Masakra – Rrëfimi rrëqethës i të mbijetuarve të Peshavarit

Reportazhe

Masakra – Rrëfimi rrëqethës i të mbijetuarve të Peshavarit

Më: 20 dhjetor 2014 Në ora: 02:06

Dawood Ibrahim po falënderon fatin e tij pasi alarmi i mëngjesit nuk ia doli ta zgjojë, e për këtë arsye ai është ende gjallë. Dawood vazhdoi të flinte, teksa shokët e tij të klasës përjetuan masakrën në shkollën e tyre në Pakistan.

15-vjeçari është tashmë i vetmi nxënës i klasës së nëntë të Shkollës Publike Ushtarake në Peshavar, pasi terroristët vranë të gjithë shokët e tij.

Historia e Dawood u bë e njohur pas një postimi në Twitter ku shkruhej: “Klasa 9 nuk ekziston më, Dawood është i vetmi i mbijetuar”. Vëllai i tij më i madh, Sufyan Ibrahim, konfirmoi shpëtimin e tij për mrekulli për të përditshmen “Express Tribune” të Pakistanit.

Ai tha: “Ishte fat. Asnjë nga shokët e tij nuk mbijetoi. Çdonjëri prej tyre u vra”.

Besohet se klasa e 15-vjeçarit u vra nga një kamikaz. Dawood e kaloi mëngjesin e asaj dite duke marrë pjesë në funeralet e shokëve, ndërsa një natë më parë kishte festuar në një dasmë.

Skena tmerruese dolën në pah në ambientet ku mbetën të vrarë nga talebanët 132 fëmijë të pafajshëm dhe 9 mësues në një shkollë shtetërore ushtarake në Peshavar.

Ehsan Elahi, një 13-vjeçar, tregon se si ai mbijetoi duke u shtirur si i vdekur pasi u qëllua dy herë në krah nga militantët që qëlluan kudo me plumba.

Duke folur për “Daily Mail” nga dhoma e spitalit, nxënësi tha se po mësonte ndihmën e parë, kur dëgjoi të shtëna në korridor.

Ai tha: “Mësuesit tanë dhe instruktorët na kërkuan të qetësoheshim, por plumbat vazhdonin të na afroheshin. Dikush shkelmoi derën dhe të shtënat nuk ndaleshin”.

“Të gjithë përpiqeshin të gjenin një vend për t’u fshehur, por në korridor nuk kishe ku fshiheshe”, shtoi ai. Elahi pa mësuesit dhe shokët e vet të qëlloheshin në kokë, kraharor, krahë dhe këmbë.

Ata qëlluan për rreth 10 minuta dhe pastaj ndaluan. Pas një minute filluan përsëri duke qëlluar ata që ishin plagosur.

“Unë doja të qaja sepse u qëllova në krah dy herë, por të qaje në atë situatë do të thoshte vdekje”, tregon ai.

Më në fund, në shkollë mbërriti ushtria vendase dhe talebanët u larguan. Djali tregon se nuk lëvizi nga vendi dhe se korridori ishte kthyer në një pellg gjaku.

“Pashë fytyrat pa jetë të miqve të mi, i kam ende parasysh”, rrëfen 13-vjeçari i mbijetuar. Një tjetër nxënës tregon se si pa të digjej e gjallë mësuesja e tij që i doli përpara terroristëve dhe u tha nxënësve të largoheshin.

Afsha Ahmed, 24 vjeçe, u përball me burrat e armatosur dhe u tha atyre se do t’i vrisnin nxënësit vetëm nëse kalonin mbi trupin e saj të vdekur.

Militantët e spërkatën me benzinë dhe i vunë flakën.

Një nga nxënësit tregon: “Ajo ishte një heroinë, shumë e zonja. Ajo i doli përpara dhe na mbrojti.”

“U ndjeva shumë egoist kur vrapuam për të shpëtuar jetën tonë në vend që të shpëtonim mësuesen, e cila sakrifikoi veten për ne”, shtoi ai.

Funerale të shumta u mbajtën në Peshavar pas masakrës së përgjakur dhe të pashpirt që hidhëroi të gjithë kombin e Pakistanit. Kryeministri vendas nxori një moratorium për dënimin me vdekje, teksa shkolla u rihap për të zbuluar tmerret që ndodhën në ambientet e saj.

Masakra nxiti thirrjet për kthimin e dënimit me vdekje. “U vendos që ky moratorium duhet të hiqet”, tha zëdhënësi i qeverisë, duke iu referuar miratimit të vendimit të kryeministrit Nawaz Sharif për shtyrjen e afatit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat