Vatër e kurdisur e vdekjeve të shqiptarëve... - Bota Sot
Vatër e kurdisur e vdekjeve të shqiptarëve...

Reportazhe

E premte, 17 gusht 2018

Vatër e kurdisur e vdekjeve të shqiptarëve...

Nga: Hasan Hasanramaj Më: 3 prill 2018 Në ora: 11:24
Shqiptarët gjatë luftës

Ditët e fundit të muajit mars dhe në gjysmën e parë të prillit po mbushen nëntëmbëdhjetë vjet kur me shpirt e me zemër shqiptaret e Kosovës  u falënderojmë  vëllezërve  dhe motrat shqiptarë nga Maqedonisë, kur ne u përballeshim me jetë apo vdekje, në kampin e Bllacës, me tërë qenien e tyre njerëzore  na shpejtuat nga vdekja e sigurt dhe e  ngadalshme ne  balten e fshatit Bllacës

Bllaca, një fshat malor me popullsi qind për qind shqiptare, shtrihet midis Shkupit e Kaçanikut e cila nga pushtuesit shekullorë sllav përjetoi shumë herë ditë dhe momente të vështira të cilat nuk harrohen kurrë. Ishte mbarimi i muajit dhjetor të vitit 1944 - kur në Bllacë  pas katër orësh lufte të përgjakshme komunistët maqedonas  i lënë në fushën e mejdanit  një mijë e pesëqind të vrarë dhe shumë të plagosur, kurse nga ana shqiptare kishte pak të vrarë dhe të plagosur. Pas kësaj masakre  komunistët maqedonas,  në shenjë të hakmarrjeje pushkatuan treqind e tetë të rinj shqiptarë. Barbaritë e serbo-maqedonas serish dolën në shesh me fillimet e bombardimeve të NATO-së mbi caqet serbe, më 24 mars të vitit 1999. Këto ishin ditët më të gëzueshme për popullin shqiptar anekënd Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare, por edhe sinjal se forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe  të cilat e vazhdojnë terrorin e paparë antinjerëzor me një intensitet dhe tërbim më të egër ndaj popullit të pafajshëm shqiptar.

Sot  nëntëmbëdhjetë vjetëve e parë në të gjitha rrugët e kryeqytetit tonë dhe të qyteteve e të fshatrave tjera anekënd Kosovës mund të shihje vetëm pamje të tmerrshme - kolona të gjata fëmijësh, të pleqsh,  grash, të sëmurësh. Të gjithë kishin një drejtim: stacionet e trenit dhe të autobusëve në Prishtinë,  në Fushë-Kosovë, në Lypjan, në Ferizaj, në Kaçanik, në Mitrovicë, në Pejë, në Gjakovë, në Prizren në Gjilan. Të zhveshur, këmbëzbathur, pa bukë, pa shtrojë, pa mbulojë e me lot në sy, të tmerruar e të frikësuar se çka do tu  ndodhte çdo minutë, çdo orë, të cilët  me dhunë u detyruam të largohem nga trojet tyre stërgjyshore, ku lindën e u rritën duke lënë pasurinë e çdo gjë që kishin, dhe u detyruan ta marrinë botën në sy. Një përndjekje e madhe, një eksod i paparë i cili i përngjante eksodit të hebrenjve të viteve dyzetë të ndërmarrë nga nazistët gjermanë, cak kishin gropën e tmerrit e të ferrit në Bllacë, aty ku para  shtatëdhjetë e katër vjetëve u bë masakra e paparë mbi shqiptarët. Pamjet e fytyrave të shqiptareve nga Kosova të  zhvendosurve, të trishtuara dhe të dërrmuara të fëmijëve, të grave shtatzëna, të pleqve, të sëmurëve  të masës së hutuar, fizikisht të dërrmuar e të demoralizuar, të përkujtonte “Zonën e Errësirës”, ku njerëzit e pashpresë ishin të dënuar për vdekje të ngadalshme. Nuk ishin këto pamje patetike të ndonjë filmi artistik, por dhimbje të qindra mijë njerëzve të lënduar në shpirt, të cilët duke mos pasur mundësi t’u kundërvihen forcave paramilitare të armikut shekullor anekënd Kosovës, merrnin botën në sy.

Vaji i fëmijëve të të gjitha moshave, zërat e dhimbshëm të nënave duke kërkuar fëmijët e humbur në këtë rrëmujë, klithjet tmerruese për ndihmë, tollovitë e papërshkrueshme të të  gjitha moshave (që i dokumentojnë fotografitë e këtij reportazhi), të bënte që ta humbasësh edhe atë pakë shpresë për jetën. Në luginën e Bllacës në këto momente të vështira ku të zhvendosurit u përballshin me jetën apo vdekjen u bënte luftë e madhe për të sigurua një tendë, një kafshore buke, për ti gjetur më të afërmit dhe për ti ndihmuar të gjithë ata që kishin nevojë. Andaj të zhvendosurit nga Kosova: fëmijë, pleq e sidomos nëna shtatë zëna, që lindnin fëmijë të vdekur, filloi t’i kositë  vdekja e pamëshirshme.

Lugina e tmerrit dhe e ferrit në kampin e  Bllacës, me njëzet hektarë sipërfaqe tokësore, ku ishin grumbulluar njëqind mijë shqiptarë të zhvendosur  të cilët, pas të reshurave të shiut të përzier me borë, u shndërrua në kënetë balte të gjallë, e cila për çdo ditë gëlltiste njerëz të pafuqishëm. Kjo ishte strategjia serbo-maqedonase për shfarosjen e njëqind mijë shqiptareve të zhvendosurve nga Kosova në Luginën e Bllacës, të  cilët shikimin e kishin drejtuar kah kufiri ku ishin koncentruar forca të mëdha të njësive policore e ushtarake dhe paramilitare serbo-maqedonase  të cilat u silleshin me përbuzje e agresivitet, që pak a shumë i ngjante agresivitetit të vrastarëve që kishin dëbuar popullatën pafajshme nga trojet e tyre stërgjyshore. Vaji, gjëma e pleqve dhe plakave arriti kulmin, sepse nuk e dinin sa do të qëndronin në kampin e barbarive. Lumi Lepenci barte me vete lotët dhe mallkimet të qytetareve të trishtuar të Kosovës martire. Shiu i përzier me borë në luginën e Bllacës sot nëntëmbëdhjetë vjet, ku u derdhen lotët dhe mallkimet me të cilët mbuloi shumë trupa të pajetë. Të gjithë pyesnin:  çfarë  do të ndodh me ne?!

Autoritet serbo-maqedonase e  kishin një qëllim, që kësaj pjese të popullatës, të zhvendosur nga Kosova t’i shkaktojë tragjedi të njëpasnjëshme duke e mbajtur të ngujuar në kushte që s’i duron as guri dhe druri e lëre më qenia njerëzore. Është ky një moment kur lufta e fundit në Kosovë u zhvillua në dy fronte, atë të teknologjisë së sofistikuar të aeroplanëve bombardues perëndimor, dhe dënimin me depërtime të një populli të tërë të pafajshëm shqiptarë nga trojet e tyre stërgjyshore. Sot, kur po mbushen  nëntëmbëdhjetë  vjet, dhe gjithmonë sa të jemi gjallë, me shpirt e me zemër ne shqiptaret e Kosovës  i falënderojmë vëllezërit tanë shqiptarë të cilët sot nëntëmbëdhjetë vjet nga të gjitha anët e Maqedonisë, në momentet më të vështira, kur ne kosovaret u përballeshim me jetë a vdekje, në kampin e Bllacës, me tërë qenien e tyre njerëzore u angazhuan që t’i shpëtojnë jetët e vëllezërve të tyre shqiptarë nga Kosova. Andaj ju qytetare të Kosovës të cilët e harruat shumë shpejt këto skena të dhimbshme ndaluni dhe veni gishta ne kokat e juaja dhe kujtoni këto skena të tmerrshme të eksodit masiv të ne shqiptareve të përndjekur nga regjimi totalitar të Serbisë, e  mos vraponi pas korrupsionit, krimit të organizuar dhe hajnive të shumta nëpërmjet të cilave që  nëntëmbëdhjetë vjet e gëlltitet çdo gjë që ishte dhe është e mirë mbi tokën e Kosovës në një ane, kurse në anën tjetër i harruat të gjitha momentet tragjike, me të cilat ky popull u përballë me jetën dhe vdekjen gjatë dhe pas luftës së fundit e deri me sot në Kosovë?!

Image
Image
Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test