Kërkon ndihmë për 14 fëmijët e saj

Reportazhe

Kërkon ndihmë për 14 fëmijët e saj

Më: 3 tetor 2014 Në ora: 18:55

Eliza katër vjeçare e Alea pesë muajshe rrezikohen të mos e përballojnë këtë dimër. Ato vuajnë nga bronhipleomenia. Familja e tyre nuk i ka as kushtet elementare për jetesë. Jetojnë në një familje 17 anëtarëshe me vetëm një pagë prej 250 euro. Një litër qumësht dhe një kavanoz marmelatë i kanë për momentin 14 fëmijët në këtë familje.

Shtëpia në të cilën jetojnë nuk është e tyre dhe brenda saj mbretëron një ftohësi maksimale, madje edhe shiun e lëshon brenda. Nëna Bahrije ka frikë se fëmijët e saj nuk do të mund ta presin verën e vitit të ardhshëm. Ajo tashmë i ka humbur të gjitha shpresat për një jetë normale me fëmijët e saj. Krejt çka kërkon është një kulm mbi kokë, vetëm të shpëtojë jetën e 14 fëmijëve të saj.

Në një lagje pranë parkut të qytetit në Prishtinë, jeton Bajram Mustafa me bashkëshorten Bahrijen, 14 fëmijët e tyre dhe nënën 80 vjeçare.

KosovaPress ka vizituar familjen Mustafa një natë përpara festës së Kurban Bajramit. Ata rrëfejnë jetën e vështirë që po e bëjnë dhe kërkojnë nga të gjithë njerëzit qëllim mirë që të iu ndihmojnë me aq sa munden.

Gentiana, vajza e tyre e madhe vuan nga epilepsia e Donjeta 10 vjeçare ka problem me të folur. Për më tepër, nga kushtet e vështira e moti i ftohtë, Eliza dhe Alea jetojnë me terapi, kostoja e së cilës është e papërballueshme për prindërit, ku vetëm i zoti i shtëpisë punon në kompaninë ‘Pastrimi’, ku ka një pagë prej 250 euro.

Bahrija rrëfen për të gjitha rastet ku është drejtuar për ndihmë. Thotë se Qendra për Punë Sociale me të kuptuar se i shoqi i saj punon, nuk u ka ofruar ndonjë ndihmë apo futje në skemën e asistencës sociale.

“Po kemi kërku, asistencë sociale nuk të takon më thanë, me ligji tha nuk të takon. Duhet me na taku. 14 fëmijë me një rrogë 250 euro . Qsh me ia dalë? Mos me kanë edhe popullata nganjëherë që ndihmojnë kush sa ka mundësi. Veç me një rrogë nuk munesh”, thotë ajo.

Ajo thotë se vetëm presidentja e ka pritur në takim. Por ajo i ka thënë që nuk mund t’i ndihmojë veçse ta këshillojë duke e orientuar drejtë qendrave për punë sociale. Derisa është në pritje të thirrjes nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, pasi që i kanë thënë që do ta pres në takim.

Bahrija tregon se akoma nuk i kanë siguruar mjetet për t’u ngrohur gjatë këtij dimri.

“Dru nuk kemi, hala s’kemi marrë. Me çka me marrë? Jeta për këtë dimër ka me qenë e vështirë, veç shi çka ka ra, qikjo edhe qajo 6 muajshe kanë marrë bonhipleomeni, janë me terapi, në spital nuk kam mundur me lënë asnjërën se këta të tjerët kujna me ia lanë….kështu te shpija t’u ia dhënë terapitë”, thotë ajo.

Ajo më së shumti i frikësohet motit të ftohtë. Thotë se vajzat e vogla nuk do ta përballojnë.

“Një fëmijë na ka vdekë që një vjet e tetë muaj, u ftoh qishtu, e preku të ftohtit në zemër e myti për një javë ditë. Tash është shumë më problem, përpara e kemi shty diqysh, po sivjet qeky dimër që të vjen, të paktën qito dyja s’kanë me mujt me ia dalë, verën vështirë që e presin, se brohipleomenia është e rëndë...Kanë me u smu shumë, është ça shtëpia, po rrjedhë uji krejt , përfuni krejt lagështi, që qysh janë shfaqë bubat, krejt bubat në tana anët, se di, s’po shoh zgjedhje tjetër, kërko ndihmë aty e aty, tash veç me i marrë edhe me shku me ra në Batllavë, me u fundosë, tjetër sen s’di”, thotë ajo.

E festa e Kurban Bajramit, 14 fëmijët e Bahrijes i gjenë në gjendje më të rëndë se kurrë më parë. Ajo nuk ka se çfarë të iu ofrojë fëmijëve të saj. Madje thotë se edhe bashkëshorti herë pas here ka problem me shëndet. E nëse gjendja e tij përkeqësohet, Bahrija thotë se i humb të gjitha shpresat për jetë.

“Për këtë Bajram ky rrogë nuk merr se rrogën iu ka dashtë me tërhek para kohe për me marrë terapinë për këto dy vajzat e vogla. Për këtë Bajram ky rrogë s’ka hiç. Këta të voglit hala nuk e dinë që po afrohet festa e Bajramit.. Këta hala nuk e dinë, kjo sot kish dëgju te shkolla, tha mam a po vjen dita e Bajramit a? Tash po ka vakt edhe pak, çka me i thanë”, thotë ajo.

Gjashtë prej fëmijëve të Bahrijes vijojnë mësimet në shkollë, e për të siguruar veshmbathje për ta ajo e ka shumë vështirë. Kërkon ndihmë nga kushdo që ka mundësi. Por prioritet për të është një shtëpi, sepse thotë se nëse vazhdojnë në atë shtëpi fëmijëve iu rrezikohet jeta.

“Thirrja jem për bamirësit është që të na ndihmojnë ta kalojmë këtë muaj, kush ka mëshirë, një kulm shtëpie dikun, dy dhoma, dy dhoma i bëjmë kabull, veç me u hjek prej këtij uji, me i shpëtu këta fëmijë prej dimrit, mos të jau marrim jetën me zor”, thotë ajo.

Kësaj familje ia kanë këputur energjinë elektrike dhe ujin. Ata nuk kanë mundur të paguajnë më dhe tash e kanë shumë të vështirë të gjinden në një situatë të tillë. Thonë se vetëm fqinji iu ndihmon të sigurojnë dritë sa për fëmijë.

Familja Mustafa në Prishtinë e cila ka 17 anëtarë, po lufton me jetën. Jetojnë në një shtëpi të huaj ku në çdo moment mund të dëbohen. Katër prej fëmijëve të tyre kanë probleme shëndetësore derisa të mjekohen është pothuajse e pamundur për shkak të mungesës së kushteve ekonomike. Gjashtë prej fëmijëve shkojnë në shkollë në situatë mjaftë të rëndë. I zoti i shtëpisë Bajram Mustafa punon në kompaninë ‘Pastrimi’ ku përfiton 250 euro, ndërsa nëna Bahrijë ballafaqohet çdo ditë me fëmijët dhe kërkesat e tyre. Shpesh duke mos pasur as përgjigje për ta./Telegrafi/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat