Si të gatuajmë një herë për t’u ushqyer gjithë javën?!

Receta gatimi

Si të gatuajmë një herë për t’u ushqyer gjithë javën?!

Më: 27 shkurt 2015 Në ora: 18:51

Problemi më i madh i amvisave apo zonjave të shtëpisë është zgjedhja dhe përgatitja e menysë së ushqyerjes së përditshme për familjen e tyre. Sigurisht, këtu ndikon shumë faktori kohë, nëse ato janë të zëna me punë apo impenjime të tjera. Këtë radhë do t’ju vijmë në ndihmë duke ju renditur disa rregulla për të gatuar një herë të vetme për të gjithë javën. Kjo është e mrekullueshme, apo jo! Çfarë prisni, përvishni mëngët!

1.Rregulli i parë lidhet më zgjedhjen e një momenti të lirë gjatë një dite për të gatuar. Më me leverdi është e diela, të cilën mund t’ia kushtoni edhe kuzhinës. Në mëngjes, paradite ose edhe gjatë pasdites, kur mund të qëndroni pranë sobës pa asnjë nxitim, ju mund të gatuani ushqime për të gjithë javën. Do të lehtësoheni shumë, sepse gjatë javës nuk do të mendoni më për përgatitjen e vakteve. Ndërkohë, nuk do të shpenzoni as para për të blerë ushqime të gatshme jashtë shtëpisë. Për më tepër, ato të përgatitura nga vetë ju janë sigurisht më të shëndetshme.
2. Mbështetuni te receta të provuara më parë, duke i lënë pas eksperimentet për një herë tjetër, në mënyrë që të mos rrezikoni humbjen e objektivit për të gatuar një sasi dhe cilësi ushqimesh për shtatë ditë.
3.Gatuani një përgatitje bazë (pilaf, fasule, kuskus-lloj orizi) për t’i bashkuar çdo ditë me përbërës ushqimorë të tjerë, të gatshëm. Natyrisht sipas preferencave tuaja.
4. Mos nënvlerësoni kinoan (quinoa), thjerrëzën me origjinë nga Amerika e Jugut, e cila ka një vlerë të shkëlqyer dhe që konservohet për ditë të tëra. Mund të shoqërohet me perime, mish dhe peshk.
5. Vezët e ziera konservohen shumë mirë dhe janë praktike për t’u marrë me vete edhe për vaktet jashtë shtëpisë. Janë të ushqyeshme për çdo pjesëtar të familjes. Mjafton t’i zieni dhe t’i vini në frigorifer. Ato mund të qëndrojnë pa u prishur deri në shtatë ditë.
6. Perimet e papërpunuara, të prera dhe të vendosura nëpër tasa në frigorifer, janë aleate të vërteta për shuarjen e urisë jashtë vakteve, por të shoqëruara edhe me ndonjë gjë tjetër. Nëse do të dëshironi të bëni një sallatë për ta shoqëruar me pilafin e përgatitur më parë, atëherë edhe këto do t’i keni të gatshme, mjafton vetëm që t’i marinoni me vaj ulliri, pak kripë, limon dhe erëza sipas dëshirës.
7.Perimet e pjekura në zgarë. Edhëe këto konservohen mjaft mirë në tasa hermetikë. Sa më shumë të bëni, aq më shumë varietete do të keni për t’i përdorur më pas. Kështu, ju mund të piqni në zgarë perime të tilla si: kungull të njomë, patëllxhan, karçof, lulelakër, kungull, speca etj.
8.Gjoks pule i pjekur në zgarë: edhe ky ushqim ruhet për disa ditë i gatuar. Mjafton ta prisni dhe ta shoqëroni me ndonjë sallatë apo pure gjatë kohës që do ta konsumoni, për shembull kur sapo të ktheni në shtëpi pas një dite të gjatë e të lodhshme.
9.Supat e bëra në shtëpi janë më të mira se sa ato të gatshmet nëpër supermarkete e dyqane. Janë edhe po aq praktike. Por natyrshëm do të pyesnit, si t’i përgatisni dhe t’i ruani? Mjafton të zgjidhni përbërësit më të dashur për ju për një supë. E përgatisni atë një herë të vetme në një tenxhere të madhe dhe më pas e ngrini në tasa të veçantë sa për një person. Në momentin kur doni që të hani supë, ngrohini porcionet dhe ato do të jenë menjëherë gati për t’u servirur.
10. Në fund, nuk ka asgjë të keqe që edhe pjatat tuaja më të preferuara në familje t’i përgatisni dhe t’i ngrini. Edhe këto, duke i ndarë në porcione dhe duke i ngrohur në momentin kur do t’i konsumoni. Normale, ju duhet të siguroheni që ato të mund të rezistojnë pak ditë në frigorifer dhe se shija e tyre nuk duhet të humbasë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat