Nishani organizon Ballon Presidenciale (Foto)

Reportazhe

Nishani organizon Ballon Presidenciale (Foto)

Më: 21 dhjetor 2014 Në ora: 00:28

Presidenti Bujar Nishani dhe Zonja e Parë, Odeta Nishani kanë organizuar Ballon Presidenciale.

Aktiviteti është zhvilluar në ambientet e Pallatit të Kongreseve në praninë e shumë të ftuarve, personalitete nga fusha të ndryshme.

“Tashmë ajo që ne e kemi quajtur ‘Ballo Shqiptare’, presidenciale, po ngre tiparin e saj për të dytën herë në prag të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri duke rikthyer mes nesh një traditë që zë fill qysh nga vitet ’30-të në shtetin tonë.

Një moment i tillë është frymëzuar nga dëshira e mirë për t’u takuar me ju, personalitete të vendit të fushave të ndryshme, për të kaluar një darkë së bashku, për të kuvenduar, për t’ju shprehur mirënjohjen time për punën tuaj si dhe për të nxitur ndihmën për të tjerët, me aq sa mundemi” tha në fjalën hapëse presidenti Nishani.

“E kemi të qartë nivelin e tij. Shtresat e njerëzve në nevojë, të cilat i kanë sytë nga institucionet dhe shoqëria nuk janë të pakta – tha Presidenti duke shtuar se – personalisht mendoj që askush nuk mund ta kërkojë lumturinë e qetësinë e tij tek izolimi dhe egocentrizmi. Ato krijojnë krizë etike dhe sociale”.

“Në kohë të vështira historike bashkë me mikpritjen dhe besën, të certifikura nga të gjitha kodet e tyre, shqiptarët e kanë pasur të fortë edhe ndjenjën e solidaritetit.

Diskutimi mbi solidaritetin njerëzor nuk është aspak një diskutim moralizues. Përkundrazi, është diskutimi më i vlefshëm dhe me vlerë praktike, që i shërben më së shumti dobishmërisë faktike.

Ashtu siç ka njerëz me jetë relativisht të qetë dhe të suksesshme, ka edhe njerëz në nevojë, njerëz jo të lumtur, të vetmuar, të braktisur, të sëmurë.

E mira do ishte që askush dhe askurrë të mos e ndiente veten të vetmuar dhe të braktisur.

Kjo nuk është e mundur.

Por nuk duhen lënë në fatalitet për sa kohë ekziston solidariteti njerëzor”, theksoi në fjalën e tij, presidenti.

Për Nishanin, mjerimi, veçimi, braktisja, sëmundjet, janë dhimbje që solidariteti njerëzor mund t’i zbusë.

“Pasuria, fama, pushteti nuk duhen konsideruar si brigjet e një ishulli që i ndan njerëzit nga ambienti duke krijuar modelin e dy republikave: atë të një kaste dhe tjetrën të popullit, por si një mundësi fatlume për të qenë më të ndjeshëm, më solidarë, më pranë njerëzve dhe halleve të tyre të përditshme e shumë më tepër pranë fëmijëve të sëmurë, familjet e të cilëve i mbështesin me vështirësi të mëdha”, deklaroi Presideni i Shqipërisë.

“Të tillë janë edhe fëmijët që vuajnë nga sëmundjet e gjakut, të cilët nesër mund të ndihen më të motivuar për të përballuar sfidat e shëndetit. Ata mund të ëndërrojnë dhe shpresojnë për gjëra më të bukura falë kontributit tonë në këtë sallë”, nënvizoi ai.

Realizimi i solidaritetit human është sfida më e rëndësishme me të cilën një sistem shoqëror duhet të përballet.

Përballimi i kësaj sfide nuk është as i thjeshtë dhe as i lehtë, përkundrazi tejet i vështirë dhe tepër delikat.

Por, nuk ka gjë më rrënuese për një shoqëri se sa braktisja e njerëzve në nevojë.

Ndjeshmëria, dhembshuria, dashuria, të shprehura dhe të aplikuara me veprime konkrete të atij që akumulon ndaj tjetrit që humbet, me shkurtim distance, ngjallje shprese, vetëdije pjesëmarrjeje, në mënyrë që askush të mos e ndiejë veten përgjithmonë të braktisur, është e vetmja zgjidhje”, tha në fund të fjalës së tij, presidenti Bujar Nishani.

Presidenti i Republikës vlerësoi gjatë kësaj veprimtarie me Dekoratën “Nderi i Kombit”, Shaban Demirajn (pas vdekjes), Mirush Kabashi dhe Aurel Plasari; me titullin “Mjeshtër i Madh” Ismail Keta, ndërsa me titullin “Për merita të veçanta civile” zonjën Anila Godo.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat