Krishtlindja 2016 – Porositë e 10 viteve të ecjes së përbashkët të Imzot Dodë Gjergjit

Religjion

Krishtlindja 2016 – Porositë e 10 viteve të ecjes së përbashkët të Imzot Dodë Gjergjit

Më: 23 dhjetor 2016 Në ora: 17:14
Imzot Dodë Gjergji

Ju njoftojmë me programin e Krishtlindjes 2016 në Katedralen Nënë Tereza Prishtinë.
 
Programi
 
E shtunë,  24 dhjetor 2016  - VIGJILJA E KRISHTLINDJES
 
Ora 18:00: Pritja solemne në Rezidencën e Ipeshkvisë pranë Katedrales Nënë Tereza Prishtinë, e cila organizohet nga ipeshkvi i Kosovës, SH. T. Imzot Dodë Gjergji, me rastin e Festës së Krishtlindjes 2016.
 
Ora 23:30: Koncerti i Krishtlindjes nga fëmijët e Famullisë së Prishtinës në Katedralen Nënë Tereza.
 
Ora 24:00: Mesha solemne e Krishtlindjes në Katedralen Nënë Tereza Prishtinë, të cilën do të udhëheq Ipeshkvi i Kosovës, SH. T. Imzot Dodë Gjergji.
 
E diele, 25 dhjetor 2015 – DITA E KRISHTLINDJES
 
Ora 11:00: Mesha në Katedralen Nënë Tereza Prishtinë.
Ipeshkvi i Kosovës, Sh. T. Imzot Dodë Gjergji, do të kremtoj meshën e Ditës së Krishtlindjes në Katedralen Zoja Ndihmëtare në Prizren, në ora 11:00.
Ora 17:00: Mesha në gjuhën angleze, në Kishën e Shën Ndout në Ulpianë, Prishtinë
Ora 18:00: Mesha në Kishën Shën Ndou në Ulpianë, Prishtinë
 

Krishtlindja 2016 –  Porositë e 10 viteve të ecjes së përbashkët të Imzot Dodë Gjergjit

 

Meshtarëve, rregulltarëve e rregulltareve,

vëllezërve në fe dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë

Të dashur vëllezër e motra,

Sivjet mbushen plot dhjetë vjet, që kur, pas një shërbimi shumëvjeçar në Kishën e martirizuar në Shqipëri, Papa Benedikti XVI më kërkoi të kthehem për të drejtuar Kishën tonë në Kosovë, pasi që ipeshkvi ynë i nderuar dhe shumë i dashur Mark Sopi kishte kaluar në amshim papritmas.  Kësaj radhe nuk po ju drejtoj një porosi, sikur është bërë tashmë traditë, por dëshiroj t’i ritheksoj edhe njëherë vëmendjes suaj, ato porosi që ju kam drejtuar viteve të kaluara duke i gërshetuar copëzat e mendimeve në tema të veçanta, që përbëjnë porosinë time për këto Krishtlindje.

Janë pra dhjet vjet ecje me shpresë në jetë e në histori, duke e përkrahë njeri-tjetrin dhe duke i përballë realitetet tona. Pas një përvoje bashkëdarjeje të së mirës, të vështirësive dhe sukseseve, dëshiroj t’ju afrohem zemrave tuaja, me fenë dhe lutjet e mia, në këtë kohë shprese dhe gëzimi, për t’iu drejtuar porosinë e përvjetshme të festës së Krishtlindjes. Kjo festë është mundësi e mirë, që t’i lartësojmë sytë tanë drejt Dritës, e cila shndrit errësirën e zemrave tona dhe na aftëson të shohim tërësinë e gjërave dhe njësinë e jetës.

Krishtlindja është festa e paqes, e dashurisë dhe e pajtimit, e cila na mbushë të gjithëve me shpresë dhe nxitë në ne entuziazmin e jetës.

Krishtlindja është festa dhe ngjarja kur Zoti hyri në përvojën tonë njerëzore të tokës dhe, nga kjo përvojë, na mësoi dhe na ftoi të hyjmë në përvojën hyjnore të Qiellit. Kjo përvojë e vajit të Tij njerëzor në djep, si dhe ajo e këngës sonë hyjnore në Kryq, mundëson shkëlqyeshëm pajtimin e përhershëm mes Zotit dhe njeriut, mes Qiellit e tokës. 

Jezusi, Fjala e Mishëruar, ka marrë natyrën tonë njerëzore, për të na pavarësuar në dinjitetin dhe identitetin tonë njerëzor dhe duke na  nxjerrë nga errësira e mëkatit në dritën e hirit, na mundëson të dalim në dritën e lirisë e t’bijve të Zotit. Ai, përveç se na zbuloi dashurinë e Zotit, u bë ndër ne shembull shenjtërie, besnikërie, qëndrese, dhembshurie,  butësie, përvujtërie, durese njerëzore me zell të shenjtë. E megjithatë, jo të gjithë e duan, jo të gjithë e kërkojnë, jo të gjithë e pranojnë këtë dhuratë. Madje, as nuk i besojnë të gjithë, por kjo s’ka rëndësi. E rëndësishme është që Ai ka lindur për të gjithë, ka vdekur për të gjithë, na mëson t’i duam të gjithë njerëzit pa dallim dhe me ngjalljen e Tij, të gjithëve na i ofron shpëtimin, fenë, shpresën dhe dashurinë. Me pak fjalë, Krishti është i pranishëm ne jetën e secilit njeri, sepse ai di të rri te dera e zemrave të mbyllura, duke trokitur që ta pranojmë brenda. Po edhe ata që e bartin në zemër e dëgjojnë se si ai kërkon të dalë nga aty për të kaluar në zemrën e tjetrit, sepse Zoti është bërë Njeri-Fëmijë, për ta bashkuar njerëzimin me Hyjin dhe me njëri-tjetrin.

Në këtë Natë shpirti ynë kupton dhe përjeton që kjo festë është vërtet lavdi, bukuri paqeje dhe dashuri që na ngushëllon; pas një vuajtjeje të gjatë e të padurueshme që e arriti kulmin nënçmues dhe mohimit të të drejtës për të jetuar dhe punuar të lirë në shtëpitë dhe trojet tona. Kemi arsye dhe të drejtë të gëzojmë dhe të festojmë këto Krishtlindje në Kosovën tonë të lirë dhe të pavarur por, është e domosdoshme të braktisim “njeriun e vjetër” të mëkatit dhe të përtërihemi në “njeriun e ri” të hirit, i aftë për falur dhe për  të dashur. Dëshiroj të dëshmoj me fjalët e Shën Luanit të Madh, se “në ditën në të cilën lind jeta, nuk ka vend frika. Ajo është jetë e cila shkatërron frikën, errësirën, mëkatin, vdekjen dhe dhuron gëzimin e premtimeve të amshuara. Askush nuk është i përjashtuar nga ky gëzim. Të gëzohet i drejti, sepse po i afrohet shpërblimi; të gëzohet mëkatari, sepse i dhurohet falja; të merr guxim i patenzoni, sepse është i thirrur në jetën e re me Zotin”, ndër ne ka zbritur dashuria e Zotit, e cila na lejon dhe na fton të jetojmë nën hijen e dritës së re.

I përkasim Krishtit Zot e Shpëtimtar, sepse në personin e Krishtit ka ndodhë pajtimi i madh mes Zotit dhe njeriut.

“Ne që besojmë, gjithnjë e falënderojmë Hyjin, Atin tonë, në Krishtin Zot, nëpërmjet Shpirtit Shenjt që banon në ne,  sepse “vetë Shpirti Shenjt dëshmon bashkë me shpirtin tonë se jemi fëmijët e Hyjit.” (Rom 8,16). Të gjithë ata që i besojnë, nëpërmjet pagëzimit, bëhen të bijtë e së vërtetës dhe, si gjymtyrë të trupit të Krishtit, shkëlqejnë në reflektimin e kësaj Drite. Me anë të kësaj drite, ne arrijmë të shohim në Krishtin – Zotin që na do – me dashuri të pambarim; e takojmë Zotin e përvuajtur, që s’na bën robër, por të lirë; e njohim Zotin e dhimbshëm, që s’lejon të na turpërojë mëkati, por na fton të marrim dinjitetin e të bijve të Hyjit të gjallë. Mbi të gjitha, ne e dashurojmë Zotin e Mëshirshëm, i cili nuk na gjykon, por na fton të kthehemi, nuk na padit, por na edukon, nuk na dënon, por na fal.   

Kjo dhuratë nuk na bën të mburremi para botës, se jemi më të mirë se të tjerët apo të pohojmë se kemi merita më të mëdha se të tjerët, por se i përkasim Krishtit Zot e Shpëtimtar, i cili, duke na i falur mëkatet, e shpreh dashurinë e vet ndaj nesh dhe na pajton me Krijuesin tonë. Në personin e Krishtit ka ndodhë pajtimi i madh - mes Zotit dhe njeriut. Prandaj, mes qiellit dhe tokës tani ka bashkëpunim, miqësi dhe dashuri të ndërsjellët.

Nëse Zoti Dashuri ka marrë një hapë të tillë vetëpërbuzjeje, aq më tepër, është detyrë e jona që në pendesë dhe ?ijim, t’i përmirësojmë gjithnjë marrëdhëniet me Atë që na aftëson të duam dhe të vihemi në shërbim të njëri-tjetrit.

Hyji shpeshherë i është ofruar njeriut me ofertën e shpëtimit, me dhuratën e shpresës dhe ka “lidhë besë” me krijesën e vet – njeri, këndej Kisha i fton të gjithë njerëzit të pagëzohen, sepse në këtë mënyrë e firmosin kontratën e besëlidhjes me Zotin.

Në të vërtetë, Zoti, gjatë gjithë historisë së njerëzimit, është kujdesur që ta mbushë me shpresë zemrën e njeriut besimtar, kurse njeriu, duke shpresuar me gjithë zemër, s’ka pushuar asnjëherë duke lavdëruar dhe duke e falënderuar Zotin, nëpërmjet lutjes, agjërimit e sakrificës. Këndej në historinë e shpëtimit, Hyji shpeshherë i është ofruar njeriut me ofertën e shpëtimit, me dhuratën e shpresës dhe ka “lidhë besë” me krijesën e vet - njeri.

Kisha i thërret të bijtë e vetë dhe njerëzit vullnetmirë, që janë në kërkim të së vërtetës, që nëpërmjet pagëzimit të vdesin për mëkatin e të shndërrohen në njerëz të ri, të cilët, sa janë gjallë, jetojnë me hirin hyjnor e kur të vdesin e dinë që  do të jetojnë për gjithmonë. Por, për të qenë pjesë e kësaj lavdie e për të përjetuar këtë lloj lumturie dhe për të galduar me gëzim, lypet të kemi të pamunit e fesë, sepse sytë e besimtarit arrijnë të shohin se zemra e tij, s’është varr i zbraztë, por shtëpi e bukur për Krishtin e Ringjallur.

Vetëdija e tillë plot fe dhe besim, na bashkon me të Ringjallurin, i cili, duke ndryshuar zemrat e njerëzve, themelojë një bashkësi të re njerëzore, që s’do të vdes, por do të jetoj për amshim.  Njeriu, duke i dhënë nder e lavdi Hyjit dhe duke u përpjekur për ta zbatuar në jetën e tij planin hyjnor, zbulon në brendinë e zemrës së vetë, se Zoti e ka mbërthyer në dashurinë e Tij dhe arrin të krijoi në vete, vullnetin e pashtershëm për paqe, drejtësi dhe dashuri.

Bukuria e fesë tek secili njeri, shpaloset nëpërmjet veprave të mëshirshme, jetës së sinqertë ndaj të vërtetës e të përkryerës dhe shkëlqen nëpërmjet dashurisë që shprehet me përvujtëri e sakrificë për gëzimin dhe lumturinë e të afërmit. Këndej, i ftoj të gjithë besimtarët të jenë dëshmitarë të gjallë të pranisë së Krishtit në jetët e tyre, duke iu lutur Hyjit t’ju japë syve të zemrës së tyre, dritën, që të mund ta kuptojnë shpresën e madhe që jep thirrja e Tij, për të qenë të gjithë,“[…] të shenjtë e të papërlyer para Tij në dashuri.” (Ef 1,4b). Për ta mbërri këtë, është e nevojshme t’i përqendrojmë të gjitha forcat tona që t’ia shtojmë fesë sonë virtytin, virtytit dijen, dijes përkormërinë, përkormërisë qëndresën, qëndresës përshpirtëninë, përshpirtënisë dashurinë vëllazërore, dashurisë vëllazërore dashurinë që përqafon/përkëdhel gjithkënd.” (2 Pj 1, 5-7). Nëse i kemi këto cilësi, dhe nëse përparojmë në to përditë, doemos do bëhemi të frytshëm për njerizimin dhe do të zbulojmë fenë në Zotin tonë Jezu Krishtin.

Sa është e nevojshme kjo shpresë e gëzimit dhe e paqes për njerëzit e ditëve tona, që janë prangosur në trishtimin e padrejtësive, të varfërisë, të vuajtjes dhe të vdekjes!

4.   Jemi të ftuar t’i përngjajmë Zotit, duke u bërë të vegjël e të pafajshëm si fëmija, të butë e të përvuajtur si Biri dhe të Mëshirshëm si Ati.

Në fytyrën e Mëshirshme të Zotit ne njohim veten tonë, sepse jemi shëmbëllesë e Tij. Kurse në fytyrën tonë, sado të shëmtuar nga mëkati, Ai e njeh kryeveprën e dashurisë së Tij. Këndej, jemi të ftuar t’i përngjajmë duke u bërë të vegjël e të pafajshëm si fëmija, të butë e të përvuajtur si Biri dhe të Mëshirshëm si Ati. Ai, jo vetëm që na ka falur fajet, por edhe e ka shpaguar mëkatin e secilit me gjakun e Birit, përgjithmonë e ka shtri “dorën e pajtimit” dhe nga Kryqi na fton të pajtohemi me të. Duke pasur parasysh këtë dashuri kaq të madhe, që Hyji e tregojë ndaj nesh, mëshira në këtë rast, nuk është një fjalë dosido, por është një emër për Hyjin. Në të vërtetë, është fytyra e tij.

Përballë kësaj porosie, ne të krishterët duhet të kuptojmë së është koha t’i hapemi risisë së dashurisë së Zotit, e cila është shpresëdhënëse edhe në ato momente kur duket se çdo gjë ka marrë fund. Njëkohësisht duhet të jemi të gatshëm të bëhemi dëshmitarë të dashurisë së të Ringjallurit që na do dhe na dhuron jetën në vazhdimësi. Edhe ne, të dashur besimtarë, jemi të ftuar dhe të dërguar nga vetë i Ringjalluri të bëjmë atë që kanë bërë të krishterët e parë dhe martirët tanë: ta shpallim Lajmin e Gëzueshëm, të dëshmojmë dhe të mësojmë vlerat dhe idealet e krishtera, të mbjellim shpresën e jetës, të përhapim bamirësinë dhe dashurinë e krishterë, të dhurojmë faljen dhe pajtimin, të jetojmë në harmoni me Zotin dhe me njëri tjetrin, të qëndrojmë të rrënjosur në Krishtin, të tregojmë me vendosmëri identitetin  dhe personalitetin tonë.

5.     Kisha, “nënë e dëbuar”, i është afruar gjithnjë popullit tonë si  mësuese dhe shërbyese e përvuajtur, duke e shprehë në shumë mënyra dashurinë e vet.

Kisha dëshiron gjithnjë të ripërtërijë ftesën e vetë për gjithë njerëzit vullnetmirë, që të kundrojnë veprën e saj në botë, të vrojtojnë çiltërisht sjelljen dhe jetën e shenjtërve brenda sajë, e të rikthejnë në mbamendjen e vetë rëndësinë e kontributit shumë shekullor në ndërtimin e qytetërimit fisnik, për të arritur deri tek kuptimi i drejtë i shoqërisë bashkëkohore. Njeriu besimtar duhet të jetë i vetëdijshëm, që vetëm sakrifica me dashuri e fisnikëron, e rrit dhe e zhvillon atë në të gjitha përmasat. Njëkohësisht, përpiqet të jetë pararojë në ruajtjen e atyre vlerave që i kemi trashëguar dhe ruajtur me mund, vuajtje dhe sakrificë gjatë së shkuarës, në mënyrë që ligështia e dikurshme të mos na ofrohet si virtyt, e në anën tjetër, të mos përbuzët besnikëria, qëndresa dhe sakrifica jonë.

Këndej, Kisha i thërret të bijtë e vetë dhe njerëzit vullnetmirë, që janë në kërkim të së vërtetës... që të mos dorëzohen para kësaj bote plotë interes e pa dashuri, plot kënaqësi e pa gëzim, plot optimizëm e pa shpresë. Kjo botë, e cila për të mbërri kënaqësitë, ka arrit të shkatërrojë bukurinë e natyrës, çiltërsinë e zemrës, t’i zë frymën ndërgjegjes, të shpërbëj bashkësinë familjare dhe t’i mohojë vlerat njerëzore. E, për ta qetësuar ndërgjegjen e vet, në vend të kthimit, e dëshpëruar, kërkon argumente të mira për ta arsyetuar të keqen e vet.  

Kualiteti i përtëritjes sonë të brendshme, përcaktohet me sasinë dhe cilësinë e kushtimit tonë në ?ijim, në kujdesin për të varfër me ndjenjën e dashurisë dhe në pandërpreshemërinë e përpjekjeve tona për paqe mes njerëzve.

6.   Kisha është bashkësi shpirtërore, që përbënë familjen e Zotit në tokë, por njëkohësisht është institucion që bashkon qytetarët besimtarë, të cilët janë pjesë e pandashme e kësaj shoqërie dhe kontribuues të vyer të vendit tonë.

Kisha dëshiron të vazhdojë ta mbajë të hapur zemrën e vet për gjithë njerëzit, të jetë kontribut i vyer në shërimin e plagëve të reja, të shkaktuara nga mungesa e dashurisë, nga lakmimi për pasuri, pushtet e ndikim, nga përgjumja e ndërgjegjes qytetare. Po, edhe ta ruaj popullin nga zdërhallja e grupeve të veçanta, të cilat me kokëfortësi duan që, nëpërmjet veprave të pavlefshme apo veprimeve të pandershme, të na bindin se promovojnë lirinë e të drejtat e njeriut, e do të tjerë se mbrojnë vlerat morale dhe dinjitetin njerëzor.

Ne jemi të bijtë e Hyjit dhe synim kemi Qiellin, por njëkohësisht jemi banorë të kësaj toke, pjesëtarë të një kombi dhe qytetarë të një shteti. Si të tillë, s’mund të mos angazhohemi për të ardhmen e njerëzimit dhe shtëpinë tonë të përbashkët, tokën, për fatin e kombeve si dhe për nevojat, të drejtat dhe lirit e njeriut.

Angazhimi ynë në këtë aspekt, nuk do të thotë përzierje e Kishës në politikë, por është kujdes dhe dashuri për njeriun, kontribut për të mirën e vendit dhe zâ i të varfërve. Kisha, e vetëdijshme për përgjegjësitë e veta që ka, nuk pushon duke sugjeruar, këshilluar dhe qortuar të bijtë e të bijat e veta dhe njerëzit vullnetmirë, që derisa ecin drejt qiellit, të pajtohen dhe të ndërtojnë paqe mbi tokë. Nga përvoja shumëshekullore e fesë, ne të krishterët kemi dëshmuar se gjatë miqësisë me Krishtin, kemi mësuar t’i mbetemi besnikë fesë dhe të mos lejojmë që asnjë pasuri tokësore, asnjë fuqi dhe asnjë pushtet të mos na ndajë nga dashuria e Tij për Zotin dhe për të afërmin.

7.   Shteti mund të jetë bashkësi e shëndoshë e qytetarëve, vetëm kur është në shërbim të individit, familjes dhe shoqërisë në tërësi, iu njehë të drejtat qytetarëve të vetë dhe kur arrin t’iu mundësojë atyre pjesëmarrje të barabartë në pasuritë e kombit dhe vendit.

Në këto kohë, qëkur po gëzojmë “liri e demokraci”, pothuajse jemi përmalluar për dashuri, për kujdes njerëzor, për miqësi, për ngrohtësi familjare dhe për ideale sublime – pasuri këto, që po t’i kishim do të na mundësonin të ngrihemi mbi kufijtë e “lirisë së burgosur” dhe të zbritnim nën “të drejtat e shtypura”, për të mbërri te zemrat e njëri-tjetrit. 

Si është e mundur që kur ka kaq shumë liri dhe të drejta, të jemi të mbërthyer brenda mureve të egoizmit dhe të urrejtjes, e të kemi zbritur nën dinjitetin njerëzor, për të ikë nga përgjegjësia e dashurisë për njëri-tjetrin?  Kjo gjë na ndodhë, sepse edhe pse e duam Zotin, nuk e lejojmë të na ndryshojë zemrat; lirinë  e duam, por s’kemi mësuar akoma se liria dhe të drejtat arrihen me dashuri dhe respekt ndaj tjetrit; jetojmë në paqe, por na mungojnë hiret dhe virtytet njerëzore. E kur mungojnë këto: paqja dhe liria s’kanë kuptim. Këndej, sot na ka kapluar dëshpërimi, pranë të mirave të shumta e mundësive të vogla për t’i pas ato, pranë një shteti të së drejtës ku ka “gjyq e ligj”, por  vështirë vihet te drejtësia, pranë një shoqërie ku të fortit kanë mundësi, punësim, pasuri, të drejta dhe liri, kurse të tjerët janë të detyruar të jetojnë fatin e varfërisë së tyre. E varfëria  shumëdimensonale po e përbuzë dinjitetin njerëzor të shumë vëllezërve dhe motrave tona.

Dashuria dhe jeta e virtytshme e mirëpërdorë skamjen dhe padrejtësinë, më mirë se egoizmi dhe jeta e shfrenuar që dinë të keqpërdorin lirinë dhe paqen. Megjithatë, nuk duhet të dëshpërohemi, sepse jeta jonë është n’dorë t’Zotit, por, duhet t’i bashkëndajmë këto gjëra që ta vetëdijësojmë sa ma shumë njëri-tjetrin, për përgjegjësitë e përbashkëta që kemi për mirëpërdorimin e pasurive, në shërbim të një të ardhme më të mirë për të gjithë ne.

Kosova jonë ka nevojë më shumë se kurrë për burra dhe gra të shenjtë, që me punën dhe sakrificën e tyre, ta bëjnë atë më të bukur e jetën e njerëzve të saj më të lumtur, në veçanti të të varfërve, të të përbuzurve, të të sëmurëve, të të papunëve.

8.   Kisha fton shoqërinë tonë dhe njeriun vullnetmirë, të vihet në mbrojtje të së vërtetës, të  tolerancës ndërfetare dhe të dashurisë ndërvëllazërore.

Me të njëjtën dashuri,  kisha fton shoqërinë tonë dhe njeriun tonë, të vihet në mbrojtje të së vërtetës si do që të jetë ajo, dhe të mos lejojë që të nënshtrohet para sakrificave të reja, para padrejtësive shoqërore, para varfërisë ekonomike e shpirtërore, para pabarazisë sociale, para ekstremizmit dhe fanatizmit fetar, para harresës historike, para nostalgjikeve të së kaluarës së dhimbshme, para mohuesve të së vërtetës e as para braktisësve të qëllimshëm të traditës, të kulturës, të  tolerancës ndërfetare dhe të dashurisë ndërvëllazërore.

Të dashur miq,

ne të krishterët, edhe pse jemi të bijtë e Zotit dhe të shpresës, në të njëjtën kohë jemi edhe protagonistë të jetës shoqërore, dhe brenda saj, angazhohemi të mbjellim vlerat themelore dhe konceptin bazë për mirëkuptimin mes njerëzve, që të gjithë njëzëri të mund të këndojmë në kor himnin e dashurisë dhe të paqes, në nder të Hyjit Atë.  Kisha jonë, me çdo gjymtyrë të saj, nëpërmjet larmisë së detyrave, karizmave dhe shërbesave, si një mishërim i mesazhit të paqes, i ofrohet çdo njeriu në vendin tonë me dashuri, drejtësi dhe solidaritet, dhe e fton atë që:

1) Të jetë bashkëpunues në krijimin e një ambienti më të qetë, ku mund të takohen dhe konfrontohen idetë dhe ambiciet e individëve – apo grupeve shoqërore me respekt dhe qytetari, dhe të mos ketë më hapësirë për fryrje, përbuzje e konflikt.

2) Të kontribuojë në ndërtimin e një shoqërie laike dhe multireligjioze, ku shteti dhe shoqëria s’kanë frikë nga qytetari besimtar, por e ndihmon atë që të ketë të gjitha liritë dhe mundësit e barabarta me qytetarët tjerë. Kurse besimtarët e feve të ndryshme, do të dinë të njohin virtytet e njëri-tjetrit, dhe do t’i vejnë ato në shërbim të të gjithëve: në dobi të së mirës së përbashkët. Kështu respektohet shoqëria laike dhe multireligjioze me krejt natyrën e saj.

3) Të mos ketë frikë nga dashuria, të mos ndihet i përbuzur nga paqja e pajtimi dhe mos ta kërkojë shpresën në vdekje e as fitoren në urrejtje. Por, të hapë zemrën dhe mendjen për t’i krijuar hapësirë dashurisë dhe t’i ofrojnë dhuntitë e shpirtit e të mirat e përkohshme çdo njeriu, sidomos atyre që vuajnë, atyre që janë të nëpërkëmbur e të përbuzur, të sëmurëve e gjithë të tjerëve që kanë nevojë. Vetëm kështu, do të arrijmë të kemi gëzimin e përkryer dhe kënaqësinë e brendshme që na prinë në një jetë të lumtur.

9.   Besnikëria ndaj fesë është detyrë dhe përgjegjësi e çdo njeriu, por ajo humbë kuptimin e vet kur nxitë urrejtjen, mohon të drejtën,  fshehë të vërtetën dhe zbehë dashurinë e besimtarëve të vet ndaj kombit dhe vendit vet.

Janë plot dymijë vjet që kur Shën Pali e hodhi këtë farë të mirë të Ungjillit, të Zotit tonë Jezu Krishtit, në popullin tonë. E ne, që atë herë  e deri më sot, e kemi ruajtur këtë fe në zemër, në familje dhe në popull,  me shumë përkushtim dhe dashuri, me plotë flijime, martirizimi dhe rreziqe, duke e trashëguar atë nga zemra e etërve në zemrat e bijve dhe bijave, brez pas brezi, deri në ditët tona. Prandaj, është mirë ta ri-përtërijmë dhe ta ri-shkrujmë në zemrat dhe mendjet tona këtë porosi ungjillore, në mënyrë që mos ta mbajmë vetëm si një pasuri që e kemi trashëguar, por të vazhdojmë të mbindërtojmë aty ku prindërit tanë e lanë, duke e shndërruar këtë fe në përcaktim jetësor, si zgjidhje personale të kësaj dhurate hyjnore, të cilën duhet jetuar me besnikëri dhe duke e shpallur me dashuri. 

Shën Pali, ishte ai i cili e lidhi historikun e Ilirisë së lashtë me qytetërimin e krishterë dhe popullin tonë e bëri popull biblik. Me gjithë padrejtësitë, përbuzjet dhe mjerimin shumëshekullorë që ka përjetuar Kisha dhe populli ynë, duke iu bindur Ungjillit dhe dashurisë, ajo përsëri ndjehet e aftë, të ushqejë në vetvete fenë, shpresën dhe dashurinë dhe të rindezë në zemrat e njerëzve vullnetmirë, ndjenjën e paqes me drejtësi, që shpien tek  miqësia e njerëzve dhe popujve.... dhe fton njeriun që të marrë pjesë në sakrificë me dashuri që fisnikëron, që e rrit dhe e zhvillon atë në të gjitha përmasat. Njëkohësisht, përpiqet të jetë pararojë në ruajtjen e atyre vlerave që i kemi trashëguar dhe ruajtur me mund, vuajtje dhe sakrificë gjatë së shkuarës, në mënyrë që ligështia e dikurshme të mos na ofrohet si virtyt, e në anën tjetër, të mos përbuzët besnikëria, qëndresa dhe sakrifica jonë.

Ne, nuk mendojmë që tjetërsimi ose fshehja e së vërtetës shëron plagët e vjetra të një shoqërie ose shfajëson fajet e një perandorie. Vetëm përballja e çiltër me të vërtetën dhe zotësia për t’u penduar, shëron gabimin dhe ndërton të ardhme të sigurt, kurse armiqtë e dikurshëm mund të miqësohen nëpërmjet pajtimit e faljes, e kurrsesi nëpërmjet mohimit e harresës.

Dashuria për kombin dhe arsyeja e shëndoshë na shtytë që, edhe në këtë kohë, të përpiqemi për t’i mbajtur gjallë vlerat e paqes së vërtetë dhe ndjenjën për liri të plotë. Është e vërtetë që ndër ne nuk ka më luftë, nuk ka konflikt civil, nuk ka çnjerëzim dhe përbuzje kolektive e shumë të këqija të tjera, të cilat i kemi përjetuar në të kaluarën, por njëkohësisht jemi të vetëdijshëm se dashuria për njëri-tjetrin nuk është duke shkuar në rritje, por në zbehje dhe duke u fshehur nën hijen e interesit, egoizmit dhe ambicieve të tepruara për të pasur ndikim, pasuri e pushtet.

Sot, si të krishterët ashtu edhe jo të krishterët, si ata që janë  në kërkim të një përcaktimit të ri shpirtëror, ashtu edhe ata që i kanë braktisur te dyja: çmojmë tolerancën fetare si pasurinë më të çmueshme që kemi. Këtë pasuri nuk guxon ta prishë askush, aq më tepër, gjithë jemi të thirrur ta begatojmë atë me dashuri për njëri-tjetrin, me përpjekje të përbashkëta për t’u përballur me sfidat e reja që po na afron e sotmja dhe me angazhim të palodhshëm për të ndërtuar një të ardhme më fatlume për fëmijët tanë, për familjet tona, për popullin tonë dhe për të gjithë të tjerët që jetojnë në Kosovë, me të cilët bashkëndajmë të sotmen e po përgatitemi ta ndajmë edhe të nesërmen.

Në veçanti dëshiroj të falënderoj popullin tim që e promovon dhe e ruan si të shenjët të drejtën e lirisë dhe të lirive, shtetin që garantona ushtrimin e lirisë  fetare dhe lirive të tjera qytetare dhe bashkësitë fetare që vazhdimisht bashkohen për t‘i promovuar këto vlera.

Këtë liri dhe këto të drejta, ne Kisha Katolike, asnjëherë nuk do t’i lexojmë si një e drejtë për t’iu imponuar, individit, familjes, shoqërisë apo shtetit, por vetëm si një mundësi për të kontribuar në të mirën e përbashkët me vlerat dhe virtytet tona siç janë: dashuri për të gjithë, gatishmëria për të mbështetur të afërmin me gjitha pasurit dhe kapacitetet që i kemi, promovimi i paqes dhe pajtimit pa shpërblim e pa kusht, bashkëjetesën gjithmonë do ta shohim si një mundësi e pasurimit të ndërsjellë e jo si një rrezik për njëri-tjetrin

10. Në shumë mënyra dhe në kohë të ndryshme jemi përpjekë dhe duhet të përpiqemi, të ftojmë besimtarin dhe shoqërinë që të vetëdijesohet për rreziqet  që e rrethojnë, për të keqen që e bartë në gji, edhe e ftojmë të gjejë forcën pozitive që të  vetëshërohet nga e keqja e vet.

Kur e shohim të jetuarit tonë dhe e prekim realitetin në të cilin jetojmë, atëherë ... e kuptojmë se kemi nevojë më të madhe për Zotin. Sepse, pas një çerekshekulli përpjekjesh dhe arritjesh, disi të gjithëve na ka mbulua një hije zhgënjimi, madje, shumëkënd, edhe dëshpërimi.

Dëgjojmë gjithandej për ngatërresa familjare, padrejtësi sociale, konflikte për fajde, vetëvrasje, ikje masive të të rinjve nga vendi, dhe shumë gjëra tjera që shkurajojnë të drejtët, zhgënjejnë entuziastët dhe dëshpërojnë të pa mbrojturit.

Këtë gjendje e rëndon edhe më shumë, siç kam thënë edhe herëve tjera, strukja e të drejtëve, heshtja e të mirëve, lakmia e të diturve dhe korruptimi i të aftëve. E gjithë kjo vjen si pasojë e mohimit të së vërtetës, përbuzjes së vlerave, mungesës së moralit shoqëror,  keqmenaxhimit të paqes, paaftësisë kolektive për të respektuar liritë dhe mungesa e përgjegjësisë individuale dhe grupore e bartësve të detyrave shoqërore.

Sot është në rrezik familja – e cila po përjeton thyerje të brendshme mes gjeneratave dhe nuk ka më gjuhë të përbashkët të bisedimit, dialogut dhe komunikimit ndërnjerëzor. Kështu ajo është duke  rrezikuar dashurinë dhe  harmoninë, gëzimin dhe jetën e shëndetshme familjare. Sidomos kur të rinjtë dëshirojnë t’i bindin prindërit se, s’dinë  asgjë, ose kur prindërit duke mos  u  besuar  të  rrënjëve,  mendojnë se ata  do  të rrënojnë gjithçka që  me mund kanë ndërtuar.

Mbi të gjitha, duhet të shqetësohemi për polarizimin e predikimeve brenda bashkësive fetare, përçarjen brenda shoqërisë, konfrontimin mes grupimeve politike, për fenomenin shqetësues të akteve terroriste, si në Lindje ashtu dhe në Perëndim; akte këto që po marrin jetë të pafajshme, të cilat, tek popujt e shtypur e mbipeshojnë barrën e dhembjes dhe mjerimit, kurse të popujt e lirë mbjellin frikë dhe pasiguri.

Pavarësisht marshit të këtyre të këqijave, të cilat shfaqen edhe përmes fytyrave njerëzore, shembulli i Krishtit na mahnitë dhe na dhuron fuqinë, t’i mbetemi besnik aftësisë për të falur dhe zotësisë për t’u mbrojtur, që të mos na përfshijë urrejtja. Sa është e nevojshme kjo shpresë e gëzimit, e dashurisë dhe e paqes për njerëzit e ditëve tona! Për ata që janë të prangosur në trishtimin e padrejtësive, në mjerimin e varfërisë së imponuar, të vuajtjes së pakuptimtë dhe të vdekjes pa shpresë! Kisha me pot dashuri , dëshiron të hapë zemrën e vet për gjithë njerëzit dhe mund të vazhdojë të jetë kontribuuese e vyer në shërimin e  plagëve të reja të shkaktuara nga mungesa e dashurisë dhe jeta e pavirtytshme.

Në këto ditë feste dhe gëzimi dëshiroj të jem afër të gjithë atyre që vuajnë për arsye  të ndryshme. Kisha gjithmonë do të solidarizohet dhe do të kontribuojë në zbutjen e vuajtjeve të të gjithë atyre që pësojnë për shkaqe të llojllojshme, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre kombëtare apo fetare. Jezu Krishti erdhi në botë për të gjithë, prandaj edhe ne, sipas shembullin të Tij, duhet të jetojmë, të mësojmë dhe ndihmojmë, të gatshëm për bashkëpunim dhe dialog me të tjerët,  për të mirën e të gjithëve

Vëllezër e motra,

Dua ta falënderoj Zotin për secilin prej jush për durimin që keni pas me mua gjatë këtyre dhjetë vjetëve, që kur ju prij në fe dhe ju përfaqësoj në këtë shoqëri. Dua t’i rikujtoj dhe t’i bëjë të sotme ato fjalë që ju drejtova ditën e intronizimit tim në Prizren, sepse gjithmonë jam i vetëdijshëm , që të jem ipeshkëv, nuk do të thotë të kam një karrierë, një punë, një profesion, por të kam një mundësi të re për t’i shërbyer Zotit dhe popullit tim, sipas shembullit të Krishtit... Nuk do të thotë të kem një pozitë për të dëftuar vetveten dhe aftësitë e mia, por një thirrje për të dëftuar dhe shpallur Jezu Krishtin, i cili vepron në mua dhe nëpërmjet meje, me gjitha dobësitë dhe mëkatet e mia...

Të jem ipeshkëv, nuk do të thotë një zyrë që më largon nga populli, por një mision që ma kërkon dhe njëkohësisht ma mundëson praninë e përhershme në mes të popullit..

Të dashur vëllezër në episkopat, në meshtari në pagëzim dhe në gjak, dëshiroj t’ju siguroj se në bashkëpunim të ngushtë me ju, do të përpiqem, me zellin me të madh, për të vazhduar traditën 2000 vjeçare të Kishës ndër ne; të jemi një Kishë që prinë me shembullin e saj në Kosovën tonë të dashur edhe gjatë  kohës që na ka mbetur dhe rrugës drejtë të ardhmes që lypet ta përshkojmë së bashku.

Në fund të kësaj porosie, dëshiroj t’i siguroj të gjithë njerëzit që janë në nevojë për bukën e përditshme, për jetë të dinjitetshme, për paqe apo drejtësi, se do të jenë gjithnjë në lutjet e mia dhe të Kishës sonë, e sidomos në meshën e Mesnatës të festës së Krishtlindjes. Nuk do të mungojë lutja jonë as për familjet tona, për mërgimtarët tanë dhe për të gjithë të tjerët, që të jemi të shenjtë e të papërlyer para Tij në dashuri (khs. Ef 1,4b).

Për shumë mot Krishtlindja, festofshim gjithmonë bashkë e ecshim të bashkuar si dëshmitarë të gëzimit ungjillor dhe dashurisë vepruese për njeriun që i shërbejmë e me të cilin jetojmë.

Ipeshkvi Juaj

+ Dodë Gjergji

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat