Ngrohja globale: Si po zhduket qielli në Kinë nga smogu

Reportazhe

Ngrohja globale: Si po zhduket qielli në Kinë nga smogu

Më: 1 tetor 2014 Në ora: 13:13

Një ekran gjigant i vendosur në sheshin Tiananmen në Pekin iu kujtoi kinezëve një plagë të vjetër: mungesën e qiellit. Smogu ka pushtuar qiellin saqë ngjyra ‘bojëqielli’ në Kinë është zëvendësuar me grinë e ndotjes. Republika Popullore e Kinës e tejkaloi nivelin e ndotjes për frymë të vendosur nga Bashkimi Europian, për herë të parë vitin e shkuar dhe hyri në një rekord të ri botëror për çlirimet e gazit serë, që është shkaktari i ndryshimeve klimatike.

Situata në qytetet kryesore u përkeqësua në muajin korrik të këtij viti, ku veriu është më problematiku. Sipas shkencëtarëve në dy universitete britanike, çlirimi i gazeve serë në atmosferë po shkakton ndryshimet klimatike. Ata vlerësojnë se njerëzit kanë çliruar deri më tani dy të tretën e masës së lejuar dhe se tejkalimi i kufijve do të sillte ndryshime drastike. Nëse ndotja vazhdon me të njëjtin ritëm, limiti i karbonit të pranueshëm do të arrihet brenda 30 viteve, u tha në raportin për Kombet e Bashkuara.

Çdo person në Kinë prodhon 7.2 tonë dioksid karboni krahasuar me mesataren 6.8 tonë në Europë, 16.4 tonë në SHBA dhe 1.9 tonë në Indi, për vitin 2013.

Ndotësi më i madh

Kina mbetet prodhuesi më i madh në botë i gazeve serë, që prej shtatë vitesh të shkuara kur kaloi SHBA-në. Studiuesit kanë parashikuar se çlirimi global i karbonit do të rritet me 2.5% në vitin 2014, duke e çuar ndotjen e karbonit në rekordin 40 miliardë tonë. Në vitin 2013, çlirimi i gazeve në atmosferë u rrit me 4.2% në Kinë, 2.9% në SHBA dhe 5.1% në Indi.

“Nuk është e drejtë të fajësohet Kina bazuar vetëm në çlirimin e karbonit”, – tha Dai Xingyi, një profesor në Departamentin e Shkencave Mjedisore dhe Inxhinierike, në Universitetin Fudan në Shangai. “Sepse Kina ka një popullsi të madhe që varet nga qymyri për shumë kohë dhe nuk mendohet të heqë dorë në një të ardhme të afërt”.

Raporti i OKB-së vendosi se 3,200 miliardë tonë karbon mund të çlirohen në atmosferë për të pasur 2/3 shanse që të ruhet rritja me 2 gradë Celsius e ngrohjes globale. Temperaturat janë rritur tashmë me 0.85 gradë që prej vitit 1880 dhe trajektorja e tanishme tregon se ato do të rriten me 3.7 gradë Celsius, vlerësoi OKB-ja.

Rreziqet që i kanosen njerëzimit nga ngrohja globale janë lëkundjet e temperaturave, niveli në rritje i deteve, shkrirja e akullit dhe katastrofat natyrore.

“Koha për një revolucion të qetë në sjelljen tonë ndaj ndryshimeve klimatike ka mbaruar”, – tha Pierre Friedlingstein, një profesor i Universitetit Exeter që merret me studime mbi këtë çështje. Çlirimi i gazeve në atmosferë duhet të ulet me 5% ose më shumë në vit për disa dekada që të mos rritet temperatura me më shumë se 2 gradë. Një studim më vete solli shpresë se shtimi i çlirimeve të gazeve në Kinë mund të ulet.

Kërkesa për qymyr në shtetin aziatik mund të arrijë pikun këtë vit, sipas Iniciativës së Gjurmuesit të Karbonit, një grup jofitimprurës me bazë në Londër.

“Ka shumë shenja që tregojnë se kërkesa kineze për qymyr është pranë kulmit, gjë që do të shkaktojë një ndryshim në treg”, – tha Antoni Hoblej, shef ekzekutiv në raport. Ky është një biznes i rrezikshëm për investitorët”.

Disa javë më parë, zyrtarët kinezë u zotuan se do të ulnin çlirimin e karbonit në atmosferë për njësi të Prodhimit të Brendshëm Bruto, me 50% në vitin 2020 krahasuar me nivelet e vitit 2005. Komisioni Kombëtar për Zhvillim dhe Reformë tha se do të ulte djegien e formave më ndotëse të qymyrit dhe se do të stabilizonte çlirimin nga industria e çelikut dhe çimentos.

Samiti

Samiti i Nju Jorkut i organizuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, ka qëllim të japë një vrull të ri në negociatat për formimin e një traktati të mbrojtjes globale të klimës në një konferencë që do të mbahet në Paris në dhjetorin e vitit 2015. Përfaqësuesve nga 190 shtete iu është kërkuar që të zotohen për pakësimin e emetimeve, kërkesë që vlen edhe për kombet e varfra, ashtu edhe për ato të pasura, duke filluar nga viti 2020.

Teksa Presidenti Barak Obama do të marrë pjesë në takim, liderë nga Kina, India dhe Gjermania do të mungojnë. BE-ja, Kina, SHBA-ja dhe India së bashku çlirojnë rreth dy të tretat e gazeve në atmosferë dhe shkaktojnë 80% të ndotjes në rritje, sipas studimeve akademike.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat