Vetëvendosje dënon sulmin ndaj Kryesuesit të Kuvendit në Prizren

Prizreni

Vetëvendosje dënon sulmin ndaj Kryesuesit të Kuvendit në Prizren

Më: 31 korrik 2018 Në ora: 20:56
Foto nga seanca e Kuvendit në Prizren

Lëvizja Vetëvendosje ka dënuar sulmin që i është bërë kryesuesit të  Kuvendit të Prizrenit, i cili njëherësh është kryetari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, Artan Abrashit,  nga një asamblist i PDK-së.

Përmes një komunikate për media, ka thënë se asnjë lloj sulmi nuk do i ndal ata që të përpiqen për i interesat e qytetarëve të Prizrenit.

Kjo është komunikata e tyre:

Sulmi i sotëm nga një asambelist i PDK-së ndaj Kryesuesit të Kuvendit Komunal dhe kryetarit të Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prizren, Artan Abrashit, aq sa shpërfaqë logjikën e tyre jopolitike, reflekton mllefin që vije nga fakti që qeverisja në komunën e Prizrenit është shkëputur njëherë e përgjithnjë nga kthetrat keqpërdoruese e korruptive të kësaj partie.

Kuvendi Komunal është organ i rëndësishëm i demokracisë lokale dhe hapësirë e pamohueshme e diskutimeve politike mbi politikat e çështjet lokale, por nuk mund të shndërrohet asnjëherë në shënjestër sulmesh e shpërthimesh të atyre që kishin keqpërdorur për vite të tëra qeverisjen lokale për interesa personale e klanore, e të cilët të ndëshkuar nga votuesit nuk po e përballojnë dot ndryshimin e përditshëm të Prizrenit me qeverisjen e mirë, profesionale dhe shërbyese të Lëvizjes VETËVENDOSJE! përmes kryetarit Mytaher Haskuka.

Ne dënojmë sjelljen prej gangsteri të asambleistit të PDK-së dhe sulmin mbi kryesuesin Artan Abrashi dhe garantojmë të gjithë qytetarët e komunës së Prizrenit se angazhimi i kryetarit, asambleistëve dhe drejtorëve komunalë të Lëvizjes do të jetë i paluhatshëm në ofrimin e një qeverisje efikase, të ndershme dhe në shërbim të qytetarëve, ashtu siç jemi zotuar e për çfarë kanë zgjedhur qytetarët e Prizrenit.

Ne ftojmë të gjithë asambleistët e opozitës në Prizren që të përmbushin rolin e tyre si asambleistë dhe mos të përpiqen të dëmtojnë interesat e qytetarëve të Prizrenit. Kurrfarë sulmi a kërcënimi nuk do të ndalë ligjshmërinë dhe vendosjen e gjërave në vendin e duhur në komunën e Prizrenit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat