Reuters, reportazh për gjakmarrjen në Shqipëri

Reportazhe

Reuters, reportazh për gjakmarrjen në Shqipëri

Më: 8 nëntor 2012 Në ora: 20:32

Reuters i ka kushtuar një reportazh të veçantë fenomenit të gjakmarrjes në Shqipëri. Sipas këtij reportazhi rreth një mijë familje janë de facto në arrest shtëpie si pasojë e gjakmarrjes.

Shqipëria moderne po përpiqet ende të lirohet nga disa tradita të vjetra si ajo e Kanunit, ku kodet e gjakmarrjes po rëndojnë në jetën e familjeve vendase. Rrafshnaltat e maleve të Shkodrës në Shqipëri përfaqësojnë një panoramë rurale dhe idilike, por gjithashtu dhe një pamje të qeverisur nga Kanuni, një set ligjesh që kanë sjellë në vrasjen e 17 vjeçares Marie Qukaj dhe gjyshit të saj. Sipas rregullave të ashpra të Kanunit, një kod ballkanik i shekullit të 15-të, palës së cilës i bëhet vazhdimisht padrejtësi, i jepet e drejta për të vrarë një anëtar mashkull të familjes që ofendon, në formë ndëshkimi. Kodi, i cili nuk njihet zyrtarisht nga Kushtetuta e Shqipërisë, zakonisht imponohet pa asnjë logjikë dhe në rastin e Marie Qukaj nuk janë respektuar as rregullat tradicionale të Kanunit. Sipas kodit mesjetar, vrasja e një femre është rreptësisht e ndaluar. Por vrasësit nuk e kanë kursyer adoleshenten, e cila u qëllua teksa po punonte në tokën e cila ishte pronë e familjes së saj së bashku me gjyshin në një zonë gjysmë të izoluar të Dukagjinit, pranë Shkodrës në veri të Shqipërisë. Vrasësit kanë ndëshkuar kështu vrasjen e një personi nga ana e familjes Qukaj, dy vjet më parë pas një debati mbi të drejtat për sistemin e ujitjes. Komiteti Kombëtar për Ripajtimin, i shqetësuar për numrin në rritje të vrasjeve për hakmarrje, ka rinisur një fushatë për të pajtuar familjet të cilat aktualisht janë në gjak me njëra tjetrën. Sipas kësaj organizate, të drejtuar nga Gjin Marku, ka pasur rreth 10 mijë raste të gjakmarrjeve që nga rrëzimi i sistemit komunist në fillim të vitit 1990 me rreth 1 600 familje që jetojnë de fakto në arrest shtëpie, të frikësuar nga gjakmarrja. Punës së nisur nga Komiteti i ripajtimit i është bashkangjitur dhe Kisha Katolike e Shqipërisë.
"Vendimi i kishës për të ç’kishëruar njerëzit që vrasin për gjakmarrje mund të jetë një vendim ekstrem por është një paralajmërim shumë serioz për të ardhme e shqiptarëve dhe jetën e tyre. Gjithashtu dhe për të gjitha familjet e përfshira, që gjakmarrja është kundër Zotit dhe kundër jetës” shprehet Gjin Marku.

Versioni shqiptar i Kanunit u krijua nga Lekë Dukagjini, një princ vendas, i cili e bazoi kodin në një sërë ligjesh tradicionale dhe që është trashëguar gojarisht brez pas brezi prej qindra vjetësh. I respektuar gjerësisht në të gjithë vendin, teksti i Kanunit ishte i ndaluar si ligj kur komunistët udhëhoqën vendin në periudhën 1970 -1980s. Vitet e fundit, Kanuni ka parë një rilindje, më së shumti në veri të Shqipërisë, ku dominohet nga katolikët, në një kohë që vendi lufton për demokracinë moderne dhe të suksesshme.
"Fatkeqësisht, as shteti dhe as shoqëria nuk mund të gjejnë një rrugë të qartë ndërmjet demokracisë dhe rendit e ligjit. Nga njëra anë Kanuni na ka lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme me mesazhin e tij për të respektuar ligjin, kulturën dhe ligjet e komunitetit dhe ka ndihmuar në ndalimin e vrasjeve dhe armiqësive, por ai është keqinterpretuar dhe është kthyer në një kulturë apo mesazh që është në kundërshtim me mesazhin e Kanunit për të respektuar ligjin” – vijon më tej Gjin Marku.

Një nga familjet që është vizituar nga Komiteti i Ripajtimit ndodhet në gjak me një familje tjetër që nga viti 1990, me pjesën më të madhe të burrave të familjes që janë vrarë për hakmarrje. Një nga fëmijët, 6 vjeçari Luan tashmë është jetim, pasi babai i tij u vra dhe nëna e tij ka kryer vetëvrasje. Sipas Kanunit, një burrë mund të vritet vetëm jashtë mureve të shtëpisë së tij. Si pasojë e kësaj, të gjithë burrat që ndodhen në një situatë të tillë qëndrojnë të fshehur. Në mungesë të tyre, djali më i madh merr përgjegjësinë për konfliktin, shpesh duke u kthyer në një të burgosur brenda shtëpisë, dhe i pamundur për të studiuar apo për të pasur një jetë normale. Përveç mangësive që kjo gjendje pasqyron në jetën sociale, ndikon gjithashtu edhe në varfërimin e mëtejshëm të rajonit, meqënëse forca punëtore e këtyre familjeve është e detyruar të mbyllet në shtëpi. Liljana Luani, një mësuese nga Shkodra, shpenzon kohën e saj të lirë për të mësuar fëmijët, të cilët janë të detyruar të qëndrojnë të mbyllur në shtëpi. Shpesh asaj i duhet të ecë për orë të tëra për të shkuar në shtëpitë në zonat e thella malore.
"Megjithë këtë që po ndodh, jam më shumë e shqetësuar për fëmijët e izoluar si pasojë e gjakmarrjes, pasi ata nuk po rriten si fëmijët e tjerë. Nën presion dhe nën tutelën e gjakmarrjes dhe urrejtjes ata rriten ndryshe. Fatkeqësisht ne nuk po krijojmë një gjeneratë normale, të gatshme për të hyrë në Europë. Kam pasur të bëj me 18 vjecarë që nuk njihnin asnjë nga shkronjat e alfabetit. Marin i cili është 18 vjeç nuk di të shkruajë dhe të lexojë, titrat në televizion atij ia lexon nëna e tij”- thotë mësuese Liljana.

Në shumë mënyra, viktimat e vërteta të gjakmarrjes janë gratë dhe fëmijët, të cilët dënohen pa kryer asnjë krim.
"Sipas Kanunit asnjë nuk duhet të prekë gratë dhe fëmijët, por fatkeqësisht nuk po implementohet ashtu si duhet. Aktualisht Kanuni duhej të ishte kthyer në një relike muzeu shumë kohë më parë, për të paqyruar ligjet e shumë kohë më parë dhe jo ato aktuale. Fatkeqësisht aty ku mungon ligji dhe rendi, futet Kanuni dhe kjo është ajo që po ndodh këtu”- vijon mesuese Liljana Luani.
Në një qytet tjetër një 40 vjeçar sapo është liruar nga burgu ku ka kaluar gjashtë vjet, pasi u dënua për vrasje pa paramendim. Tani ai jeton me bashkëshorten e re dhe me nënën e tij në apartamentin e një miku të tij, i cili i është lëshuar me qera. Por nëse ai zbulohet nga gjakmarrësit, dhe pronarët e apartamentit do të futen në gjak, pasi sipas kanunit, një mysafir konsiderohet si anëtar i familjes.
"Jam martuar për të krijuar një familje, por nuk do të bëjmë fëmijë pasi jam i frikësuar se mos vrasin bashkëshorten dhe fëmijët e mi”- thotë ai.

Në pamundësi për të punuar, familja e vogël, e cila gjithashtu është vizituar nga komiteti i ripajtimit, do të dënohet të jetojë përgjithmonë e izoluar. Një nga arsyet kryesore të vrasjeve për gjakmarrje mbetet prona. Përveç varfërisë së përgjithshme, zona të vendit janë ende në përpjekje për të rimarrë pronat dikur të konfiskuara nga regjimi komunist. Pikërisht nga kjo nis dhe vala e re e dhunës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat