Spitali Ushtarak, një histori të lavdishme në historikun e spitaleve shqiptare

Reportazhe

Spitali Ushtarak, një histori të lavdishme në historikun e spitaleve shqiptare

Nga: Albert Z. Zholi Më: 27 mars 2017 Në ora: 09:17
Spitali Ushtarak, Tiranë

Kur hyn në ambientet e këtij spitali vërtet gjen qetësi. Oborr i pastër, pemë dhe gjelbërim, mjekë dhe infermierë të veshur pastër me të bardha, trotuare të rregullt me bordure të lyera. Ambiente të brendshme ku syri të kënaqet nga pastërtia. Dhe pse emërtimet e tij kanë ndryshuar në dekada, ai në kujtesën e njerëzve mbetet me emrin e njohur popullor, Spitali Ushtarak. Në fakt për shumë vite ai në pjesën dërrmuese u shërbente vetëm ushtarakëve por duke parë profesionalizmin dhe cilësinë e shërbimit, aty filluan të vizitohen personalitete nga të gjitha fushat e jetës.  Ndoshta mbetet spitali me histori të lavdishme në historikun e spitaleve shqiptare. Pozicioni I tij, hapësira, gjelbërimi, skajshmëria, rëndësia në vite e bëjnë atë një legjendë me vete. Por ajo që e ka ngritur lart madhështinë e tij, është se për nga rëndësia, cilësia e shërbimit, profesionalizmi I mjekëve dhe infermierëve ka bërë që në vite të mbahet si spitali më me autoritet. Këtë vit në shtator Spitali Ushtarak, mbush plot 91-vjet nga krijimi i tij. Një Spital me shumë histori, shumë ngjarje, shumë zhvillime. Në atë Spital janë shëruar mijëra njerëz të të gjitha profesioneve pa çka se mbartte mbi vete emrin Spitali Ushtarak. Spitali Ushtarak Qendror Universitar (SUQU), filloi aktivitetin 91 vjet më parë, më 26 shtator 1929.

Hedhja e themeleve

Themelimi i tij është një histori  me vete. Spitali i Përgjithshëm Ushtarak (sot Spitali Ushtarak Qendror Universitar), një ndër përkujdesjet e para të Mbretërisë Shqiptare, u themelua dhe nisi rrugëtimin e tij prestigjioz në nivel kombëtar në 26 shtator 1929. Vlera e përgjithshme e investimit arrinte shifrën 548,894,88 Franga Ari – një tregues domethënës për kohën. Themelimi i këtij Spitali lidhet ngushtë me emrin e madh të mjekësisë Shqiptare, N.Kol. Dr. Jani Basho – drejtori i parë i tij në vitet 1929-1935, njëherësh, themelues i spitaleve qendrore te Shqipërisë, spitalit civil - sot Spitali Nr. 1 dhe atij ushtarak - sot spitali Nr.2 (Qendra Spitalore Universitare “Nene Tereza”). I madhi Jani Basho do t’i sillte nga zemra e Europës, pikërisht nga Vjena projektet e këtyre Spitaleve - vepra të arkitektit vjenez Köhler. Atje ai kishte kryer edhe vetë studimet në fushën e mjekësisë, ku pat qenë laureuar me Medalje te Artë, si fitues i vendit të parë në Fakultetin e Mjekësisë te Universitetit te Vjenës dhe i cilësuar “Unicus Medicus Doktor” (Mjek i Veçantë). Spitali i Përgjithshëm Ushtarak ishte mjaft i bukur dhe modern për kohen, funksionoi si i tillë deri me 1957 në harmoni dhe afër me Spitalin e Përgjithshëm Civil. Ne vitin 1957, Spitali Ushtarak u transferua dhe u vendos aty ku është aktualisht, ne Laprakë. Shumica e fotove, të nxjerra nga Arkivi i Shtetit, duket se janë realizuar nga Instituti Italian “Luce” gjate pushtimit italian të Shqipërisë aty nga fundviti 1940. Propaganda Italiane e kohës ishte e interesuar që të pasqyrohej çdo hollësi e veprimeve luftarake që zhvilloi ushtria Italiane brenda dhe tej kufijve shtetërorë të Shqipërisë, në Luftën Italo-Greke. Fotot përfshijnë ndërtimet tërësore, meremetimet, ndërtimin e kishës, barakave shtesë e deri hollësi nga pritja e te plagosurve në urgjencë, sallën e operacionit, pavijone, kuzhinë, park, ceremoni zyrtare, etj. Sikurse është e njohur, Italia fashiste, menjëherë pas pushtimit të Shqipërisë, do të vijonte aventurën ushtarake me pushtimin e Greqisë. Sipas urdhrit të Musolinit, më 28 tetor 1940, tetë divizione italiane të përbërë prej 140.000 trupash, do të sulmonin Greqinë në kushte tepër të rënda terreni e moti. Përzgjedhjet e gabuara strategjike e operacionale, nxitimi dhe keq pajisja e forcave Italiane e rënduan akoma më shumë gjendjen. Për këto e të tjera arsye, pala italiane pati rreth 14.000 të vrarë, 50.000 të plagosur, 25.000 të humbur dhe mbi 12.000 vetë të tjerë të gjymtuar. Fakti i njohur që populli dhe ushtarakët Shqiptarë, nuk u bënë pjesë në këtë aventurë Italiane, pati, natyrisht ndikimet e veta. Në këtë kuadër, mjekët Shqiptarë të Spitalit Ushtarak, do të dinin të bënin dallimin juridik midis pushtuesit të vendit, me kërkesën.

Kuadrot kryesorë mjekësorë në vite

Ai është dhe mbetet një nga institucionet mjekësore më të rëndësishmit në vend për traditën, eksperiencën e krijuar në vite, kontributin në zhvillimin e mjekësisë Shqiptare. Sipas Dr. Kol. Luan Nikollari, kuadrot mjekësore të përgatitur dhe specializuar në këtë institucion, kanë lënë gjurmë në zhvillimin dhe modernizimin e mjekësisë Shqiptare. Emrat e mjekëve ushtarake si Dr.Jani Basho (iniciator i ndërtimit te Spitalit Civil dhe Spitalit Ushtarak, drejtori i I-re i Spitalit Ushtarak) Dr. Sinan Imami, Dr. Ismet Gega, Dr. Ibrahim Dhrami, Dr.Petro Cani, Dr. Ibrahim Dervishi, Dr. Sezai Agalliu, Dr. Janko Theodhosi, Dr. Ismail Tartari, Dr. Theodhor Papavrami, Dr. Petraq Progri, Dr.Nazmi Shehu, Dr. Hiqmet Dibra, Dr.Jul Koliqi, Dr. Pavllo Pavli, Dr. Grigor Daiu, Dr. Grigor Konomi, Dr. Selaudin Mborja, Dr. Bahri Kopliku, Dr. Emil Qirko, Dr. Beqir Agalliu, Dr.  Xhevdet Asllani, Dr.Xhemil Didiu, Dr.Veli Toto, Dr.Besnik Buda, Dr. Skender Sinojmeri, Dr. Spiro Dede, Dr. Ismail Feta, Dr. Petraq Xoxe, Dr. Luan Greva, Dr. Selfo Batalli, Dr. Rexho Kardhashi, Dr. Ilo Kola, Dr. Lavdim Gjonça, Dr. Bexhet Refatllari, Dr.Tahir Duro, Dr.Kristaq Mone, Dr. Thoma Mele, Dr. Hajro Shyti, Dr. Kristaq Roko, Dr.Kristo Pandovski, Dr. Esat Duraku, Dr. Nuredin MALAJ, Dr. Sami Zeka, Dr.Engjell Mastori, Dr.Mihallaq Prifti, Dr.Agron Egro, Dr.Llazi Andrea, Dr. Maksut Derrasa, Dr.Agim Kolasi, Dr.Halo Kerri, Dr.Lutfi Balili, Dr.Myzafer Brati dhe mjaft figura te tjera te njohura në publikun shqiptar (kërkojmë ndjesë që nuk mund t'i përmendim të gjithë) mbeten një plejade e shkëlqyer dhe figura të mjekësisë ushtarake e civile. Spitali Ushtarak mbetet referenca e vetme e mjekësisë ushtarake në Forcat e Armatosura (FA). Në memorien e brezave të ushtarakëve, spitali ushtarak është i një rëndësie te veçante. Pas viteve 1990 me ndryshimet ne strukturën e tij dhe përshtatjes me ndryshimet dhe zhvillimet në Ushtrinë Shqiptare dhe me asistencën te NATO-s, ai është kompozuar në mënyrë të tillë që jo vetëm të përmbushë misionin në mbështetje të FA por duke marrë përsipër dhe një mision tjetër sikundër është trajtimi i politraumës në rang kombëtar. Kështu emri i tij është lartësuar dhe është bërë i njohur edhe për publikun e gjerë, me një dimension të ri në përputhje edhe me misionin e FA, për t’i ardhur në ndihme edhe popullsisë civile në katastrofa dhe fatkeqësi.

