Makarona “Flutur”, me ngjyra

Receta gatimi

Makarona “Flutur”, me ngjyra

Më: 1 korrik 2015 Në ora: 18:12

Përbërësit: Për brumin thjeshtë me vezë: 300g miell për çdo përdorim, 3 vezë, 1 majë luge kafeje kripë. Për brumin me spinaq: 150g miell për çdo përdorim, 2 lugë pure spinaqi, 1 vezë, 1 majë luge kafeje kripë. Për brumin me panxhar: 250g miell për çdo përdorim, 3 lugë pure panxhar (shtoni dozën në qoftë se doni një ngjyrë më të errët), 1 vezë, 1 majë luge kafeje kripë.

Përgatitja:
Bëni tre brumëra të ndryshme më përbërësit si më sipër. Zini secilin brumë me duart tuaja, ose me ndihmën e një shpatulle. Nëse brumi është i thatë ju mund të lagni pak duart apo të shtoni disa pika uji në mënyrë që brumi të marrë një trajtë të fortë por dhe elastike. Pasi të gjitha brumërat janë gati lërini rreth 20 minuta të mbuluar me një pecetë kuzhine. Duke filluar nga brumi i bardhë, dhe pastaj me radhë i gjelbri (me spinaq) dhe i kuqi (me panxhar), hapni me dorë ose me makinë një petë disa milimetra të trashë. Pastaj petën me brumin e kuq dhe brumin e gjelbër priteni në rripa të hollë. Lyeni petën e bardhë me pak ujë dhe vini sipër duke i alternuar një rrip të kuq, një rrip të gjelbër e me radhë. Hapeni brumin sa më hollë me makinë makaronash apo okllai. Ju do të përftoni një fletë të drejtë me brumë makarona ku vijat me ngjyrë do të bëhen njësh me bazën e brumit të bardhë. Do të keni një fletë të bardhë me vija të gjelbra dhe të kuqe. Priteni fletën e brumit në të kundërtën e vijave duke nxjerrë rripa të gjatë dhe të gjerë rreth 2cm me vija horizontale. Priteni me një thikë me dhëmbëza që t’i keni bordurat me dhëmbëza. Priteni dhe njëherë secilin rrip në 4-5 pjesë duke përftuar drejtkëndësha me dhëmbëza 2cm me 3cm, me vija horizontale. Duke përdorur dy gishtat, shtrëngoni brumin e drejtkëndëshit rreth qendrës derisa të formohet një kodër e lidhur në mes që i jep formën e fluturës makaronave tuaja.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat