Por, asnjëherë nuk u gjunjëzuan ...

Reportazhe

Por, asnjëherë nuk u gjunjëzuan ...

Nga: Hasan Hasanramaj Më: 7 tetor 2016 Në ora: 10:34
Kullat

Kullat njëqind deri në pesëqind vjeçare në tokat shqiptare ishin dhe janë edhe sot monumente me rëndësi historike e shoqërore dhe individuale. Ato kanë një histori të veçantë dhe si të tilla ishin seli  zbatimit të  Kanunit të Lekë Dukagjinit, vatra të tubimeve të krerëve të fiseve dhe të Lëvizjes kombëtare shqiptare, të zgjedhjes së mosmarrëveshjes ndërmjet fiseve, të marrjes së vendimeve me rëndësi historike për një ardhmëri më të mirë të popullit shqiptar dhe djep i mbajtjes së tubimeve, të kuvendeve dhe të miratimit të vendimeve me rëndësi historike për Lëvizjen kombëtare shqiptare dhe fond shumë i rëndësishëm i arkitekturës.

Dekada me radhë  kullat shqiptare u dogjën dhe u rrënuan nga dora barbare të armiqve shekullorë: turqve, serbëve, malazezve dhe të tjerëve, por asnjëherë nuk u gjunjëzuan. Me angazhimin dhe qëndresën heroike  të popullit shqiptar me shekuj u ruajtën gjurmët e kullave tona me rendësi historike dhe kulturore dhe mbi themelet e tyre me mund e me djersë u ndërtuan kullat e reja, të cilat dekada me radhë shërbyen si fortifikata, në të cilat ndodhën tragjedi, krenari dhe histori.

Image
Kulla historike e Mic Sokolit dhe të tjerat nëse nuk restaurohet po shkojnë drejt shkatërrimit

Në Malësinë e Gjakovës lindi  krisma e pushkëve, e rezistencës, e jetës dhe vdekjes në krye me trimat e Lëvizjes kombëtare shqiptare

Në ballin e kullës së plagosur shqiptare në Kosovë, në Shqipëri dhe  në Çamëri  shekuj me radhë nuk u përulen, nuk u plakën, veç gjithmonë ishin dhe mbeten  krenaria e kombit  në gjirin e të cilave u lindën e u rritën gjenerata, të cilat vulosën datat e idealit kombëtar nga stërgjyshërit dhe gjyshërit tanë deri në ditët tona. Që nga qafa e Morinës e deri në fshatin Valbonë gjatët vizitës sonë që i bëmë në dhjetëra lokalitete në rajonin e Malësisë së Gjakovës dhe në vende të tjera na ranë në sy shkëmbinj të zi, të kuq, të bardhë, e laroshë të shtrirë në kurorën e bjeshkëve të cilave mbi kokë u rrinë bjeshkët e Shishanit, të Shkëlzenit, të Markajve me  Majën e Thatë, të Jezercit, Syri i Madh, Maja e Gjarprit midis të cilave kalon lugina e lumit Valbona rreth të cilit shtrihen  kullat legjendare të familjes Berisha në fshatin Viçidol, dy të tjera në fshatin Bujan, në Dragobi, në Valbonë e shumë fshatra të tjerë të Malësisë së Gjakovës dhe të rajonit të Pukës, si dhe anë e kënd Shqipërisë,  ku lindi loti, lindi gëzimi, lindi  krisma e pushkëve, e rezistencës së burrave malësorë, e dasmave, jeta dhe vdekja në krye me trimat e mëdhenj të Lëvizjes kombëtare shqiptare, si: Mic Sokoli, Bajram Curri, Haxhi Zeken, Muharrem Bajraktari, Gjon Nikin, Muharrem Jakupin, Hazhi Zekën e shumë burra të tjerë të rezistencës  shqiptare, të cilët kundër pushtuesve shekullorë: Turqisë, Serbisë, Malit të Zi e të tjerëve në asnjë moment nuk e pushuan pushkën.

Image
Pllaka përkujtimore në murin e kullës historike të Mic Sokolit

Këto janë kullat e mirënjohura të rezistencës të Lëvizjes kombëtare shqiptare të Malësisë së Gjakovës dhe anë e kënd rajoneve të tjera të Shqipërisë e më larg, ku burrat e kombit janë  tubuar dhe kanë marrë vendime me rëndësi historike për popullin shqiptar në të dyja anët e kufirit shqiptaro-shqiptar. Në kullat e mirënjohura të Malësisë së Gjakovës dhe të shumë lokalitete të tjera të Shqipërisë, të Kosovës, të Çamërisë dhe të trojeve të tjera shqiptare me sukses është kultivuar mikpritja tradicionale shqiptare, si dhe shumë elemente të tjera shqiptare, ku vend të posaçëm ka zënë nderi, krenaria kombëtare, modestia, zemërgjerësia dhe shumë e shumë virtyte të tjera të mira, ku shume prej tyre kanë fillua të harrohen?!.

Image
Shaip Rama në bisedë me gazetarin- shpreh brengosjet për gjendjen e fshatit Valbonë dhe rrethinës pas emigrimeve të popullatës

Në reportazhin  tonë kësaj radhe do të bëjmë fjalë për kullat  në fshatin Viçidol, të Mic Sokolit, të Sali Manit në fshatin Bujan, në Dragobi, në Valbonë të Malësisë së Gjakovës e shumë lokalitete të tjera  të cilat gjatë historisë së popullit shqiptar ishte vatër kryesore të strehimit, të rezistencës, të vendimeve historike të popullit shqiptar, simbol i qëndresës, i mikpritjes, i burrërisë, i besës, zbatuese  të Kanunit të Lekë Dukagjinit, të mbajtjes së tubimeve të krerëve të Lëvizjes kombëtare shqiptare, të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve ndërmjet fiseve dhe individëve, të pajtimit të gjaqeve dhe të zgjidhjes së shumë çështjeve të tjera që kanë të bëjnë  me mbrojtjen e trojeve tona stërgjyshore nga pushtuesit shekullorë turq e sllav dhe të ligat e tjera...

Image
Kulla trekatëshe e Halil Isufit në Vuçidol, ia vret syrin çdo vizitori dhe kalimtari

Kullat shqiptare dekada me radhë shërbyen si fortifikata, në të cilat ndodhën tragjedi, krenari dhe histori.

Këto kulla kanë një histori të veçantë në krahasim me kullat e tjera. Nga pikëpamja e tipareve arkitektonike kullat historike janë  tri -dhe katërkatëshe, me një sipërfaqe  me dhjetë metra.

Trashësia e mureve të jashtme në përdhese është një metër, kurse kati i tretë nëntëdhjetë centimetra. Materiali themelor me të cilat janë ndërtuar këto kulla, na thanë banorët e kësaj ane, është guri, i cili është nxjerrë nga shtrati i lumit Valbonë dhe pjesët e tjera gurore të bjeshkëve që shtrihen afër këtyre fshatrave me një të kaluar të pasur historike. Murimi i gurëve në këto kulla historike është bërë  me rërë gëlqerore.

Image
Pamje e një kompleksi të kullave në fshatin Kryezi të Pukës

Pas vizitës në fshatin Viçidol u kthyem në qytezën e Bujanit, ku  nga bisedat të cilat i zhvilluam me stërnipin e heroit të popullit Mic Sokoli, Hamdi Rrustemin,  mësuam  se kulla ku lindi, jetoi dhe rezistoi heroi i popullit Mic Sokoli me burrat e Malësisë së Gjakovës  dhe të Kosovës është një ndër monumentet historike e cila me vete sjell vlera kulturore dhe imazh të shumë ngjarjeve historike, që vazhdimisht është sulmuar nga ushtria turke në krye me Dervish Pashën me të vetmin qëllim: për t’i zënë gjallë dhe për t’i shfarosur burrat e Malësisë së Madhe në krye me Mic Sokolin. Gjithashtu në fshatin Bunjaj të Malësisë së Madhe, në dhjetor të vitit 1943  dhe një e dy janar të vitit 1944, në shtëpinë e Sali Manit, u mbajt Konferenca e Bujanit.  

Image
Pamje e shtëpive dhe kullave të rrënuara në fshatin Valbonë

Edhe në kullat e fshatrave të Dragobisë, të Valbonës, u priten e u përcollën burrat me në zë të Lëvizjes kombëtare shqiptare dhe u morën vendime historike. Banorët e Malësisë së Madhe dhe qytetarët që i vizitojnë,  në mënyrë kolektive ose individuale, këto kulla historike në Malësi të Gjakovës dhe në lokalitete të tjera, janë të brengosur, të habitur, të befasuar dhe të zhgënjyer për faktin se këto monumentet më rëndësi të madhe kulturore e historike nga ana e shtetit  Shqiptarë janë lënë pas dore?!  Shkatërrimet, sidomos në pjesën e brendshme, nuk janë pasojë e ndonjë bombardimi, por pasojë dhe neglizhencë e institucioneve që merren me mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e objekteve me vlera kulturore dhe historike,  për çka më së miri flasin fotografitë e kamerës sonë. Andaj, duke u bazuar në faktin se në këto  kulla  historike burrat e kombit  kanë mbrojtur identitetin kombëtar të trojet tona stërgjyshore. Kërkohet  nga shteti  dhe nga donatorët shqiptarë, kudo që janë, që ta shtrijnë dorën e ndihmës me mjete materiale për mbrojtjen dhe shpëtimin e e këtyre objekteve me rëndësi kulturore dhe historike nga shkatërrimi...

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat