës për citimin e politikanëve të papërgjegjshëm që flasin gjuhë të urrejtjes? Ose, përkundrazi, a e injorojmë shpesh? A mendojmë vërtet se është e mjaftueshme të postojmë në ueb-faqet tona apo ekranet tona telvizive "Je Suis Charlie" (Unë jam Charlie)? Heshtja për urrejtjen është krim, që e bën edhe më të keq.

Partitë populiste dhe anti-imigrante, që po fryhen në votimet e pjesës më të madhe të Evropës, nuk kanë pritur që të zbulohet identiteti i sulmuesve para se të vendosin saktësisht se kë të fajësojnë për masakrën e 17 njerëzve në Paris.

Geery Wilders, politikan holandez që po përballet me gjyq për nxitje të urrejtjes racore, ka thënë se Evropa është tani në “luftë” dhe ka bërë thirrje për “deislamizimin” e shoqërive perëndimore. Në Britani, lideri i UKIP-it, Nigel Farage, ka ngritur pyetje rreth, siç ka thënë, “politikës bruto të multikulturalizmit” në Evropë. Edhe para sulmit, politikani populist çek, Tomio Okamura, partia e të cilit “Agimi i Demokracisë Direkte” mban 14 vende në Parlamentin çek, prej 200 ulësesh, u ka bërë thirrje çekëve që të çojnë qenë dhe derra në xhami – kafshë këto që konsiderohen të papastra në Islam.

Thuhet se e vërteta është viktima e parë e luftës. Politikanët, liderët fetarë dhe gazetarët – nëse nxisin gjuhë të urrejtjes ose nëse e tolerojnë atë duke mos vepruar kundër saj – do të jenë viktima eventuale të saj. A janë banorët lokalë në një fshat afgan përgjegjës për justifikimin e vrasjeve, sepse ata nuk i pëlqejnë karikaturat satirike? Kush do t’ua thotë atyre këtë nëse jo imami i tyre lokal?

Populistët dhe terroristët janë duke bërë të njëjtën punë – ata duan të rrëmbejnë të drejtën tonë që të jemi individë dhe na flakin në grupe, duke reduktuar identitetin tonë në të qenët myslimanë, ortodoksë, katolikë, hebrenj e kështu me radhë.

Gabimi më i madh që një regjim, media ose çdo individ mund të bëjë, është të trajtojë terrorizmin si krim kolektiv. Qasja se “ata na e kanë bërë këtë” mund të çojë në luftë. Dhe, kjo është saktësisht arsyeja se përse miqtë e mi myslimanë janë të brengosur tani.

Terroristët duan të përhapin frikë dhe urrejtje. Nëse frika mbizotëron, terrorizmi do të mbizotërojë. Aq sa serbët duhet të këmbëngulin në drejtësi për përgjegjësit e masakrës së Srebrenicës, po aq dhe myslimanët duhet të kërkojnë drejtësi për terroristët nga Parisi në Peshauar.

Kolegët e mi nga Azia Qendrore, Serbia dhe unë mund të flemë të qetë. Nuk kemi bërë asgjë të keqe. Nuk duhet të ndjehemi fajtorë. Dhe po, nuk ka faj kolektiv, por "Je Suis Charlie" nuk mjafton.(REL)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat