Dosja e rrallë britanike: Operacioni i fshehtë me nëndetëset në Vlorë

Reportazhe

Dosja e rrallë britanike: Operacioni i fshehtë me nëndetëset në Vlorë

Më: 21 dhjetor 2014 Në ora: 15:10

Një dosje e rrallë sekrete zbulohet në Arkivin Britanik, e cila publikohet për herë të parë në gazetën “Panorama”. Bëhet fjalë për një çështje top-sekret, e cila u hap si dosje vetëm vitin e kaluar nga autoritetet britanike.
Një dosje e rrallë sekrete zbulohet në Arkivin Britanik, e cila publikohet për herë të parë në gazetën “Panorama”. Bëhet fjalë për një çështje top-sekret, e cila u hap si dosje vetëm vitin e kaluar nga autoritetet britanike.

Një dosje pune e kryeministrit britanik, Klement Etli, e marsit 1950, flet mbi mënyrën se si britanikët kryen një fluturim sekret mbi gjirin e Vlorës në fundin e marsit 1950, për shkak se marina britanike kishte hasur dy nëndetëse sovjetike që kishin hyrë në ujëra shqiptare dhe ishin ankoruar në Vlorë.

Për të konfirmuar më tej këtë informacion, ministri i Aviacionit Britanik i kërkoi leje kryeministrit që të urdhërojë fluturim special vëzhgimi në Shqipëri. Por dosja e plotë tregon se kryeministri ka hezituar për dy arsye. Së pari nga frika se ky fluturim mund të zbulohej nga shqiptarët dhe, nëse kjo ndodhte, atëherë pala shqiptare mund të ngrinte këtë çështje në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për shkeljen e sovranitetit territorial të Shqipërisë, çka mund ta vinte Britaninë e Madhe në një situatë të vështirë politike dhe diplomatike. Kjo për shkakun se britanikët sapo kishin fituar gjyqin mbi incidentin e kanalit të Korfuzit, ku edhe çështja e shkeljes së ujërave territoriale dhe sovranitetit të Shqipërisë ishte një temë e nxehtë. Përsëritja e kësaj situate mund të krijonte probleme të mëtejshme.

Pikërisht për këtë arsye, në lidhje me këtë çështje, kryeministri britanik Klement Etli kërkon edhe mendim ligjor nga juristët e Gjykatës Mbretërore dhe vetëm pasi sigurohet nga inteligjenca e aviacionit se shqiptarët nuk mund të zbulonin këtë fluturim sekret për shkak se nuk kishin radarë modernë, ai dha urdhrin për këtë fluturim sekret mbi Shqipëri. Pas urdhrit të tij, u krye edhe fluturimi për vëzhgimin ajror, me qëllim zbulimin e nëndetëseve sovjetike në Vlorë.

Më datë 31 mars 1950, kryeministri mori lajmin se dy nëndetëset sovjetike nuk ishin hasur në Shqipëri, por i konfirmohet se ishte siguruar tjetër informacion i vlefshëm, që do të analizohej më vonë, por që nuk ndodhet në këtë dosje. Gjithsesi, britanikët mbeteshin të sigurt se dy nëndetëset sovjetike hynë në Mesdhe dhe u ankoruan në Shqipëri dhe fakti që nuk u zbuluan nga avioni sekret, kishte të bënte me faktin se fluturimi zbulues ndodhi me vonesë dhe nëndetëset kishin ikur sërish nga Vlora, duke mos qëndruar gjatë në Shqipëri.

Në dokumentet që publikojmë sot, nuk paraqitet misioni dhe lloji i nëndetëseve sovjetike që kishin qenë më parë në Shqipëri, por nga mënyra si interesohej kryeministri britanik për ekzistencën e tyre, duket qartë qëllimi i autoriteteve të Londrës për të studiuar arsenalet e kampit tjetër që kishin filluar të instaloheshin në Mesdhe. Sidoqoftë, kjo dosje sekrete mbetet tepër interesante për zbulimin e faktit të panjohur që sovjetikët kanë sjellë nëndetëse shumë më herët seç mendohej në Shqipëri dhe se pala shqiptare ishte tërësisht e gatshme për t’iu nënshtruar atyre. Vetë rreshtimi i Shqipërisë në aleancën me Bashkimin Sovjetik parakuptonte, ndër të tjera, edhe bashkëpunimin ushtarak, që shkoi në rritje deri në fillimin e viteve ’60. Në mesin e viteve ’50, në Vlorë, Pashaliman, do të instaloheshin 12 nëndetëse sovjetike, duke krijuar një bazë detare nga më të fuqishmet në Mesdhe, për të cilën do të angazhoheshin me vite ushtarakët e NATO-s, sidomos shërbimet inteligjente të Aleancës së Atlantikut të Veriut, për t’i paraprirë një rreziku të mundshëm. Sidoqoftë, kjo është një histori tjetër, që i përket një kohe të mëvonshme nga ajo e interesimit të kryeministrit britanik në vitin ’50 për ekzistencën e nëndetëseve sovjetike në Shqipëri. Po çfarë përmban dosja e kryeministrit britanik, Klement Etli, rreth operacionit të vëzhgimit sekret për zbulimin e nëndetëseve sovjetike në ujërat shqiptare, në mars të vitit 1950…

DOKUMENTI NR 1
Ministria e Aviacionit Top sekret

Z. kryeministër
Kohët e fundit jemi pyetur nga inteligjenca detare për të nisur një fluturim të veçantë zbulimi sa më shpejt të jetë e mundur mbi gjirin e Vlorës në Shqipëri, ku është raportuar prezenca e dy nëndetëseve sovjetike. 2-Shpresohet që vetëm një fluturim do të jetë i nevojshëm, por, nëse moti do të jetë i papërshtatshëm, atëherë mund të nisen edhe 3 fluturime. Avioni do të fluturojë në kuotën e 30 mijë këmbëve lartësi dhe, përderisa në dijeninë tonë shqiptarët nuk janë të pajisur me interceptorë modernë të fluturimit apo me radarë paralajmërues, risku i zbulimit është i papërfillshëm dhe në fakt nuk mund të ndodhë zbulimi i avionit. 3-Ministri i Jashtëm e aprovoi propozimin për këtë pjesë dhe unë bie dakord që ky fluturim zbulimi të bëhet, por më duket me vend të tëinformoj në çka propozohet. 4-Po i dërgoj kopje të kësaj shkrese ministrit të Mbrojtjes dhe ministrit të Jashtëm. 17 mars 1950

DOKUMENTET NR 2

Top Sekret
17 mars 1950
I nderuar ministër i Aviacionit, z.Shearer Siç ua thanë në telefon mbrëmjen e kaluar, kryeministri e mori shkresën nga sekretari juaj i shtetit për një fluturim zbulimi mbi Shqipëri dhe komentoi: “Dua të kem edhe mendimin e oficerëve të ligjit. Ne vetëm së fundmi sapo fituam çështjen në gjyq ndaj Shqipërisë” (Gjyqi për incidentin e kanalit të Korfuzit- shënim i autorit) Ndoshta ju do të keni çështjen e duhur që duhet të ngrini. Kopje të kësaj letre e dërgoj edhe te Tomkins në Ministrinë e Jashtme dhe te Wood në Ministrinë e Mbrojtjes.

DOKUMENTET NR 3

Gjykata Mbretërore / Londër/
20 mars 1950
I nderuar Kryeministër

Më njoftuan që ju dëshironi një mendim në lidhje me çështjen, nëse aviacioni mund të bëjë një fluturim zbulimi për të konfirmuar raportimin nëse nëndetëset janë ankoruar në gjirin e Vlorës, në bregdetin e Shqipërisë. Më njoftuan se fluturimi zbulues do të jetë në 30 mijë këmbë lartësi dhe kjo do të bëhet për të evituar gjurmën e avullit të avionit dhe, përderisa shqiptarët nuk janë të pajisur me radar në dijeninë tonë, është me tepër mundësi që avioni nuk do të zbulohet dhe se risku i zbulimit është pothuaj i papërfillshëm. Unë besoj se mundësia dhe pajisjet e radarit të vetë nëndetëseve është marrë parasysh. Sigurisht dhe pa dyshim që një fluturim i tillë mund të përfshijë shkeljen e sovranitetit të Shqipërisë dhe, siç jeni në dijeni, shqiptarët u ankuan gjatë çështjes së kanalit të Korfuzit për shkeljen e sovranitetit të Shqipërisë nga britanikët, ashtu si vendet e tjera të Europës Lindore janë ankuar në të kaluarën për shkeljen e sovranitetit të tyre nga ajri. Nëse shqiptarët do të jenë në dijeni të këtij fluturimi zbulimi dhe nëse do të jenë në gjendje ta zbulojnë fluturimin, ata mund të kërkojnë ta ngrenë çështjen në Këshillin e Sigurimit apo të kërkojnë dëmshpërblim në Gjykatën Ndërkombëtare, pavarësisht se ata nuk janë anëtarë të Kombeve të Bashkuara apo pjesë e statutit të Gjykatës Ndërkombëtare, por procedura e parashikon në nenin 35 për shtete jo anëtare dhe mund të çojnë në gjykatë. Gjithsesi, unë mendoj se shqiptarët mund t’i ndjekin këta hapa, megjithëse unë nuk e di se ç’pasoja politike dhe diplomatike mund të ndodhin. Në këtë pikëpamje, në rëndësinë që ka sigurimi i informacionit për nëndetëset sovjetike në Mesdhe, ka për t’u bërë kundër çdo padyshimi joligjor në fluturimet zbuluese mbi territoret e vendeve të tjera. Ju me të drejtë mund të mendoni se në metodat që po përdoren kundër nesh, ne nuk mundemi që në një rast të tillë t’i lejojmë vetes të jemi shumë skrupulozë duke ditur riskun që kemi përballë dhe ky fluturim zbulimi duhet të bëhet. Duhet të vëzhgohet që mund të ketë ndonjë mundësi që nëndetëset mund të jenë larguar nga Vlora, nisur nga fakti që ato janë zbuluar në port kohë më parë. Një kopje të kësaj letre po e nis edhe te ministri i Jashtëm, Ministria e Aviacionit dhe te Thesari.

DOKUMENTET NR 4
Top sekret 20 mars 1950

Drejtuar 3 ministrive

Lidhur me çështjen e datës 17 mars, Kryeministri mori edhe letrën e datës 20 mars për këtë çështje, dhe urdhëroi që fluturimi i zbulimit të bëhet.

DOKUMENTET NR 5

Top sekret 31 mars 1950

Kabineti Z Kryeministër

Mësuam nga Ministria e Aviacionit se fluturimi zbulues mbi gjirin e Vlorës në Shqipëri u realizua nga aviacioni mbretëror. Nuk ka asnjë shenjë të nëndetëseve sovjetike, por është përfituar një informacion i vlefshëm nga ky fluturim, i cili po analizohet. Forcat e Aviacionit Mbretëror janë konfidente se ky fluturim vëzhgimi nuk u zbulua./Panorama/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat