Reagime ndaj imamit që fyeu festivalin muzikor në Prizren: Është tu pallë një lopë në kala

Prizreni

Reagime ndaj imamit që fyeu festivalin muzikor në Prizren: Është tu pallë një lopë në kala

Më: 13 korrik 2018 Në ora: 16:19
Besim Berisha

Besim Berisha, imami i një xhamie në Prizren e ka quajtur “lopë” një performues të festivalit muzikor “Ngom Fest” që për tre ditë organizohet në Kalanë e Prizrenit.

Në dy postime në Facebook, Imami Berisha ka thënë se “është tu pallë një lopë në Kala” dhe se “po terrorizon 70 për qind të qytetit” të Prizrenit.

“Prizreni qytet i festivaleve degjeneruese, jam kundër të gjithë atyre që përmes ‘kulturës’ na mbushin rininë me drogë dhe prostitucion!” ka shkruar ai në postimin e parë të cilit ia ka bashkëngjitur edhe një video në të cilën dëgjohet muzika nga Kalaja.

Në postimin e dytë, imami thotë se shkaku i zhurmës mund të ketë edhe ndonjë sulm terrorist dhe se performuesi është duke bërë ftesë që një gjë e tillë të ndodhë.

“Shkoni more ndaleni zhurmën se po çohet naj kush po ban akt terrorist! Se veç qajo na mungon. Se kjo lopa është duke bërë ftesë për një gjë të tillë”, ka shkruar Berisha.

Ndaj këtyre thirrjeve, ka reaguar drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu që ka thënë se qëndrimet e imamit Berisha që është edhe kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, nuk janë komfor detyrës së një predikuesi fetar, i cili duhet të promovojë paqen dhe tolerancën.

“Hoxha i Bashkësisë Islame t‘Prizrenit, ofendon dhe kërcënon me akt terrorist NGOM Fest, edhe fëmijët tanë që ishin pjesëmarrës në koncert. Prej sot, e derisa të qëndrojë në pozitën e kryetarit të Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, Besim Berisha, do ta ndërpres kontributin vjetor të familjes sime për BIK-un, në shenjë revolte ndaj diskursit urrejtës të tij të shpërfaqur në profilin e tij në Facebook”, ka thënë Kryeziu që ka shtuar se komunikimi i Berishës ka marrë karakter të fushatës nxitëse dhe kërcënuese.

“Qëndrimet e Besim Berishës nuk janë komfor detyrës së një predikuesi fetar, i cili duhet të promovon paqen e tolerancën. Përkundrazi qasja e tij dhe komunikimi me qytetarët ka marrë karakter të fushatës nxitëse, kërcënuese, fyese, urrejtëse dhe përçarse. Postimet e 2 ditëve t’fundit në profilin e tij në Facebook, nuk do të duhej të miratoheshin nga pjesëtarë të komunitetit mysliman e aq më pak nga ana e drejtuesve Bashkësisë Islame”, ka shkruar Kryeziu.

“Një klerik që me deklarimet e tij që kërcënon me akte terroriste, fyen e nxitë urrejtje ndërnjerëzore nuk duhet të jetë në krye të një bashkësie religjioze. Prandaj, të gjithë prizrenasit e besimit islam duhet të refuzojmë pagesën e taksave ndaj BIK-ut, deri në shkarkimin e imamit Besim Berisha”, ka shkruar ai.

“Prizrenit i duhet një kryetar i KBI, që e kultivon harmoninë ndërqytetare e ndërfetare, por jo imami Besim Berisha, i cili me diskursin e tij shkakton mosbesim dhe urrejtje. Bashkëqytetarë t ‘Prizrenit, lexoni qëndrimet e kryetarit të KBI, edhe vlerësojeni se çfarë diskursi publik po promovon i pari i religjionit mysliman në Prizren”.

Ky është edicioni i shtatë i festivalit të muzikës “Ngom Fest” dhe për të dytin vit me radhë rikthehet në Kalanë e Prizrenit.

Ashtu siç është traditë e këtij festivali, në natën e parë kishte muzikë hip-hop. Nata e dytë u karakterizua me muzikë rok, ndërsa natën e fundit skenat do të elektrizohen me muzikë elektronike.

Për tri ditë me radhë bende të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare kanë qenë pjesë e festivalit që është mbajtur 6 deri më 9 korrik.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat