Indianët, nga vegjetarianë, në të çmendur pas mishit

Reportazhe

Indianët, nga vegjetarianë, në të çmendur pas mishit

Nga: Mallika Kapur, CNN Më: 3 shtator 2014 Në ora: 19:14

Unë jetoj në kodrën Malabar në Mumbai, një zonë e qytetit, banorët e të cilit i përkasin përgjithësisht komunitetit jain dhe gujarati dhe të qenët vegjetarianë është një pjesë e rëndësishme e identitetit të tyre kulturor.

Unë, pavarësisht kësaj, e ha mishin. A jam një përjashtim i lagjes sime? Jo më.

Rezulton se gjithnjë e më shumë njerëz po e braktisin të qenët vegjetarianë në Indi, që duket se i del kundër asaj që po ndodh në shumë vende të tjera, ku njerëzit po e lënë mishin për perimet.

India është tanimë një nga tregjet me rritjen më të shpejtë për blerjen e pulave në botë. Oreksi për pula po rritet me rreth 12 për qind në vit, sipas Zyrës së Vëzhgimeve Kombëtare të Indisë, që do të thotë më shpejt se çdo lloj mishi tjetër.

Kjo do të thotë shumë, sepse India është ende mes konsumuesve më të ulët të mishit në botë.

“Ata jo vetëm që po e hanë, por edhe po flasin më shumë rreth tij”, thotë Rushina Munshaw Ghildiyal, një shkrimtare e njohur e ushqimit indian dhe këshilltare. “Është më e pëlqyeshme të flitet për dashurinë ndaj ishit sesa ndaj perimeve!”

Ekonomia nxit oreksin për mish

Ajo thotë se indianët po zhvillojnë shije të reja, sepse të ardhurat e tyre janë rritur – ekonomia e Indisë po i drejtohet ngadalë rrugës së duhur. Njerëzit po fitojnë më shumë, ata po udhëtojnë më shumë dhe po përballen me kulturat e reja ndërkombëtare.

Ka më tepër ushqim të gjindshëm në Indi këto kohë. Kur isha e vogël, në Kolkata, mundësitë e gjetjes së mishit të pulës, dhisë apo peshkut ishin shumë të kufizuara.

Sot funksionon një shërbim i dërgimit të ushqimit që mund të sjellë gjithçka nga peshku ton deri te salmoni. Dyqanet vendase shesin proshutë dhe mish. Sa për pulat, ato mund t’i gjesh në të gjitha format dhe prerjet: salsiçe, sallam apo të copëtuar.

“Biznesi ka lulëzuar, ne po rritemi çdo ditë e më shumë”, thotë Perizaad Zorabian, drejtuese e tregut Zorabian të pulës, një biznes fitimprurës. Ajo ka lënë karrierën si aktore në Bollivud për t’u përqendruar në biznesin e familjes.

Mundësi të shëndetshme?

Ka shumë arsye përse indianët po drejtohen për nga pula. Arsyeja kryesore është fakti se pula është e shëndetshme. Njerëzit janë përgjithësisht më vigjilentë rreth ngrënies së ushqimeve të shëndetshme – veçanërisht brezi i ri. Duke qenë se 100 gramë mish pule ka më tepër proteina se 100 gramë thjerrëza, shumë njerëz po pëlqejnë mishin e bardhë.

Ishte një pulë e gatuar me erëzën e famshme kurri që e tundoi Nikhil Merchant të hante kafshatën e parë. Një vegjetarian gjatë gjithë jetës, ai shkoi në një restorant me kushëririn e tij një ditë. Kushëriri, që preferonte mish, porositi një pjatë të pulës me gjalpë dhe kurri. “Dukej shumë tunduese”, thotë Merchant. “E hëngra kafshatën e parë dhe u mësova.”

Kohët e fundit ai ua dha lajmin prindërve, të cilët ruajnë një dietë strikte vegjetariane. Babai i tij u përpoq ta këshillonte që të mos hante mish, por nuk ka kthim pas për Merchant. “I thashë se është pjesë e jetës sime”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat