Fletëza jete e historie nga Pirana - Bota Sot
Fletëza jete e historie nga Pirana

Reportazhe

E diel, 24 qershor 2018

Fletëza jete e historie nga Pirana

Nga: Haki Latifi Më: 30 gusht 2017 Në ora: 12:35
Një pjesë e fshatit Piranë shikuar nga Helikopteri, Foto: Haki Latifi

Emërtimi Piranë… Pi-rane (Prej-rane)

Është emërtim vendas mbështetur në përbërjen e tokës gjegjësisht rërës që krijojnë bashkimi i dy lumenjeve Drini i Bardhë dhe Toplluh.

Emërtimi Piranë është fjalë me kuptimin shqip në të cilën formohet nga parashtesa Prej(pi) dhe rrënja Ranë.

Duke patur parasysh se në Piranë bashkohen dy lumenj, Lumi Toplluh, i cili vjen nga bjeshkët e komunës së Suharekës derdhet në lumin Drini i Bardhë, aty formohet edhe ranë apo siq quhet nga piranasit Ranishte.

Dhe me kalimin e kohës, fal kushteve të volitshme gjeografike për tu marrë me bujqësi e blegtori fillon të popullohet shumë herët. Gjatë përdorimit nga banorët vendas kur janë pyet se nga jeni, janë përgjigjur "Pi Rane". Me kalimin e kohës është shëndruar në emërtimin Piranë.
Pak histori…

Koha e saktë e themelimit të këti vendbanimi nuk është përcaktuar deri më tash. Mirëpo, arkeologët tregojnë se ka shenja të një vendbanimi të hershëm, si dhe thuhet se në gërmadhat e këti lokaliteti është gjetur edhe Statuja e Vrapuesës së Prizrenit.

Për Vrapuesen e Prizrenit, shënimet tregojnë se është e punuar në bronz, dhe se i takon shekullit V para kohës së re. 
Ndërsa gojëdhënat tregojnë se dikur nga dëndësia e vendbanimeve maca ka hecur nëpër çati të shtëpive nga Pirana deri në Suharekë.

Image
Një pjesë e fshatit Piranë shikuar nga Helikopteri, Foto: Haki Latifi

Ndërsa në librin e saj Edith Durham në origjinal : "The Burden Of The Ballkans, 1905". Përkthyer në gjuhën shqipe dhe botuar në janar 1990 "Brenga e Ballkanit" në faqe 187 (Kreu X Prizreni), e për mend Piranën me me emërtimin "Pironë". 

Në Piranë qysh para Luftës së dytë botërore ka qen i njohur edhe Mulliri i ujit me pesë gur në të cilën ka qen pronë e përbashkët e Sahit Salihut dhe Halim Tafës. Gjithashtu ka qen i njohur Hani (Bujtina) i Piranës.

Në Piranë, sot mund të shkosh në çdo kohë e në çdo stinë, përmes rrugëve të asfaltuara, duke marr pamjen e një vendbanimi urban. 
Nëse nisesh nga Prizreni në drejtim të Gjakovës, në hyrje të fshatit Piranë, aty ku dikur dhe në ditët e sotme zbresin udhëtarët nga autobusi, tash nga larg vërehet rruga e asfaltuar e cila lidh Zojzin, Metvecin, Mamushën, Suharekën, Retin e Ulët dhe Retinë e Epërm, e prej andej edhe Rahovecin. Dikur edhe hekurudha kalonte nëper mes fshatit që e lidhë Prizrenin me Fushë Kosovë, tani që nga lufta e fundit për fat të keq është pasivizuar!!!

Rrallë ndonjë fshat i kësaj ane ka pasur shtëpitë e afërta ashtu si Pirana. 

Dikur kishte më pak banorë sa që flitej se në një sofër të gjithë fëmijët e fshatit në dasma hanin bukë. Sot gjithçka frymon ndryshe. Mund t’ia mësynë Piranës edhe përmes rrugëve dytësore, aty në Krushë të vogël apo në Randobravë(Qendresë), dhe për pak minuta, këmbë apo me veturë, arrin në këto fshatra. 
Pirana është Bashkësi Lokale e Komunës së Prizrenit ku fuksionon edhe zyra e vendit-ofiqarisë në shërbim të këtyre banorëve. Që përfshin këto fshatra: Randobravë ( Qendresa), Zojzi, Serbica e ulët ( Arbnesha ), dhe Landovica. Ndërsa matan Drinit të Bardhë kufizohet me fshatin Krajk dhe Qollak që i takojnë rajonit të Hasit të thatë.

Në këtë fshat zhvillohen edhe aktivitete të ndryshme të suksesshme afariste të ndërmarësve privat, pastaj funksionon Ambulanta e mjeksisë familare si dhe disa ambulanta private mjeksore.

Afër shkollës së fshatit qëndron krenare lapidari i Dy dëshmorëve të lirisë; pinjollit të familjës Latifi, Skender Latifi dhe Vait Ukaj si dhe 22 martirëve të fshatit Piranë,  që simbolizojnë heroizmat dhe flijimet e këtij populli në rrugën e gjatë të lirisë. Gjat? luftës se fundit fshati 4 herë është sulmuar dhe djegur nga forcat çetnike serbe, prej 390 shtëpive sa ishin 6 shtëpi kanë mbetur pa u djegur.

Njerëz mikpritës ka pasur përherë Pirana, ndërsa puna për ta ka qenë shkronjë dhe fjalë e parë. 

Mikëpritja, kjo traditë e moçme shekullore e shqiptarëve, është përcjellë brez mbas brezi edhe në familjet e Piranës. Aty kanë gjetur bujarinë, besën, burrërinë, traditat dhe zakonet shqiptare shumë njerëz të shquar të Kosovës, të cilët, janë pritur dhe përcjellë sipas zakonit të kësaj treve. 

Edhe sot e kësaj dite ruhet një traditë e veçant tek piranasit në shenjë respekti për mysafirin.

Në Xhaminë e fshatit (1870, ndërsa e shkatërruar nga forcat pushtuese serbe me 1999), për çdo Festë Bajrami në faljen e Bajrameve vendasit edhe në ditët e sotme, përparësi u japin mysafirëve që të falen brenda në xhami kurse vet falen në oborr të xhamisë.

Andaj, shënimet e rastit nuk mund të përfshijnë gjithçka, por shkrimi është mirënjohje morale për ata njerëz që ia dolën të ngulitën aty përballë pushtuesve të egër të cilët u ndërruan shumë herë gjatë historisë. Edhe fshatrat për rreth kanë më shumë fjalë të mira për Piranën se sa për vetveten. Zënkat ndër vëllazërore në Piranë janë të pa njohura ose shumë të rralla, ndërsa fshati merret si shembull i mirë për dhjetë fshatrat e rajonit të Përdrinisë.

Dikur dihej sa shtëpi ka fshati, por tash statistikat ndërrojnë për ditë dhe kryetari i Piranës e ka zor të thotë një shifër. Dikur çdo shtëpi-oxhak numërohej e gjallë dhe me njerëz që bënin jetë, ndërsa sot shumë familje ia kanë mësy qyteteve, por edhe gurbetit dhe numëri i tyre fatkeqsisht po rritët përditë!!!

Megjithëse, ky fshat tashmë ka infrastruktur të mirë dhe është lidhur shumëfish me rrugë të asfaltuara, piranasit rrallë e për mall shohin ndonjë gazetarë t’ia ketë mësy këtij vendbanimi të dalluar dhe shembull qëndrese. 

Të shkruash për Piranën, e të mos e përmendesh shkollën gjithçka do të mbetej mangu. Dikur, pas të Luftë e Dytë Botërore, kur po propagandohej se liria kishte ardhur në Piranë, kjo nuk ishte vlerësuar ashtu nga fshatarët e këtushëm. Kur u hap shkolla e dikurshme katërvjeçare, ishin përfshirë një numër i vogël nxënësish, ndërsa piranasit, lirinë e ëndërruar nuk po e shihnin. Tani fshati ka shkollën fillore dhe shkollën e mesme të ultë në të cilën e mban emrin e "Dy dëshmorët" dhe kuadër të nevojshëm për mësim.

Puna dhe kënga kanë mbajtur gjallë piranasit edhe përmes aktivitetit të SHKA " Ismail Qemaili" dhe aktivieteve sportive të KF «Pirana».
Në Piranë nuk ka pasur asnjë rast kur njerëzit të jenë rrezikuar nga thatësia dhe ajo tokë ka dhënë bukë për ekzistencë edhe në kohën e pushtimit austro-hungarez, atëherë kur nuk kishte rënë shi tre vjet rresht, tregonte dikur plaku i urtë Xhevat Latifi. Nuk ka drithë, perime apo lloj pemë të cilën nuk e bënë toka e Piranës. 

Sido ta hedhësh farën në ketë tokë ajo mbinë mbarë. Arat tona gjithherë na e kanë shpaguar punën, thotë bacë Xhevati i moshës 90 vjeçare. Banorët e vyeshëm të këtij fshati, një kohë kanë prodhuar më shumë grurë e misër, e perime të ndryshme se sot disa fshatra së bashku. Piranasit ishin punëtorë të dalluar, ashtu si toka e tyre për bereqet.

Jo fort moti fshatarët e këtushëm duke hapur toka të reja ruajtën traditën e kultivimit të hardhisë së rrushit, kultivimit të perimeve sidomos specat, domateve, shalqinit, trangujve, qepëve, fasulës, purrive, gungujve, patates, lakrave etj. 

Pasi që përmenda vreshtat, deri von gati çdo familje e këti fshati kishte vreshtin e vet, në të cilën kishte varietetet e shumta të rrushit. Më kujtohet si fëmijë që isha në kohën e pjekjës së rrushit vajza dhe nuse të reja në grupe shkonin e për çdo pas dreke të vonshme të merrnin me shporta dhe shosha të mbushura me rrush dhe pemë të ndryshme si; pjeshkë, dardha, molla, ftojë e frute të tjera.

Këto cilësi të fruteve, Piranasit i shërbenin në tavolinat e tyre, sidomos në miqësi, dasmë e tjera. 

Pirana jo vetëm që nuk pati nevojë të lakmojë fshatra të tjera për prodhimin e këtyre kulturave, por u bë prodhuese e shumë llojeve të pemëve dhe perimeve cilësore, që dalloheshin në tregjet e Prizrenit dhe në mbarë Kosovën. 

Këtij fshati, jetën mund t’ia kthejnë vetëm njerëzit e vetë, të cilët ia njohin mirë zemrën asaj toke. Zbrazja e heshtur e fshatit që po ndodhë tash nuk po i pëlqen askujt.

Në kodrën me lartësi mesatare, sot Pirana hijeshon mes harlisjes së pemëve të gjata, që në tabanin e tyre janë të veshur me gjelberimin e kullotave të rrafshnaltës mbi fshat, ku, blegërojnë bagëtitë e rritura dhe të imta të blegëtorëve të Piranës dhe të fshatrave për rreth. Kurse në pjesën jugperëndimore trevën e rrethojnë tokat pjellore (arat) rreth lumit Toplluh, që vjen nga malet e Suharekës dhe një degë nga Kabashi i Prizrenit, e cila në katundin Piranë bashkohet me lumin Drini i Bardhë.

Serbët nuk ia dolën ta kolonizojnë Piranën

Pas kolonizimit të Rrafshit të Përdrinisë si pikë neuralgjike, pushtuesi solli kolon edhe për rreth fshatrave si në Krushë të vogël, Zojz dhe Serbicë (Arbneshë)- fshatra fqinje të Piranës. Toka më pjellore, kullosat dhe malet që ishin baras me ekzistencën e fshatarëve, iu morën shqiptarëve dhe iu ndanë kolonëve serb. Vendasit nuk menduan për shpërngulje, hapen toka të reja dhe kështu me dekada lufta për mbi jetesë vazhdonte më vendosmëri. Shpresa e piranasve se liria do të vjen një ditë nuk u shua asnjëherë. Largimi nga fshati, më herët nuk është imagjinuar kurrë. Kështu ishte edhe në luftën e fundit e cila këndej zgjati më shumë se dy vjet.

Image
Nexhip Dalip Latifi (08.05.1893-27.03.1990)

Rrëfimi për trimërinë e Nexhip Dalip Latifin (08.05.1893-27.03.1990)

Axha Nexhip ishte pinjoll i një familje me taban të fortë kombëtar e atdhetar në të cilën trevën e Opojës nihej si Sylë Gegica i Blaqit. Familje që asnjëherë nuk ishte pajtuar me regjimet antipopullore e që kurdoherë u kishte kthyer pushkën. Familje që kaq herë ishte gjakosur nga këto regjime, por që asnjëhrë nuk qe mposhtur e gjunjëzuar.

Mungojnë shënimet e shkruara për heroizmin e Nexhip Latifit. Mungojnë shënimet më elementare për njerëzit e zot të kësaj ane. Mungon historia e shkruar ngase alfabeti ynë shumë vonë nisi udhëtimin nga Manastiri!!

Nexhip Dalip Latifi, djalë më autoritet në Piranë, kishte ditur mirë se një ditë do të përballët me kolonët të cilët likuidimin e shqiptarëve e kishin bërë cak. Pasi që fallangat çetnike të kolonëve serb kishin liri të plot veprimi ndaj popullatës vendase shqiptare.

Një ditë prilli të vitit 1941 u sulmua fshati Piranë nga kolonët serbe e malazez në të cilë u vranë pesë piranas. 

Në përballje me armikun shekullor, me komandantin e njesitit të xhandarmërisë serbe të njohur si «Cerna Ruka» -(Dora e zezë), në dy luftim axha Nexhip Dalip Latifi arriti t'ja merr pushkën dhe e vret me pushkë të vet komandantin e xhandarmëris serbe Gjorgjeviç P., duke marr hak për vëllaun e vet Latifin dhe 4 martirët e tjerë të Fshatit të vrarë në të njejtën ditë; (Latif Dalip Latifi 41 vjeç (1900-1941), Zyber Sefer Bekteshi 40 vjeç, Murat Fejzë Berisha 35 vjeç, Qerim Daut Berisha 25 vjeç, Aruq Ramadan Thaqi 35 vjeç).

Jo vetëm dita kur u sulmua fshati, por gjithë jeta e këtyre banorëve ishte luftë. Në të gjitha ato përballje, biri i Piranës Nexhipi doli fitimtar. Pushka e asaj dite në krahun e trimit, la të vdekur komandantin serb Gjorgjeviç, ndërsa jehona e saj do të ruaj me vite si hije fshatin. Po atë ditë, Nexhipi me familje, prind dhe vëllezër arratisën duke lënë kufomën e vëllaut të pa varrosur për shtat ditë deri sa hynë forcat gjermane në Prizren dhe shpallet zonë e çliruar nga serbet, për tu kthyer në Piranë për ta varrosur Latifin. 

Image
Lapidari i Dy Dëshmorëve të kombit; Skender M. Latifi dhe Vait U. Ukaj

Historia e qëndresës së tij nuk u harrua asnjëherë nga bashkëfshatarët.

Shumë dëshmitarë edhe sot mbajnë mend heroizmin e axhës Nexhip. Po ta këndosh trimin ishte punë e rrezikshme në atë kohë.

Axha Nexhip Latifi vdiq në moshën 97 vjeçare më 27 mars të vitit 1990. 

Pas vitit 1999 në Piranë filluan të bëhen investime më të fuqishme për përmisimin e infrastrukturës dhe të mirëqenies së qytetarëve të saj, konkretisht u rindërtua ndërtesa shkollore, ndërtesa e mjekësisë familjare, rrjeti i ujërave të zeza, u ndërtua impianti i ujërave të zeza, është duke u përmisuar dhe riparuar në tërësi rrjeti i ujit të pijes, u bë elektrifikimi i rrugëve publike në brendi të fshatit, ka filluar rregullimi i parkut të fshatit, u bë asfaltimi i të gjitha rrugëve publike në fshat etj. Të gjitha këto ndërtime infrastrukturore Piranës po ja ndryshojnë pamjen dhe ajo gjithnjë e më shumë po bëhet një vendbanimi i urbanizuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test