Historia e veçantë e Dr. Sinan Imami

Dr. Sinan Imami mbetet unik në historinë e këtij spitali. Lufta nacional-çlirimtare dhe Dr.Sinan Imamit, kanë një emër të lidhura pazgjidhshmërisht me njeri-tjetrin. Dr. Sinan Imamit mbetet mjek ushtarak në të gjitha kohët (1936-1972). Gjithë karriera e Dr. Sinan Imamit lidhet vetëm me Spitalin Ushtarak. Pas mbarimit të studimeve, në shkurt të vitit 1936 Dr. Sinani emërohet në Spitalin Ushtarak me gradën toger. Më 1 janar 1940 i jepet grada Kapiten dhe pas tre vjetësh, në janar 1943 gradohet major, grada që ju njoh dhe mbas luftës dhe më 1951 i jepet grada N/Kolonel. Gjatë pushtimit fashist, kur drejtor i Spitalit Ushtarak ishte emëruar mjeku italian N. Kol. Giovanni Ciço, në spitalin ushtarak me mjekët italianë punonin edhe tre mjekë shqiptarë Kapiten Dr. Sinan Imami, Major Selahedin Mborja dhe Kapiten Xhevdet Asllani. Për aftësi profesionale me 1940 gradohet me  “Urdhrin e Skënderbeut” (Për ironi të kohës “Urdhri i Skënderbeut” do t’i jepej dhe më 1960). Siç tregojnë bashkëkohësit (Dr.L.Gjonça) për sa u përket ideve, Dr.Sinani i përkiste ideve demokratike të Fan Nolit, ndërsa idetë komuniste nuk i kishte për zëmër. Por, duke qenë mjek humanist dhe i përkushtuar, përqafoi lëvizjen çlirimtare ndonëse kishte qenë edhe anëtar i KQ të BK, pjesëmarrës si mjek në çetat nacionaliste të Vlorës në gusht-tetor 1943 si dhe pjesëmarrës në Konferencën e Mukjes në korrik 1943, nga BK. Në bashkëpunim me Komitetin Qarkor të Tiranës hyri në lidhje me lëvizjen N.Çl dhe nga shtatori 1944 vihet në dispozicion të Këshillit N.Çl të Tiranës për furnizim me materiale shëndetësore të njësive partizane si dhe mjek i familjeve partizane, ilegalisht. Më pas, në 2 nëntor 1944 hyn vullnetarisht në njësitet partizane por gjithnjë me detyrë për organizimin e Spitalit Ushtarak.

Drejtorët e Spitalit Ushtarak në vite…

Ata nuk janë shumë, por kanë lënë gjurmë në mjekësinë shqiptare. Në historinë e drejtimit të Spitalit Ushtarak, nga themelimi i tij 1929 (thekson Dr. Kol. Luan Nikollari) deri më sot kanë drejtuar 14 drejtorë. N. Kol. Dr. Jani BASHO (1923-1935), Dr. Ismet GEGA (1935-1939) N. Kol. Giovanni ÇIÇO (italian,1939-1943) Kol. Dr. Sinan IMAMI (1945-1972) Prof. Dr. Veli TOTO (1972-1990) N. Kol. Dr. Shk. Perlat HODO (1990-1992), Kol. Prof. Ass. Ilir KAJO (1992-1993 dhe 1996-1997), Kol. Prof. Dr. Esat DURAKU (1994-1996), Kol.Prof.Ass. Mihal KERÇI (1997-1998), Kol.Prof.Dr.Engjell MASTORI (6.1998-12.2001) Kol.Dr.Hajri GERBI (12.2001-8.2003), Kol. Dr. Shk.Luan NIKOLLARI (8.2003-12.2003), N.Kol.Dr. Shk. Bajram BEGAJ(1.2004-9.2006) dhe Kol. Dr. Shk.Bedri MIHAJ nga 9.2006 dhe vazhdim. Ajo që tërheq vëmendjen është se gjatë 1/3 e kësaj periudhe, për 28 vjet, Spitalit ushtarak është drejtuar nga Dr. Sinan Imami dhe natyrisht kjo nuk mund të jetë një rastësi duke pasur parasysh dhe kohën kur ka jetuar dhe drejtuar. Dr. Sinanin fillimi i nëntorit 1944 e gjeti mjek në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak (SPU). Pas dy javësh emërohet Zv/drejtor i spitalit dhe pas dy muajve Drejtor i Spitalit të Përgjithshëm Ushtarak, detyrë që do ta mbante deri më 5 shtator 1972 kur do të dilte në rezervë.

Spitali Ushtarak sot

Aktualisht Spitali Ushtarak me VKM 892 DATE 24-12-2012 , “Për ndryshimin e emërtimit  të Spitalit |Ushtarak Qendror Universitar në “Spitali Universitar i Traumës” dhe kalimin e përgjegjësisë së administrimit të tij nga Ministria e Mbrojtjes tek Ministria e Shëndetësisë.  Pra është asset i Ministrisë së Shëndetësisë.  Por, me VKM Nr. 1001, datë 2.12. 2015 “Për integrimin e Spitalit Universitar të Traumës dhe Spitalit Ushtarak të FA në një strukturë të bashkuar” Spitali Ushtarak dhe personeli i saj quhet “Njësia Mjekësore Ushtarake” me personel të integruar në strukturën e Spitalit Universitar të Traumës i cili plotëson detyrimet në mision të detyrave të mjekësisë ushtarake për mbështetjen mjekësore të FA dhe detyrime të tjera në kuadër të shërbimit shëndetësor të FA në NATO. Gjithashtu, komplementon dhe në trajtimin e traumës në nivel kombëtar në kuadër të misionit të SUT. Pavarësisht këtyre ndryshimeve, ky spital ruan traditën, por ka varësi dhe nga ministria e Mbrojtjes për buxhetin e tij si dhe ruan traditën më të mirë të ish-Spitalit Ushtarak në vite.

Betimi i Hipokratit

Në çastin kur po hy në radhët e anëtarëve të profesionit mjekësor premtoj solemnisht se jetën time do ta vë në shërbim të humanitetit. Ndaj mësuesve do ta ruaj mirënjohjen dhe respektin e duhur. Profesionin tim do ta ushtroj me ndërgjegje e me dinjitet. Shëndeti i pacientit tim do të jetë brenga ime më e madhe. Do t’i respektoj e do t’i ruaj fshehtësitë e atij që do të më rrëfehet. Do ta ruaj me të gjitha forcat e mia nderin e traditës fisnike të profesionit të mjekësisë. Kolegët e mi do t’i konsideroj si vëllezër të mi. Në ushtrimin e profesionit ndaj të sëmurit tek unë nuk do të ndikojë përkatësia e besimit, e nacionalitetit, e racës, e politikës, apo përkatësia klasore. Që nga fillimi do ta ruaj jetën e njeriut në mënyrë absolute. As në kushtet e kërcënimit nuk do të lejoj të keqpërdoren njohuritë e mia mjekësore që do të ishin në kundërshtim me ligjet e humanitetit. Këtë premtim po e jap në mënyrë solemne e të lirë, duke u mbështetur në nderin tim personal.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat