Nis restaurimi i Kishës mesjetare të Labovës

Religjion

Nis restaurimi i Kishës mesjetare të Labovës

Më: 7 shkurt 2017 Në ora: 16:28
Kisha e Shën Mërisë në Labovën e Kryqit në Gjirokastër

Kisha e Shën Mërisë në Labovën e Kryqit në Gjirokastër, një nga monumentet më me vlerë të arkitekturës mesjetare shqiptare, ka nisur të restaurohet pas gjendjes kritike në disa pjesë të saj.

Restaurimi synon përforcimin e themeleve, përtëritjen e çatisë dhe përforcimin e një prej kupolave që ka marrë anim duke humbur ekuilibrin ndërtimor. Projekti i Institutit të Monumenteve parashikon një financim prej gati 200 mijë dollarësh.

Kisha e Labovës vlerësohet si një prej monumenteve më të rralla historike, fetare e kulturore të Shqipërisë. Për periudhën e ndërtimit të saj supozohen disa kohë të ndryshme të dhëna nga studiues të ndryshëm. Një datim është ai që shpjegon se Kisha u ngrit me shpenzime perandorake në periudhën e Justinianit të madh. Viti 1554 është i gdhendur edhe mbi portën e vjetër të kishës, por mendohet se ky vit i përket kohës së rindërtimit mbi themelet e vjetra.

Kisha e Shën Mërisë njihet gjithashtu si një prej 40 kishave të para, të ndërtuara në gjithë botën. Kisha ndodhet në fshatin Labovë e Kryqit, rreth 20 kilometra në juglindje të qytetit të Gjirokastrës. Me historinë e saj lidhet edhe një kryq i florinjtë i zhdukur në periudhën e regjimit komunist, i cili ruante sipas dëshmive historike në brendësi pjesë të drurit ku u kryqëzua Jezu Krishti, në Jeruzalem.

Kisha e Labovës gjatë periudhës së tranzicionit postkomunist krahas dëmtimeve si objekt ndërtimor pësoi edhe grabitje të ikonave qindravjeçare të cilat nuk janë gjetur ende./voa

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat